Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se kanë nisur hetimet lidhur me një përleshje të ndodhur orët e para të mëngjesit së të enjtes pranë një klubi nate në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmoi se janë në pritje të të gjeturave të Policisë dhe do të veprojnë konform dispozitave ligjore dhe i njëjti deklaroi se dyshohet që në këtë rast, i përfshirë ishte edhe një këngëtar.
“Është iniciuar rast për këtë çështje. Policia është në fazën e grumbullimit të provave. Jemi në pritje për të gjeturat e Policisë. Prokurori i shtetit pasi të marrë të gjeturat e policisë, do veproj komform dispozitave ligjore”, konfirmoi Nikçi për “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se hetuesit policorë po punojnë në identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në rast. Ndërsa, bëri të ditur se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Pejës.
“Rreth orës 3:37 stacioni policor në Pejë është njoftuar nga spitali rajonal i Pejës se kanë pranuar dy persona të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me viktimat dhe të njëjtit kanë deklaruar se deri sa kanë qenë në një diskotekë, janë sulmuar nga persona të panjohur të cilët u kanë shkaktuar lëndime trupore dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, konfirmoi Gashi.
Zëdhënësi bëri të ditur se rasti është në fazë të hetimeve, ndërsa theksoi se dyshohen që të përfshirë në rrahje ishin rreth 8 persona.
“Rasti është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të japim emra, kanë qenë 7-8 persona që janë përfshirë në rrahje dhe janë të dyshuar por ende është herët për të dhënë konstatime, policia po punon për me i identifiku të dyshuarit. Deri më tash nuk kemi asnjë të arrestuar”, shtoi Gashi.
Sot gjatë ditës “Sinjali” kishte raportuar se Noizy është përfshirë në një sherr me personazhin e TikTok, Medi Iseni.
Sipas raportimit, reperi dhe 7 shokë të tij kanë sulmuar me doreza hekuri Medi Isenin dhe Bekim Hardergjonaj brenda një klub nate në Pejë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa ende nuk dihet arsyeja pse dy grupet janë përfshirë në sherr në klubin e natës.
Personazhi i TikTok dhe shoku i tij, Bekim Hardergjonaj raportohet se janë dërguar në spital ku po marrin ndihmë mjekësore, por nuk dihet gjendja e tyre.
Noizy dhe Medi Iseni janë përfshirë në konflikt edhe rreth dy vite më parë. Ngjarja ndodhi gjatë një koncerit të reperit,ku fansat e tij dhunuan duke qëlluar me grushte Medi Isenin.
“Më rrahën dhe më nxorën nga klubi, çfarë të bëj tani”, tha ai, ndërsa pamjet e momentit u bënë virale.
Medi Iseni është shoku i Kozakut dhe ka pasur përplasje e ofendime me reperin Noizy.