Ballina Aktualitet Mickoski: Do të ishte naivitet të paraqisnim propozimin për ndryshime kushtetuese në...

Mickoski: Do të ishte naivitet të paraqisnim propozimin për ndryshime kushtetuese në Kuvend përpara se të formohet qeveria në Bullgari

Kryeministri Hristijan Mickoski ka konsideruar se do të ishte naivitet që para se të formohet Qeveria në Bullgarinë fqinje, të dorëzohet propozim me efekt të vonuar në Kuvend për ndryshimet kushtetuese . Një veprim i tillë i njëanshëm, vlerësoi kryeministri, do të nënkuptonte një kërcënim të plotë për integrimin evropian të vendit, i cili, sipas tij, kërcënohet tashmë nga aventurat e qeverisë së paraprake, transmeton Portalb.mk.

Për të bërë një hap përpara, tha Mickoski, fillimisht duhet të marrim ndonjë sinjal.

“Me siguri nuk do të hyjmë në asnjë aventurë, përndryshe do ta kishim bërë shumë më shpejt nëse do të ishim fillestarë në këtë punë. Ne nuk jemi as Bujar Osmani, as Mariçiq, as Kovaçevski që të jemi naivë dhe t’u besojmë interesave të palëve të treta. Interesi ynë janë qytetarët e Maqedonisë, shteti dhe proceset integruese evropiane dhe këtu jemi në vijën e parë dhe do të mbrojmë dhe luftojmë për ta”, tha kryeministri, duke shtuar se qëllimi është që Maqedonia një ditë të jetë pjesë e familjes së BE-së.

Duke folur për integrimet evropiane, për sa i përket kërkesave të mëtejshme potenciale në rrugën drejt Bashkimit Evropian, kryeministri tha se nuk do të bëhet asnjë hap i vetëm pa një fund të dukshëm. Do të bëjmë lëvizje, thotë Mickoski, vetëm kur ta shohim qartë fundin, përndryshe nuk do të bëjmë asgjë.

“Shpesh më thonë se këto janë situata në të cilat duhet të gjejmë një zgjidhje “win-win”. Ne nuk mund të gjejmë një zgjidhje të favorshme. Dy nuk mund të fitojnë. Këtu do të jetë “lose-lose”, të gjithë kanë diçka për të humbur. Por siç është paramenduar propozimi francez, ne humbasim gjithçka dhe nuk fitojmë asgjë. Ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në proces dhe pas gjashtë muajsh, një viti, dy ose tre përsëri ndonjë çështje nga mesjeta do të jetë një pengesë që ne të mund të hyjmë në shekullin e 22-të. Nuk do ta lejoj këtë sa të jem kryeministër. Kur të vijnë mediokritetet dhe ekzibicionistë, siç kemi pasur shtatë vitet e fundit në politikë, ndoshta do të pranonin gjithçka në kurriz të xhepave të tyre më të thellë privatë”, shtoi Mickoski.

Ai bëri thirrje për bashkim të gjerë në emër të përmbushjes së qëllimit strategjik të vendit – anëtarësimit në BE.

“Ne kemi  plan të qartë dhe një strategji të qartë që po ndjekim. Planin tim e shpjegova në Berlin, në Bruksel dhe në takimin e fundit që pata me Presidenten e KE-së. Një plan i qartë për të bërë. Ne duhet të mbrojmë atë që e shitën të mëparshmit”, tha kryeministri.

Kujtojmë se kryetarja e KE-së gjatë vizitës në Shkup tha se Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese që të mund të ecë përpara në rrugën e saj eurointegruese.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.