Ballina Aktualitet Haradinaj fton pa asnjë kusht PDK-në e LDK-në, në koalicion (VIDEO)

Haradinaj fton pa asnjë kusht PDK-në e LDK-në, në koalicion (VIDEO)

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se bashkimi i subjektit që ai drejton në koalicion me Nismën Socialdemokrate është një shembull se si të gjitha partitë opozitare mund të bashkohen për t’i ofruar vendit një program të mirë qeverisës.

”Po vijnë zgjedhjet, të rregullta janë në fund të vitit, por mund të vijnë edhe më të hershme në verë, ose dikur, ne dëshirojmë të japim nga vetja prova dhe shembuj se mund të bashkohemi të gjithë, t’i japim Kosovës një program qeverisës dhe ta ndryshojmë Qeverinë Kurti për shkak të humbjeve që ua shkakton qytetarëve të vendit në përgjithësi dhe rreziqeve të kësaj qeverisje për vitet që vijnë nëse vazhdojnë, apelojmë të gjithë që të bashkohen dhe veç kemi disa partneritete të dakorduara”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Haradinaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare në vend, dhe se për këtë bashkëpunim ai nuk ka asnjë kusht, përveç punës drejt anëtarësimit në NATO.

”Unë besoni asnjë kusht nuk e kam për bashkëpunim, me palët tjera politike dhe qytetare, Aleanca jonë asnjë kusht nuk e jep, i vetmi argument duhet të jetë se a kemi garanca që do t’i rrisim pagat, me lanë ushtarin siç e ka lënë Kurti është rrezik, me e lënë policin ashtu siç e ka lënë Kurti është rrezik, rrezik për sigurinë, me të ardhë njësitë elite para derës së qeverisë është rrezik, je duke e joshë dikë me të rreziku. Pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë, pa asnjë temë, jam i hapur për çdolloj bashkëpunimi që ata e vlerësojnë, çfarëdo mënyre, nuk u qes kushte as për lista, as për poste, për ne e rëndësishme është që Kosova të anëtarësohet në NATO, pra të jemi të sigurt dhe ta garantojmë Kosovën, pa hyrë në NATO siguria jonë është gjithmonë çështje e hapur”.