Me shkathtësinë e tyre të mahnitshme – dhe një aftësi të natyrshme për t’iu shmangur me çdo mënyrë vdekjes – shprehja se macet kanë 9 jetë ka bërë jehonë në civilizime dhe shoqëri të ndryshme gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Por cila është origjina e vërtetë e kësaj shprehjeje?
Macet nisën të jetonin krah për krah humanëve në Lindjen e Afërt gjatë periudhës së Neolitit, rreth 10,000 vite më parë. Mendohet se transferimi ynë nga jeta si gjahtarë, në fermerë, ka qenë e dobishëm edhe për macet antike.
Teksa njerëzit kultivonin tokat dhe nisën të ruanin ushqimin në depot e rezervave, kjo tërhiqte kafshët pré të maces, si minjtë dhe gjarpërinjtë. Marrëdhënia e njerëzve me macet u kthye në një simbiozë të natyrshme dhe diçka të dobishme për të dyja speciet – njerëzit u siguronin maceve ushqim dhe strehim ndërsa macet ndalonin brejtësit para se ata të vidhnin apo infektonin ushqimet e tyre.
Zbutja e maceve nisi me ritme të shpejta në Egjiptin e Lashtë. Ky civilizim njihej për adhurimin e maceve – shumë prej perëndive të tyre pasqyroheshin si njerëz me kokën e maces. Macet shtëpiake në fakt edhe balsamoseshin nga egjiptianët e lashtë dhe varroseshin si mumie.
Por përse 9 jetë?
Një nga perënditë egjiptiane Atum-Ra thuhet të merrte formën e maces në mënyrë që të shkonte në botën e nëndheshme. Prej aty ai solli në jetë 8 mace të tjera perëndi. Disa njerëz e lidhin idenë se macet kanë 9 jetë pikërisht me këtë mit.
Por në kultura të tjera ky numër ndryshon. Për arabët macet kanë 6 jetë, për spanjollët ato kanë 7.
Ky nocion është i lidhur me faktin që macet shihen si krijesa tejet me fat, duke qenë se kanë mundësi t’i shpëtojnë rrezikut në mënyra që shpesh duken të pabesueshme.
Histori dhe video virale ku macet i shpëtojnë vdekjes edhe pas rënieve nga lartësi të mëdha janë bërë të zakonshme tashmë.
Një arsye përse macet kanë mundësinë t’u mbijetojnë këtyre rrëzimeve të rrezikshme është një fenomen i njohur si ‘refleksi korrigjues’. Ky është një refleks balancues i cili u lejon atyre të orientojnë veten ndërkohë që bien nga lartësitë në mënyrë që të zbresin në këmbë në momentin që prekin tokën.
Ky refleks së bashku me kockat dhe ligamentet e tyre tejet fleksibël janë arsyet përse këto kafshë misterioze kanë mundësinë t’u shpëtojnë rënieve nga lartësitë që për kafshë të tjera do të ishin fatale.
“Macet janë kurioze nga natyra dhe duan të eksplorojnë situata të reja dhe të panjohura gjë që nuk është gjithnjë në favorin e tyre. Por ato janë grabitqare të përgatitura. I dinë limitet e tyre dhe kanë një shkathtësi marramendëse që iu lejon të reagojnë shpejt kur përballen me rrezikun’” – thotë Celia Haddon, eksperte e sjelljes së felinëve.