Koalicioni VLEN përmes një komunikate me shkrim ka reaguar lidhur me arrestimin e një personi që është bërë ditë më parë në fshatin Bogovinë të Tetovës, për të cilin pretendon se është kryetari i degës së ASH-së, krahu i Ziadin Selës, në Bogovnë.
“Kur moralistët e rremë përpiqen të shesin ndershmëri, maskat e tyre bien! Derisa deputetët e Ziadin Selës janë të zëshëm në Kuvend për gjoja dislocimin e kazinove, në Bogovinë është kapur në flagrancë dhe arrestuar kryetari i degës së tyre, Safet Miftari, njëherit edhe zëvendësdrejtor i Pyjeve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN. Ky është një skandal i paparë, ku një funksionar i lartë i Frontit Europian organizon lojëra të paligjshme online”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Ky veprim, sipas VLEN-it, jo vetëm që përbën shkelje të rëndë të ligjit, por tregon
qartë se familjet, për të cilat partia e tij pretendon se po i mbron, në fakt janë viktima të aktiviteteve kriminale të mbështetura nga udhëheqësit e tyre.
“Ja pse deputetët opozitarë të Ahmetit dhe Selës nuk e mbështetën kërkesën për interpretim autentik të ligjit për lojërat e fatit të propozuar nga VLEN, që kishte për qëllim heqjen e lojërave të fatit nga shtëpitë. Sepse ata mbrojnë kuadrot e tyre, të zhytur deri në fyt në marrëveshje kriminale të lidhura me bixhozin.
Qytetarët të jenë të qetë. Interpretimi autentik është hapi i parë i planit të koalicionit VLEN për t’u përballur me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit. Së shpejti, do të merremi edhe me krimin e bërë përmes vendimeve të qeverisë së kaluar dhe ish-udhëheqësve të Lotarisë Shtetërore. Brenda një afati të arsyeshëm, do të ketë edhe një ligj të ri për lojërat e
fatit, me të cilin do të zvogëlohet numri i kazinove për të paktën për gjysmë.
Pas një skandali të tillë, Fronti Europian humb të drejtën të flasë për çdo çështje që lidhet me përballjen me bixhozin, sepse vetë ata janë shkaktarët e pasojave të rënda për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, me qëllimin e vetëm për të mbushur xhirollogaritë e tyre me fitime nga bixhozi i paligjshëm.