Ballina Top Lajm Zhvillimet dramatike brenda Aleancës për Shqiptarët/Mexhiti: Sonte në Kumanovë do të mbajmë...

Zhvillimet dramatike brenda Aleancës për Shqiptarët/Mexhiti: Sonte në Kumanovë do të mbajmë edhe Kuvendin e ASH-së/Qeveria dorëzoi në Kuvend propozimin për shkarkimin e Aliut dhe Mexhitit/Lloga në Euronews: Taravari përçau Aleancën për Shqiptarët (VIDEO+FOTO)

Fatmir Mexhiti nga krahu i Arben Taravarit në Aleancën për Shqiptarët tha se sonte në Kumanovë përveç takimit me qytetarët, do të mblidhet edhe Kuvendi Qendror i partisë, përcjell TV21. Mexhiti tha se në mbledhje do të diskutohet rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

“Do të thotë do të jetë një tubim i zakonshëm, normal me qytetarët, ne tash kemi filluar të gjitha partitë me parapërgatitjet, si çdo parti tjetër, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, dhe atje do të mbajmë edhe Kuvendin e partisë Aleanca për Shqiptarët, edhe do të marrim drejtimin se si do të shkohet në zgjedhjet parlamentare”, theksoi Mexhiti./tv21.tv

Qeveria dorëzoi në Kuvend propozimin për shkarkimin e Aliut dhe Mexhitit

Nga Qeveria njoftojnë se kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka dorëzuar deri te kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, propozimin për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, por edhe të ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Xhaferi gjithashtu ka dërguar letër deri te Mitreski që në vend të Aliut, ministër të emërohet Naim Bajrami, ndërsa në vend të Mexhitit, Ilir Demiri./tv21.tv

Lloga në Euronews: Taravari përçau Aleancën për Shqiptarët (VIDEO)

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar LLoga tha në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania se është e vështirë që partia “Aleanca për shqiptarët” të mbijetojë megjithatë ai tha se ekziston mundësia që ditën e shtunë të sheshohet situata.

Sipas Llogës kryetari i partisë Aleanca për shqiptarët ka shkelur pjesë të vendimit të cilat janë votuar unanimisht brenda partisë. Ai tha se propozimi i Taravarit në Facebook i pakonssultuar me partinë, e cila me votë unanime ka zgjedhur të futet e vetme në zgjedhje, është anti-statutore dhe sjell përçarje.

“Fatkeqësisht shanset që ti mbijetojë përçarjes po zvogëlohen por ka edhe një mundësi që ditën e shtunë të sheshohen të gjitha gjërat. Kryetari duhet të japë detaje për takimet dhe propozimet që ai ka bërë, për shkeljet statutore që ai ka bërë javët e fundit, duke përfshirë këtu mos thirrjen e këshillit dejtues të Partisë kryesisë qendrore apo edhe ofertave politike të cilat ai ika dhënë përmes Facebook-ut dhe jo para organeve të partisë.

Ka ndodhur ajo që paralajmëroi Hiristjan Mickovski nga VMRO-DPMNE, i cilinë 16 janar parashikoi saktë qtë që do të ndodhë në aleancën për shqiptarët.

Sot jemi në këtë moment kur kryetari i Partisë ka shkelur pjesën e vendimit të cilin ai dhe gjithë ne të tjerët kemi votuar që “Aleanca për Shqiptarët’ të shkojë e vetme në zgjedhje. Aleanca nuk ka diskutim që duhet të radhitet në forcat europiane dhe perëndimore, por a do duhet të shkojë me kampin qeverisës apo me kampin opozitar.

Këto dyshime, kanë lënë hije në strukturat e partisë dhe ishte e vetmja mënyrë që partia të ruaj unitetin që të shkojë e vetme në zgjedhje. Këtë vendim qeveria e ka marrë në mënyrë unanime, përfshirë këtu edhe zoti Taravari. Për çudi pa mandat as të kryesisë qendrore dhe as të kuvendit qendror zoti Taravari ka dhënë opsionin e tij përmes Facebook, kjo është në shkelje të statutit dhe shkelje e vendimit të kryesisë”,-tha ministri i Drejtësisë.

Taravari për TV21: Kam caktuar mbledhje me anëtarët e Kuvendit Qendror

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari për TV21 konfirmoi se për ditën e enjte ka caktuar mbledhje me anëtarët e Kuvendit Qendror të partisë. Në pyetjen nëse është e vërtetë që për të enjten në Kumanovë është caktuar mbledhje me anëtarët e Kuvendit Qendror, Taravari u përgjigj shkurt: “Po, është e vërtet”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tetova News (@tetovanews)

ASH: Për ministër të Shëndetësisë propozojmë Ilir Demirin, për ministër në MSHIA, Naim Bajramin

Nga Aleanca për Shqiptarët njoftojnë se pas propozimit për shkarkimin e ministrave Azir Aliu dhe Famir Mexhiti, propozojnë që në vend të Aliut në MSHIA ministër të jetë Naim Bajrami, ndërsa në vend të Mexhitit në Shëndetësi, ministër të jetë Ilir Demiri.

“Në bazë të statutit të partisë, neni 152, 154, 156 dhe neni 84, Këshilli drejtues i Aleancës për Shqiptarët me 5 vota nga 7 në mënyre unanime vendosi: Për Ministër të Shëndetësisë propozohet mjeku i mirënjohur z.Ilir Demiri, drejtor aktual i Spitalit Klinik – Tetovë. Për ministër të Shoqërisë informatike dhe për Administrata propozohet z.Naim Bajrami, Magjistër i Shkencave politike”, thuhet në njoftimin e ASH-së.

ASH kërkon shkarkimin e ministrave Aliu dhe Mexhiti/ Taravari: Lojë e BDI-së me disa anëtarë tonë që janë afruar me BDI-në

Në seancë qeveritare u shkarkuan dy drejtorë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Nga ana tjetër Komisioni kadrovik i ASH-së vendosi t’i propozojë Kryeministrit shkarkimin edhe të dy ministrave që vijnë nga radhët e saj, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu dhe Ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Se çfarë do të bëjë kryeministri teknik, ende nuk dihet, sepse nuk kemi marrë përgjigje nga Qeveria për këtë çështje.

Në njoftimin e ASH-së për vendimin për shkarkimin e dy ministrave shkruajnë se thonë se kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH dhe të punësuarve, si dhe koketimin e sotshëm publik me VMRO-DPMNE, duke i shkuar në zyrë ministrit të saj. Nga ana tjetër, për ministrat Mexhiti e Aliu, që janë në krah të Taravarit, ky vendim i dërguar në Qeveri nuk është legjitim.

“Së pari nuk mund të jetë legjitime. Sipas statutit tonë nuk mund të sillet një vendim i tillë për emërimin apo shkarkimin e ministrave. Momenti i dytë që dua t’u informojë për shkak se kishte pyetje nga gazetarët se a do të dorëhiqemi. Nuk do të japim dorëheqje. Nuk ka arsyetime për fat të keq. Artan Grubi është ai që vendosë. Artan Grubi vendosi për fat të keq me kolegë nga partia jonë që të shkarkohen, dhe me siguri do të vazhdojnë të shkarkojnë ato që munden. Ato që nuk do të munden, me siguri do të mundohen më tepër”, tha Azir Aliu, MSHIA.

Aliu thotë se edhe drejtorët tjerë nga radhët e ASHsë kanë marrë kërcënime për shkarkim nëse nuk kalojnë nga ana tjetër, pra nga ana e Selës. Aliu thotë se kjo bëhet nga BDI-ja në Aleancë.
“Dua vetëm që t’u informoj që sapo morën informata se ka shumë shtypje mbi drejtorët tanë duke iu thënë se deri nesër nëse nuk ktheheni nga ana jonë, do të jeni të shkarkuar siç u shkarkuan këto dy drejtorë sot.

-Nga ana e kujt?

-Nuk e di nga ana e kujt. Nga ana e BDI-së në Aleancë. Ka një përshtypje që janë bashkuar një pjesë për interesa personale me BDI-në, me qëllim që të bëjnë presion në këtë fazë ku me të vërtetë është fazë shumë kritike dhe e rëndësishme për proceset në shtet edhe për neve si parti”, theksoi Azir Aliu, MSHIA.

Kryetari i ASH-së Arben Taravar thotë se këto janë lojëra të BDI-së.

“Lojë e BDI-së me disa anëtarë tonë që janë afruar me BDI-në”, u përgjigj Taravari.

Ministri Mexhiti thotë se vulat partiake dhe shumica e votave të kuvendarëve, janë te Taravari.

“Faktikisht Aleanca për Shqiptarët është një dhe e vetme. ASH ka organet e saja dhe e ka një dhe të vetmin legjitim, kryetarin e partisë, Arben Taravari. Vulat e partisë normal se janë te kryetari i partisë dhe shumica e nënshkrimeve të kuvendarëve janë për Arben Taravarin”, tha Famir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Nëse KM teknik Xhaferi e përcjell në Kuvend kërkesën e ASH-së për shkarkimin e dy ministrave, ajo duhet të marrë 61 vota deputetësh për të kaluar.

Naim Bajrami do të jetë propozimi i ri i ASH-së për ministër në MSHIA

Naim Bajrami do të jetë propozimi i Aleancës për Shqiptarët për ministër në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, përcjell TV21. Ministër aktual në MSHIA është Azir Aliu, i cili pas ndarjeve në ASH, u rreshtua në anën e kryetarit të partisë, Arben Taravari, përcjell TV21. Nga ASH dje përmes një komunikate njoftuan se Komisioni kadrovik i ASH-së vendosi t’i propozojë kryeministrit shkarkimin e dy ministrave që vijnë nga radhët e saj, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu dhe Ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Kujtojmë se shkarkimin e ministrave duhet ta bëjë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

A po i mbledh Taravari kuvendarët para Selës?

Nga faqja zyrtare në Facebook e Aleancës për Shqiptarët demantojnë se Kuvendi Qendror i partisë do të mbahet nesër në Kumanovë, përcjell TV21. Në Facebook është shpërndarë edhe mesazhi, që sipas ASH-së, u është dërguar disa kuvendarëve. E gjithë kjo ngjall dyshimet në atë se kreu i partisë, Arben Taravari ndoshta do të mbledh Kuvendin Qendror para mbledhjes së caktuar nga kryetari i KQ-së, Ziadin Sela, për ditën e shtunë. TV21 që nga mëngjesi ka kontaktuar kryetarin e partisë, Arben Taravari, por deri në publikimin e këtij informacioni, ai nuk i është përgjigjur pyetjeve tona./tv21.tv

Kalimi në opozitë i Aleancës për Shqiptarët përcillet me incidente

Partia Aleanca për Shqiptarët që konsiderohet me peshë për garën në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut, ka shkaktuar debat të gjerë politik, por së fundi edhe incidente pas ndarjes së saj në dy pjesë. Kryetari i partisë që është pjesë e Qeverisë teknike, Arben Taravari, është kërcënuar me një plumb pas vendimit për të kaluar në radhët e opozitës shqiptare.

Një pjesë tjetër e partisë e ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka paralajmëruar shkarkimin e Taravarit. Zhvillimet në këtë parti, nga analistët, vlerësohen si betejë e dy blloqeve tjera për forcimin e pozicioneve të tyre. Përplasjet në këtë parti u përshkallëzuan pas takimit që përfaqësues të opozitës shqiptare dhe Arben Taravari patën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

Kreu i partisë Aleanca për Shqiptarët (ASH), njëherësh kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka bërë thirrje për qetësi pas incidenteve që pasuan vendimin e tij për të dalë në bllokun opozitar shqiptar, me qëllim, siç thuhet, “sjelljen e ndryshimit politik te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”.

Taravari të hënën ka denoncuar në polici rastin e gjetjes së një plumbi të armës automatike në pragun e shtëpisë së tij në Gostivar. Ndërsa, mbrëmjen e së dielës, kur ai publikoi vendimin, u regjistrua edhe një rrahje mes zyrtarëve të kësaj partie në Tetovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut i ka konfirmuar këto incidente dhe ka nisur hetimet duke dërguar plumbin në ekspertizë, kurse për rrahjen në Tetovë ka marrë në pyetje dy persona dhe më pas rasti ka kaluar në procedurë të organeve të ndjekjes penale.

“Ju lutem për qetësi, urtësi. Edhe ata që mendojnë më ndryshe se ne, trajtoni si shokë sepse kemi qenë bashkë, dhe përsëri mund të jemi bashkë. Unë besoj se do të arrijmë t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet mes nesh, por qëndrimi i shumicës patjetër të respektohet”, ka thënë Taravari para mbështetësve të tij në Gostivar.

Aleanca për Shqiptarët, që është pjesë e Qeverisë teknike, është e ndarë në dy pjesë, njëra është për t’iu bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim, koalicion i partive opozitare, për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit. Pjesa tjetër është që të garojë e vetme në zgjedhje, apo edhe të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar – Fronti Evropian.

Kryetari i partisë, Arben Taravari, ka thënë se akti që ka ndodhur para shtëpisë së tij kishte për qëllim “frikësimin” dhe “zmbrapsjen” e tij nga vendimi për të kaluar me opozitën.

Por, pavarësisht kësaj, Taravari ka deklaruar se shqiptarët kanë nevojë për ndryshim dhe se nga kjo rrugë nuk do të heqë dorë.

“Besoj se kishte tendenca për të më frikësuar para shtëpisë sime, prandaj ju jeni këtu për të më mbështetur. Por, ta dini se nuk ka forcë që do të më ndalë, jo një plumb por çfarëdo që vjen para meje nuk ndalem. Drejtësia është me ne dhe më së shumti që ju duhet shqiptarëve në këtë periudhë është që ta sjellim ndryshimin te shqiptarët”, ka thënë Taravari.

Por, kundër vendimit të tij ka dalë një pjesë tjetër e organeve drejtuese të partisë, udhëhequr nga Ziadin Sela që drejton Kuvendin e ASH-së.

Veprimin e Taravarit Sela e ka quajtur “akt qyqar”, ndërsa për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku do të kërkohet llogari nga Taravari duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e tij nga drejtimi i Aleancës për Shqiptarët.

Zhvillimet në këtë parti pasuan një takim që Arben Taravari dhe drejtuesit e tri partive tjera opozitare të bashkuara në Lidhjen Evropiane për Ndryshim, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 30 janar.

Në këtë takim ishte biseduar për unifikimin e bllokut opozitar, si dhe mundësinë që të dilet me një kandidat shqiptar për president në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.

Lidhja Evropiane për Ndryshimin i ka ofruar Arben Taravarit që të jetë kandidat i saj për kreun e shtetit, ndërkohë opozita do ta ketë edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do të ketë edhe kandidatë në listat për deputet në zgjedhjet e 8 majit.

Qëllimi i krijimit të një Fronti të gjerë opozitar është fitorja ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila është në pushtet që nga viti 2002.

Kjo parti nuk i ka komentuar incidentet e fundit, por në opinion ka pasur kritika për, siç është thënë, “ndërhyrjen e Vetëvendosjes në Maqedoni”.

“Mirë bëjmë që të mos ndërhyjmë në punët politike të njëri-tjetrit, as unë në Kosovës e as ata në Maqedoni…Unë ju kam vëllezër të gjithëve, edhe Albinin e kam vëlla dhe nuk e ruaj shpinën nga askush. Unë e kam thënë në Tiranë dhe në Prishtinë, mos flisni pas shpine. Nëse s’ju pëlqen diçka, ta thoni publikisht”, ka thënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, për mediat në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se periudha deri në zgjedhjet parlamentare do të jetë e tensionuar duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike të përcjella edhe me incidente.

Shpëtim Pollozhani, njohës i rrethanave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë duhet ta kuptojnë se “rotacioni politik” nuk është edhe fundi i veprimit politik, andaj ato duhet të angazhohen për një garë zgjedhore demokratike dhe në fund ta lënë elektoratin të vendosë për ofertat, me të cilat partitë dalin në zgjedhje.

“Është dëshmuar se rotacioni është i shëndetshëm për demokracinë. Duhet të jemi të përgatitur edhe për skenar të këtillë, skenar dhune, por unë mendoj se do t’i thërrasin mendjes. Gara zgjedhore duhet të jetë vërtet demokratike, por duke marrë parasysh se shumë njerëz të pushtetit kanë qenë të dënuar për veprime jodemokratike, madje edhe kriminale, nuk shpresoj se do të jenë shumë demokratike, mirëpo duhet t’i lihet elektoratit që të vendosë”, thotë Pollozhani.

Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se tensione apo debate polemizuese është normale të ketë, por jo edhe incidente, pasi ato krijojnë efekt të kundërt te partitë politike.

“Është e qartë se do të ketë tensione politike, por me rëndësi të madhe është që ato tensione të jenë vetëm politike. Është normale të ketë tone të ashpra, debate polemizuese, qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, por nuk ka nevojë që ato tensione të dalin jashtë debateve apo të reflektohen në rrugë dhe kafene. Partitë duhet të jenë të vetëdijshme se incidentet e tilla mund të kenë vetëm efekt të kundërt për ata që edhe i shkaktojnë”, vlerëson Bozhinovski.

Sipas tij, debati që ka ngritur në opinion Aleanca për Shqiptarë flet për rëndësinë që ka ajo si “lojtar i tretë” në bllokun e partive politike shqiptare, edhe për faktin se BDI-ja në pushtet po udhëheq në sondazhet kundër opozitës së bashkuar, por jo aq bindëse si më parë.

Prandaj, sipas Bozhinovskit, animi i Aleancës për Shqiptarët kah njëri apo tjetri bllok politik mund të nënkuptojë se kush do të mund të jetë fitues i zgjedhjeve më 8 maj dhe rrjedhimisht të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut./REL

Aleanca për Shqiptarët në udhëkryq: Në Kumanovë sonte ose në Shkup nesër

Çfarë do të mbahet sonte në Kumanovë – vetëm takim konsultativ apo konfirmim formal nga kuvendi i partisë për mbështetjen e Arben Taravarit në përkushtimin e tij udhëheqës të Aleancës për Shqiptarët për t’iu bashkuar opozitës, Lidhja e Evropiane për Ndryshim, transmeton Portalb.mk.

“Në Kumanovë do të mbaj takim konsultativ me delegatët e Kuvendit të partisë”, tha Taravari për MIA.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, i cili mbështeti Taravarin në vendimin për ecurinë elektorale të ASh-së me partitë opozitare, në një intervistë për gazetën “Lajm” ka deklaruar se në Kumanovë duhet të konfirmohet mbështetja politike për kryetarin aktual Arben Taravari. Sipas deputetit, mbi 80 nënshkrimet e mbledhura nga delegatët e kuvendit të partisë nuk kanë qenë vetëm për thirrjen e Kuvendit, por edhe për thirrjen e Tavarit për përfshirjen e partisë në bllokun opozitar.

Ai beson se shumica e delegatëve do të jenë prezent në Kumanovë, që do të thotë se nuk do të ketë as kuorum në mbledhjen e asamblesë partiake të Aleancës të caktuar për të shtunën në Shkup, në të cilën u paralajmërua se Taravari do të mbajë përgjegjësi.

Mbledhje dhe takim

Nga ana tjetër, kundërshtarët e Taravarit informojnë opinionin se ajo që do të mbahet sonte në Kumanovë nuk është mbledhje partiake. Për të parandaluar dezinformatat, dje në faqen zyrtare të partisë në Facebook është publikuar një sqarim për anëtarësinë partiake dhe mediat.

“Përgjatë ditës së djeshme një pjesë e kuvendarëve kanë marrë porosi për TUBIM në qytetin e Kumanovës dhe më pas për TAKIM me z.Taravarin. Ajo që duam t’ju bëjmë me dije është që askush nuk duhet të bëhet pre e dezinformatave se mbahet Kuvendi i Partisë, sepse siç do të konkludoni vet edhe nga ftesa, bëhet fjalë për tubim dhe takim. Kuvendi i Partisë konform statutit të partisë është caktuar për të shtunën në resort Bushi ora 13.00”, thuhet në profilin zyrtar të partisë në Facebook.

Në axhendën e kreut të partisë Taravari, e shtuna (10 shkurt) është rezervuar për një tjetër aktivitet. Përveç tubimit të sotshëm në Kumanovë, Taravari në profilin e tij në Facebook ka paralajmëruar edhe një tubim në Gostivar për të shtunën, e tri ditë më vonë në Tetovë.

“Të takohemi dhe të themi faleminderit dhe…ndryshimi ka filluar”, ka thënë Taravari në postim.

E vështirë të kesh pozicion të dyfishtë

Ndryshimi filloi edhe te kuadrot e ASh-së në nivelet e pushtetit ekzekutiv. Pas shkarkimit të 6 shkurtit të dy drejtorëve që mbështesin Taravarin, Aleanca për Shqiptarët njoftoi se ka vendosur të propozojë kandidatë të rinj për ministra të Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informative dhe Administratës në vendin e Fatmir Mexhitit dhe Azir Aliut, të cilët mbetën ministra edhe në qeverinë teknike, dhe i dhanë mbështetje Taravarit.

Për ministër të Shëndetësisë u propozua Ilir Demiri, drejtor aktual i Spitalit Klinik në Tetovë, ndërsa për Ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Naim Bajrami, magjistër i Shkencave Politike

Sipas ekspertëve juridikë, kryeministri Xhaferi do të gjendet në pozitë të vështirë, duke qenë se në një situatë të përçarjes së brendshme në partinë partnere të koalicionit në Qeveri, do të duhet të “vlerësojë” nëse kërkesa për largimin e dy ministra janë pranuar nga një përfaqësues i autorizuar i partisë.

“Nëse një parti që është anëtare e Qeverisë kërkon që anëtarët e saj në Qeveri të zëvendësohen me të tjerë, natyrisht që ata në Kuvend do ta propozojnë atë”, tha kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në pyetje gazetarësh.

“Kjo ka ndodhur edhe nga partitë e tjera që kanë pasur përfaqësuesit e tyre në qeveri dhe më pas kanë propozuar përfaqësues të tjerë në qeveri. Kjo megjithatë ësht kërkesë e vetë partive politike”, tha Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i parë në qeverinë teknike, Bojan Mariçiq, beson se kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi, do të veprojë sipas indikacioneve politike.

“Çështja e propozimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Qeverisë është në kompetencë të kryeministrit, përkatësisht të mandatarit. Mandatari Talat Xhaferi propozoi përbërjen e Qeverisë, Kuvendi e mbështeti dhe që atëherë jemi anëtarë të Qeverisë me kryeministrin Xhaferi. Do të shohim lidhur me atë çfarë ka ardhur nga Aleanca. “Unë supozoj se kryeministri i qeverisë teknike Xhaferi do të veprojë sipas indikacioneve politike”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se “Aleanca për Shqiptarët është një partner i rëndësishëm në Qeveri dhe mendimet dhe propozimet e tyre duhet të dëgjohen”.

“Nëse Aleanca ka hyrë në qeverinë teknike sepse ka qenë pjesë e shumicës dhe ka mbajtur të njëjtat mandate, atëherë presim që të bëhet kështu. Nëse Aleanca apo një pjesë e Aleancës ka ndërruar mendje, kjo varet nga vendimet e brendshme partiake, do të duhet edhe të deklarohen. Është shumë e vështirë të mbash një pozicion të dyfishtë në të njëjtën kohë”, tha zëvendëskryeministri i parë.

Kujtojmë se përplasjet brenda partisë nisën kur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, vendosi që të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare, Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela i ka drejtuar akuza të rënda Taravarit, duke thënë se ai po mundohet që të përçajë partinë dhe se, në dy muajt e fundit nuk i ka thirrur organet e larta partiake, si dhe ka shtuar se, partisë nuk i duhet “kryetar rrjetesh sociale”. Sela, në konferencën e 3 shkurtit për shtyp kërkoi të shkarkohet Taravari pasi që sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë.