Ballina Aktualitet Ndahet nga jeta ish-ministri dhe ish-deputeti i BDI-së (FOTO)

Ndahet nga jeta ish-ministri dhe ish-deputeti i BDI-së (FOTO)

Ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare Tahir Hani, ish-funksionar i lartë i BDI-së.

Tahir Hani lindi më 15 dhjetor 1961, në fshatin Veleshtë të Strugës. Ai i përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës.

Karriera Politike:

Kryetar i Komunës së Veleshtës (2001-2005): Para se të angazhohej në politikën kombëtare, Hani ka shërbyer si kryetar i komunës së Veleshtës, ku fitoi përvojë në qeverisjen lokale.
Deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut (2006-2011): Hani u zgjodh si deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku shërbeu për dy mandate radhazi nga viti 2006 deri në vitin 2011.
Ministër i Qeverisjes Lokale (2013-2014): Në vitin 2013, Hani u emërua Ministër i Qeverisjes Lokale, ku shërbeu deri në vitin 2014, duke mbikëqyrur çështjet që lidhen me qeverisjen lokale dhe menaxhimin e pushtetit vendor.
Zëvendësministër i Transportit dhe Komunikimeve (2011-2013): Po ashtu, Hani ka shërbyer si Zëvendësministër i Transportit dhe Komunikimeve gjatë periudhës 2011-2013.

Tahir, herët na le more burrë.
U mërzita fort për Tahir Hanin, veprimtarin e ditëve të para të rezistencës kombëtare dhe patriotin e pa shoq.
Tahiri tërë jetën ia kushtoi kombit shqiptar dhe punoi çdo ditë pa e kursyer vetën për ta parë kombin tonë në rrugë të drejtë.
Familja dhe shokët të janë krenarë për Tahirin, për jetën dhe veprën e tij, për emrin dhe shembullin që po lë pas vetes.
Ngushëllime familjes, miqve, të gjithë neve për këtë humbje të parakoheshme të një patrioti të dergjur burgjeve jugosllave.
Cimo, do të të kujtoj përherë, pastë dritë shpirti yt!

Sot është ndarë nga jeta veprimtari dhe politikani më i urtë ndër ne, Tahir Hani, njeriu i orës kombëtare.
E njoha si ish-të burgosur politik, si kryetar komune, drejtor, zëvendësministër, ministër, deputet, koordinator dhe së fundi si zëvendëssekretar i Qeverisë. Jeta politike disa herë na kishte bashkuar e ndarë, por ajo kombëtare na gjente gjithmonë në të njëjtën anë.
Tahiri do të mbahet mend si një luftëtar i çmuar që nuk zmbrapsej asnjëherë, edhe kur i ngadalësonin hapin, e kundërshtonin apo e pengonin. Ai ishte një opozitar i urtë dhe shembullor, por i tillë ishte edhe si pushtetar. Arroganca, agresiviteti dhe inati – vese të politikës ballkanike e shqiptare – nuk gjetën kurrë vend në të, dhe kjo e bën atë të rrallë ndër ne.
Unë e njoha nga afër dhe ai la një gjurmë të pashlyeshme në mua. Në vitin 2013, në raundin e dytë dhe të tretë të zgjedhjeve lokale në Strugë, ai ishte kokë e këmbë i angazhuar që ajo komunë të vazhdonte të fliste shqip dhe të mbështeste një oponent politik me të cilin ai kishte pasur shumë debate. Tahiri ndihmoi në zonën më të nxehtë, atë të fshatrave Oktisi, Podgorcë e Labunishtë. Ai ishte i vetmi që shmangu tragjedinë dhe përplasjen me policinë e paramilitarët në fshatin Vranisht në atë kohë.
Pas atij viti, jeta na takonte më shpesh, ndanim mendimet dhe idetë tona, biles humori i jepte drejtim bisedave kur ngecnim e nuk gjenim dalje si ta bejmë më mirë, por une i jam mirënjohës dhe falemnderues që nuk mungoj edhe në momentet e vështira për mua dhe familjen time.
Rrugëtimi ynë politikë na gjeti gjatë këtyre dy viteve të fundit në të njëjtën anë të istikameve politike dhe kombëtare.
E kam thënë për së gjalli të tij dhe e rithem edhe tani, që Tahiri nuk është më mes nesh: Unë pata nderin, mundësinë dhe krenarinë të punoja e bashkëpunoja me të.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe shokët e tij.
Lavdi Tahir Hanit!
Zoti e shpërbleftë me Xhenet!

Tahir Hani ndërroi jetë, duke lënë pas një boshllëk te ata që e njohën.
Ai ishte një njeri me parime të forta dhe një luftëtar për drejtësinë e komunitetit të tij. Për mua, kujtimet me të ndahen në dy momente të veçanta: takimin tonë të parë dhe bisedën e fundit.
Takimi ynë i parë ishte gjatë kohës kur Tahiri ishte kryetar i komunës së Veleshtës. Në atë kohë, ai ishte përfshirë thellësisht në luftën kundër prostitucionit që po shfaqej në disa nga fshatrat tona. Si gazetar për gazetën “Fakti”, isha krah tij në këtë mision. Së bashku bëmë një fushatë të guximshme që çoi deri në mbylljen e të gjitha shtëpive publike në Maqedoninë Perëndimore.
Ai nuk ishte një njeri që ndalej përpara asgjëje kur bëhej fjalë për të mbrojtur dinjitetin e njerëzve të tij.
Kujtimi i fundit me Tahirin ishte në mars të këtij viti, kur për herë të parë pas shtatë vitesh debati, propozim-ligji për përkrahjen e mediave të shkruara arriti në Qeveri. Tahiri ngriti shqetësimin e tij për faktin se ligji ishte paraqitur vetëm në gjuhën maqedone, duke injoruar gjuhën shqipe. Fillimisht, nervoza më përfshiu, sepse po kapnim afatet e fundit për miratimin e tij. Por kur mësova se ky ishte parimi i tij – se gjatë kohës që kishte shërbyer si zv.sekretar i Qeverisë, nuk kishte lejuar të kalonte asnjë dokument vetëm në maqedonisht – ndjeva respektin e thellë për të. Ky ishte Tahiri, një njeri që nuk lëkundej nga besimet e tij.
Sot, Tahiri është atje ku një ditë të gjithë ne do të shkojmë. Zoti e mëshiroftë dhe familjes së tij i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta.

Paska ndruar jetë Tahir Hani, një lajm pikëllues dhe i dhimbshëm për familjen dhe miqtë e tij. Kam patur rastin ta njoh nga afër Tahirin si zv Sekretar i Qeverisë, ku e mësova sëmundjen e tij të rëndë, ku krahas saj ai e ushtronte funksionin e tij me dinjitet dhe përkushtim. Gjithashtu më herët kisha dëgjuar për veprimtarinë e tij politike dhe kombëtare, dhe mund të them se Tahiri bënte pjesë tek ata njerëz me bagazh të madh kombëtar e intelektual e që të mbjellte mirësi e respekt, përtej bindjeve të ndryshme politike. Ngushëllime, familjes, miqëve dhe kolëgëve të tij!

Miq,shokë dhe dashamirë.
Sapo mora një lajm të trishtë dhe shum të dhimbshëm;
Para pak çastesh ka ndërruar jetë shoku jonë Tahir Hani.
Personalitet me shumë vlera kombëtare dhe patriotike.
Varrimi bëhet nesër(e premte) më 15h në Veleshtë./Garip Kaba