Kur nisi seanca parlamentare këtë të hënë, salla e parlamentit ishte gjysëm bosh. 19 deputetë të opozitës qenë të përjashtuar nga kuvendi, ndërsa pjesa tjetër qëndronin jashtë të bllokuar nga garda, që nuk hapte derën e parlamentin nga frika se mos hynin të përjashtuarit.
Mungesa e opozitës për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama nuk është një problem. Përkundrazi, duke përfituar nga qetësia që u ka munguar prej kohësh, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla nisi seancën sikur çdo gjë të ishte normale. Foto më poshtë tregon se pamjen e sallës gjysëm bosh, në të cilën nisi punimet kuvendi.
Krejt e përmbysur ishte atmosfera jashtë kuvendit. Në rrugë kishin dalë mijëra opozitarë të thirrur për protestë. në hyrje të kuvendit qëndronin forcat speciale që kishin blinduar hyrjen kryesore.
Rreth orës 17:00 pasdite, rruga ishte e bllokuar, ndërsa për deputetët e opozitës ishte përgatitur një podium për të mbajtur fjalime. Fotot më poshtë tregojnë pamjet e rrugës së mbushur me demokratë që i ishin përgjigjur thirrjes së opozitës për të dalë në rrugë.
Por ndërkohë që qytetarët qëndronin në rrugën përballë kuvendit, në oborr deputetët e opozitës ishin ndalur nga garda. Që në momentin që u afruan shefi i gardës i ndali dhe i tha që 19 prej tyre nuk do të lejoheshin të hynin në sallë. Në përgjigje mori refuzimin e deputetëve që i thanë se nuk do ta pranonin vendimin abuziv të kuvendit. Nga ky moment nisën shtyrjet dhe përplasjet mes deputetëve dhe gardistëve.
Kjo sherrnajë në hyrje të kuvendit zgjati disa minuta, nga të cilat Lindita Nikolla përfitoi nga rasti të niste seancën dhe t’i jepte fjalën Petro Koçit. Në rendin e ditës ishin takimet që deputetët kishin pasur me elektoratin.
Sapo disa prej deputetëve të opozitës mundën t’i shpëtojnë duarve të gardës, ata u sulën me vrull në sallë të acaruar nga përplasja që kishin pasur. Në pamjet më poshtë dallohet se si Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka hyjnë me ulërima në sallë duke i bërtitur Lindita Nikollës.
Kaq ka mjaftuar që seanca të prishet. Deputetët kanë nisur të bërtasin ndaj Edi Ramës duke e quajtur “hajdut” dhe “kriminel” ndërsa pak nga pak janë shtuar dhe kanë nisur të shtojnë zhurmën. Në këto kushte, deputetët e Partisë Socialiste e kanë lënë përgjysëm teatrin dhe Lindita Nikolla ka vendosur t’i japë fund seancës.
Protesta e opozitës përballë parlamentit këtë të hënë u zhvillua nën sfondin e akuzave të forta që Arben Ahmetaj lëshoi ndaj Edi Ramës dhe prokurorëve të SPAK duke i përshkruar si dy palët e një operacioni që ka për qëllim t’i vërë kapak aferës së inceneratorëve.
“Siç e patë sot në Kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Ahmetajt, i akuzuar nga ai si koka e inceneratorëve. Me një urdhër të paligjshëm deputetët u penguan të futen në seancë” u shpreh Gazmend Bardhi, që shtoi se vetëm në një regjim deputetët detyrohen të shqyhen nga xhaketa për t’u futur në sallën e kuvendit.
“Një ndër njerëzit më të afërm të tij, numri dy i qeverisë së tij Arben Ahmetaj tha se kreu i bandës është Edi Rama. E dëgjuat të gjithë me zë dhe me figurë që në kemi vjedhur, dhe ne pasi kemi vjedhur, e shkatërrojmë Shqipërinë” u shpreh Salianji.
“Mesazhi i numrit dy të kësaj organizatës kriminale që është Rilindja i hapi petët e lakrorit të krimit. E dëgjuan të gjithë, e pamë se cfarë tregoi, që kjo ngrehinë nuk ka lidhje me qytetarët. Ajo kryeministria nuk është asgjë, përveçse skutë e mafies dhe e krimit ku bëhen pazare për tju vjedhur”, tha Noka.
Pas fjalimeve të deputetëve, mijëra qytetarë të opozitës kanë lëvizur në këmbë drejt shtëpisë së Sali Berishës, ku lideri i opozitës qëndron i izoluar tashmë prej më shumë se një muaji./Lapsi.al