Glauk Konjufca ka thënë se i bashkohet urimit të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për fituesit e zgjedhjeve lokale në komunat shqiptare në Serbi.
Duke komentuar një përplasje të ministrit Aliu me kryeministrin Albin Kurti rreth zgjedhjeve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se ideja e Aliut ka qenë urimi i kujtdo që fiton zgjedhjet.
“Sa i përket Liburn Aliut, ai e ka shprehur qëndrimin e tij. Do të thotë ideja e tij është se kushdo që e merr legjitimitetin nga qytetarët, bashkëkombësit dhe vëllezërit e motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, është për t’u uruar dhe gjithkush që i ka fitu zgjedhjet atje, është për t’u uruar. Edhe unë i bashkohem atij urimi, për mua gjithkush që i ka fituar zgjedhjet atje e urojmë dhe jemi të hapur për bashkëpunim”, ka thënë Konjufca.
Të martën, në një deklarim për RTK-në, Aliu ka deklaruar se nuk ka qenë mirë që Qeveria e Kosovëa ka mbështetur vetëm një subjekt politik në zgjedhjet lokale në Luginë.
“Unë mendoj që nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik. Personalisht, pavarësisht se po të kisha të drejtën e votës në Preshevë mbase do e kisha votu Ardita Sinanin, prapëseprapë nga pozicioni i Prishtinës, duhet të jemi mjaft të kujdesshëm karshi qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për shkak se ata janë në situatë delikate dhe të ndjeshme”, ka deklaruar Aliu në emisionin Info plus në RTK.
Sipas Aliut, mbajtja e anës së një subjekti politik karshi të tjerave të lë më pak hapësirë të përçosh mesazhin e unitetit te këto subjekte.
Më tej, Aliu ka thënë se pozicionimi i Kurtit ka qenë gabim, pasi “ai shihet si kryeministër me të cilin qytetarët duan të bashkohen një ditë”.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Kurti, i cili ka thënë dje se si kryeministër i vendit dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, vendos se kënd ta mbështesë edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “e lëre më në Preshevë.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe merr vendimet në organet e veta. Ne kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, por kanë qenë dy blloqe dhe ne jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun që i ka prirë Shaip Kamberi, ku kanë qenë pesë parti. Por, ka qenë edhe një bllok me dy a tri parti tjera. Unë jam kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së. Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Europian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë”, është shprehur Kurti.
Në fund të muajit maj, kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.
Në tubimin e mbajtur në Prishtinë, të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi dhe kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani.