Ballina Top Lajm Qeveria kërkon ndërprerjen e punimeve ne stadiumin e Tetovës, Kasami: Ali, Artan...

Qeveria kërkon ndërprerjen e punimeve ne stadiumin e Tetovës, Kasami: Ali, Artan dhe Talat, stadiumi do ndërtohet!

Në mbledhjen e 22 të Qeverisë, kjo e fundit solli disa konkluzione në lidhje me zhvillimet rreth stadiumit të ri në Tetovë.

Sipas shqyrtimit, stadiumi i ri i futbollit, me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës që kjo e fundit ia ka dhënë stadiumin në shfrytëzim të përhershëm NP “Tetova transport”.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria arriti në konkluzione se vetëm kjo e fundit ka të drejtë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale.

Gjithashtu u mor vendim që të ndërpriten punimet në terren derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit, ndërkohë që Qeveria do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti.

“Është konstatuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit. Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të. Qeveria konkludoi gjithashtu se duhet të shqyrtohen bazat ligjore, sipas Kodit Penal, për fillimin e kallëzimit përkatës pranë organeve kompetente në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkaq ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili ka shkruar në facebook:

Ali, Artan dhe Talat, stadiumi do ndërtohet!
Pas shkatërrimit 8 vjeçar që ia bën tetovarëve, qeveria në ikje vazhdon edhe më tej të dëmtojë Tetovën dhe qytetarët e saj. Këtë here duke sjell vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e qytetit të Tetovës. Edhe njëherë dëshmuat se kush jeni ju, dëshmuat se vetëm dëm i keni bërë këtij vendi!
Ditët i keni të numëruara, me vendime të tilla nuk na ndaloni të punojmë për qytetarët tanë. Stadiumi do bëhet, pavarësisht se nuk ju vjen mirë juve, qeveria e punës po vjen, Tetova dhe gjithë qytetet e vendit do ndërtohen dhe zhvillohen siç iu ka hije!
Regjimi po ikën!