Ballina Aktualitet Berisha: Policia përdori gaz toksik dhe helmues ndaj protestuesve tek bashkia

Berisha: Policia përdori gaz toksik dhe helmues ndaj protestuesve tek bashkia

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi për protestën që është zhvilluar ditën e sotme para bashkisë së Tiranës. Berisha akuzoi policinë se përdori helme kundër demonstruesve. Berisha tha se me këtë akt, ata i shpallën luftë opozitës.

“…sot mercenarë, narkopolicë, narkobanditë të veshur me uniformë, përdorën helme kundër demonstruesve paqësorë. Sadistë dhe kriminelë përdorën gaze luftërash, të përdorura barbarisht 100 vite më parë.

Përdorën gaze toksike, gaze me pasoja dëmtime serioze në lëkurë, etj. Me këtë akt, ata i shpallën luftë opozitës. Ndaj dhe ftoj qytetarët dhe qytetaret t’i përgjigjen këtij akti kriminal me zemërim të pakufishëm, me revoltë të pakufishme, me mosbindje totale civile.

Ftoj shqiptarët të bashkohen në këtë betejë qytetare, betejë për jetën, ekzistencën e demokracisë dhe vetë kombit shqiptar në Shqipëri. Çdo ditë që kalon është ditë që rëndon mbi ndërgjegjen tonë qytetare. Është ditë që rëndon mbi supet e lodhura të këtij vendi të rraskapitur.

Është ditë që përzë nga orët e para të mëngjesit gjer natën vonë shqiptarët nga Shqipëria. Është ditë në të cilën bota e krimit e lidhur me Edi Ramën dhe qeveritarët, kafshon egërsisht qenien shqiptare – tha Berisha.

Më tej ai komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian, ku partitë e djathta fituan shumicën e vendeve. Berisha tha se në Shqipëri duhet që të krijohet një qeveri teknike si dhe të zhvillohen më pas zgjedhje të lira.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, dje ishte një ditë e madhe për Europën. Forcat e qendrës së djathtë dhe të djathta triumfuan në mbarë Europën. Sot, Partia Popullore Europiane u votëbesua nga qytetarët europianë për të mbajtur timonin e BE-së.

Qendra e djathtë evropiane doli dje nga zgjedhjet jo vetëm duke mbajtur pozicionet, por përkundrazi me një rritje të ndjeshme të përfaqësuesve të saj. Fitorja e djeshme e partive të qendrës së djathtë ka një rëndësi historike për BE-në, të ardhmen e tij, por edhe për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë.

Asgjë në botë nuk do mund të pengojë PD-në pa përmbushur misionin e saj historik, përmbysjen e diktaturës së Edi Ramës. Qeveri teknike, zgjedhje të lira”  – tha Berisha. ©LAPSI.al