Përditësim 9.10.2024 (Update) – MPB: Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se nëna dhe fëmija në Sllatinë kanë vdekur nga helmimi
Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e ngjarjes në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku dje janë gjetur pa shenja jete nëna dhe fëmija.
Gjetjet fillestare nga autopsia, të njoftuara sot nga MPB, tregojnë për helmim si shkak të mundshëm të vdekjes së personave, andaj nga të ndjerit janë marrë mostra për analiza shtesë toksikologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit.
– Tek të ndjerat nuk janë konstatuar gjurmë të tjera dhune. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës nga anëtarët e tjerë të familjes – babai dhe një fëmijë tjetër, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe te ata. Po ndërmerren masa të tjera për zbardhjen e plotë të rastit, njofton MPB, transmeton Tetova News.
Tetova News mëson se varret janë bërë gati në fshatin Sllatinë, por varrimi është shtyrë, ndërsa familjarët nga prindërit e gruas së ndjerë do të hapin të pame në Qendrën e Vjetër Tregtare në Tetovë.
Nuk ka shenja dhune në trupat e nënës dhe vajzës katërvjeçare të gjetura të vdekura në Sllatinë të Tetovës
Një grua 36-vjeçare dhe vajza e saj janë gjetur pa shenja jete në fshatin Sllatinë të Tetovës, njofton SPB-Tetovë, ndërsa bashkëshorti i saj është ndaluar nga policia pas ndihmës mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës.
Tv Telma mëson jozyrtarisht se bëhet fjalë për një familje që ka jetuar në kushte shumë të vështira dhe burri e gruaja janë persona me nevoja të veçanta. Vajza ishte katër vjeç.
“Sot (8 tetor), rreth orës 14:00, në SPB Tetovë, T.J. nga Tearca, në cilësinë e mjekut ka raportuar se është thirrur për intervenim në fshatin Sllatinë nga personi me inicialet M.Z. nga Sllatina e Tetovës, e cila në shtëpinë e tyre familjare ka gjetur pa shenja jete vajzën e saj me inicialet K.Sh (36) dhe mbesën e saj të vogël, ku është konstatuar vdekja. Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për autopsi, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të moshës jomadhore, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, thonë nga SPB-Tetovë.
Mësojmë se kur gjyshja kishte ardhur në shtëpinë e tyre, 50-vjeçari R.Sh., bashkëshorti i të ndjerës, nuk ndodhej në shtëpi dhe trupat e nënës dhe vajzës ishin pa gjurmë dhune dhe ndodheshin të shtrirë në krevate të ndryshme.
Autopsia duhet të tregojë shkakun e vdekjes, nëse mund të jetë një vdekje e dhunshme, apo ndoshta, siç spekulohet në opinionin tetovar, shkaku i vdekjes është helmimi.
Policia menjëherë ka rrethuar vendin ku ekipi i SPB – Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer hetime dhe me urdhër të prokurorit trupat e të ndjerave janë dorëzuar për autopsi.
“Burri i saj, 50-vjeçari R.Sh. së bashku me djalin e tij të moshës jimadhore janë transferuar në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore dhe më pas personi R.Š. është dërguar në stacionin policor për veprime të mëtutjeshme”, njofton SPB Tetovë./TN