Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Faton Hajrizi është monitoruar nga kamerat e sigurisë dhe se në fund është lokalizuar pas ndihmës së banorëve në afërsi të Lloznicës.
“Kemi nxjerrë një foto. Na ndihmoi një vendas sepse e njohu kur i kërkoi ujë. Vendasi udhëtoi dy kilometra për të informuar policinë. Netët pa gjumë janë pas nesh, vetëm një sakrificë e përbashkët nga të gjithë mund të japë rezultat”, tha Daçiq.
Ministri deklaroi se fshihej buzë lumit, duke kërkuar një rrugë për ta kaluar atë.
“Kur ka ardhur policia ka qëlluar, policia ka gjuajtur dy herë, ai ka nisur të vrapojë, ka gjuajtur nëntë plumba, e ka likuiduar policia, nuk e ka pasur në mendje të dorëzohet, është kriminel mizor dhe i pabesë, kjo është vrasja e pestë apo e gjashtë që e ka kryer”, pretendoi Daçiq.
Ai tha se ky është një rast ndërkombëtar.
Daçiq tha se do t’i kërkojë Gjermanisë ekstradimin e vëllait të Faton Hajrizit.
“Historia se ai i vodhi dokumentet nga vëllai i tij është gënjeshtër. Pse u kthye nëse ishte në Gjermani. Ai ia dërgoi dokumentet dhe ai është bashkëpunëtor. Ne nuk do të tregojmë mëshirë për askënd”, tha Daçiq.