Ditën e sotme, Naim Murseli i cili dyshohet për vrasjen e bashkëshortës së tij, Liridona Ademajt, ka përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Lidhur me dëshminë e tij, për Paparacin ka folur avokatja e tij Teuta Zhinipotoku, e cila ka thënë se Murseli ka mohuar në tërësi versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici.
“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, më sot është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici”, është shprehur Zhinipotoku.
Ajo tha se deklarata e tij e dhënë në detaje ka qenë ajo që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast.
“Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast”, ka shtuar ajo.
Po ashtu, Murseli e ka mohuar në Prokurori se ka pasur raporte të tendosura mes tij dhe Liridona Ademajt dhe raportimet lidhur me besnikerinë mes tyre.
Naim, Murseli dyshohet se me datë 29 nëntor 2023, ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj. Për vrasjen e saj janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, Granit Plava i cili dyshohet se ka kryer vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në planifikimin e vrasjes.
Ditë më parë, Paparaci ka publikuar deklaratat e tre të arrestuarve në polici si dhe të babait të Naim Murselit.
Në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli ishte shprehur se kishin pasur probleme martesore dhe që e kishin pamundësuar vazhdimësinë e lidhjes së tyre, mirëpo sipas tij ai nuk ka qenë i informuar që Plava do e kryente vrasjen atë ditë.
Të ndryshme kanë qenë deklaratat e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.
Plava kishte thënë se kishte kohë që Murseli i bënte presion për t’ia vrarë gruan dhe se ky ishte detyruar sepse kishte probleme financiare dhe shëndetësore. Ai kishte deklaruar se Naim Murseli i kishte premtuar që do ta nxjerrte nga burgu.
Ndërsa, Kokalla i cili është djali i hallës së Naim Murselit, është shprehur se nuk ka qenë fare i përfshirë në këtë rast, përveç se ishte ai përmes së cilit ishin njoftuar Murseli dhe Plava.