Ballina Aktualitet Mbi një mijë institucione nuk kanë dorëzuar të dhëna për veturat zyrtare...

Mbi një mijë institucione nuk kanë dorëzuar të dhëna për veturat zyrtare në përputhje me Kodin Zgjedhor

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) publikoi listën e institucioneve që nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar të dhëna për mjetet motorike që disponojnë, nuk kanë dorëzuar të dhëna as se nuk kanë automjete zyrtare, raporton Portalb.mk.

Fjala është për 1069 institucione, përfshirë Qytetin e Shkupit, Ministrinë e Sistemit Politik, Ministrinë e Mjedisit, Arsimit, Punëve të Jashtme, Drejtësisë, Financave, Transportit dhe Lidhjeve, një numër të madh të qendrave shëndetësore dhe komunave.

Në bazë të nenit 8-b paragrafit 2 të Kodit Zgjedhor, fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjitha personat e tjerë juridikë që kanë kapital shtetëror janë të detyruara që në afat prej dhjetë ditësh nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve t’i drejtohen KSHPK-së dhe të dorëzojnë të dhënat për numrin, llojin, targën dhe gjendjen e drejtimit të mjeteve motorike që disponojnë.

Në bazë të nenit 8-b paragrafi 5 të Kodit Zgjedhor, nëse nuk dorëzojnë të dhënat, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nis procedimin penal brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit për dorëzimin e të dhënave.

“Duke pasur parasysh se ka boshllëk ligjor, pra në Kodin Zgjedhor nuk parashikohen sanksione penale për mospërmbushje të detyrimit të deklaruar, KSHPK-ja nuk ka mundësi të iniciojë procedim penal mbi këtë bazë”, tha KSHPK.

Regjistrimi i veturave bëhet për të parandaluar keqpërdorimin e automjeteve zyrtare për qëllime partiake gjatë fushatës zgjedhore.

Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.