Ballina Aktualitet Kultura TRI FJALË, TRE FLORIJ (Prozë popullore nga Drenica)

TRI FJALË, TRE FLORIJ (Prozë popullore nga Drenica)

Ish kanë ‘i fukarê e ish martue diqysh qysh kish mujtë. Kur martohet, fiket krejt. I thot ni ditë grues:
– Du me dalë me shkue me fitue.
Çohet e shkon n’gyrbet n’ni vên t’largët. Hajt hajt, punon nja nizet vjet e fiton tri lira. Kthehet e vjen pej shpije. Kah vjen pej shpije e gjanë ni plak n’udhë. I thot ati plakut:
– Plak, me m’kallxue diçka.
Po, une, more mixhë, t’kallxoj, po ni fjalë – ni lirë.
Djali mênon a me ja dhanë ni lirë për ni fjalë, e dikur e danë mênen e ja jep ni lirë. Plaku flet:
– Ku ka gra vejushka e nuk ka mashkuj, aty mos me hi.
Djali mênon me vedi: „Une qekaq vjet jam dalë n’gyrbet kishe me fitue diçka, e qè ku m’shkoi ni lirë. Plaku e pveti:
– A po do me t’kallxue edhe ma?
Djali nalet e kujtohet e dikur e danë mênen me e nigue edhe ni fjalë. Foli plaku:

– Ku âsht uji trubull e qi â rritë, aty mos i bjer.
Nxjerr djali edhe lirën e dytë e ja jep, e po menon me vedi:” Haj mjeri û i mjeri! Qekaq vjet qi punova, tri lira i fitova e qè, m’shkuen dy lira. Dikur e dau me ja dhanë edhe lirën e mramë qi i kish metë. Ja dha plakut lirën e i tha me ja kallxue edhe ‘i fjalë. Plaku foli:
– Sabër duhet me ba. Sabri e ka selametin.
Dikur u ndanë e djali muer rrugën vetun. Hajt hajt, tuj shkue, u zatet n’ni uj t’madh. Po matet me i ra ujit. Dikur thot:
– Po une e kum dhanë ni lirë për ni fjalë:,,Ku ka uj trubull mos me i ra:” Nuk i ra ujit e e muer rrugën stomit ujit. Kah shkon stomit ujit, e sheh ni kali n’uji. Kali ish kanë me shalë e me ni pal duqi t’safjant. Del n’kit anë kali. Kur del n’kit anë, ky e kap kalin, i hip e tfillon.
Kur vjen n’at katun, avytet n’do dyer e thrret. Aty del ni grue e e shtjen mrêna. I merr ky njeri duqit e grueja ja merr kalin e ja çon n’ahër. Kur rrin çka rrin aty, vjen grueja apet e ky e vet:
– Ku janë burrat? A jan ardhë a hala jo?
– S’kena burra hiç, –
– A hiç s’keni burra a?
– Jo, hiç.
– Shko bima kalin se s’e kam mênen me nejtë.
– Rri – i thot grueja – zjerm po t’baj, buk po t’bje.

Jo, s’muj me nejtë kurrqysh, – thot djali e çohet.

Grueja ja bje kalin. Djali i merr duqit, i ngarkon e niset për udhë. Kur del pej atyhit, shkon e cokat n’ni shpi n’ni tjetër mahallë t’ati katuni. Ja çelin derën e e shtien mrêna. Ky i hjek duqit e i shtjen mrena, e kalin ja marrin e ja çojnë tu shpija. Rrin aty çka rrin, han darkë e mas darke çohet ni djalë i shpisë e del përjashta. Kur kthen prap mrêna, kallxon:
– Valla krisën do pushkë n’fila’ vên, tu ato gratë vejushka.

Djalit i bjen n’mên qi âsht kanë n’at shpi e po thot me vedi:,,Mirë u ba qi dola une pej atyhit se m’kish zanë sherri me pas nejtë tu vejushkat. Mirë e paska pasë plaku qi m’tha mos me nêjë n’shpi ku s’ka mashkuj”.
Flen at natë djali aty e çohet natjet. Ja qesin kalin. Djali i kap duqit e vet, e kap kalin, i hip e tfillon e merr rrugën. Kur del n’gjysë t’udhës thot:
– Une kit kali e gjeta edhe kta duqi n’kali. Pse s’i kqyri ni herë me pa çka ka n’ta?
Merr e i çel duqit. Kur i çel, duqit plot dukat. Merr e i mshel apet, i përthekon duqit e ec gjith ditën. Dikur mrrin n’shpi t’vetën n’gjysë t’natës. Shkon hin mrêna, e dhez ni dritë. Kur hin n’sobë, e shef t’shoqen ratë, edhe ni djalë ish kanë ratë me tâ. Ky edhe kujton âsht ardhë naj burrë e âsht ra me grue. E nxjerr thikën me i ra. Kur e nxjerr thikën me i ra, i bjen n’mên edhe thot:
– Po une ni lirë e kam dhanë për at fjalë qi ma tha plaku:,,Sabër me ba se sabri e ka selametin”.

Kthehet e del përjashta. Kur del përjashta cokat n’derë. Del e shoqja edhe e pvet:
– Kush je ti?
– Une jam burri yt.
– Jo, more, burri jem s’je. Burri jem qè kaq vjet â dalë.
– Dil përjashta, nimom e merrma qit kali se une jam.
Dikur duel grueja e ja muer kalin. Ai i muer duqit e i shtini mrena. Kur i shtini mrêna, erdh edhe grueja e hini n’odë. Po i thot t’shoqes:
– Kush âsht ky burrë qi âsht ktu n’sobë?

– Djali yt âsht, ja kthei grueja. – Kur je dalë ti me shkue me fitue, m’ki lanë me yzër. M’ka le djali, â rritë e shyqyr tash ti erdhe.
Burri ja kallxoi t’shoqes dukàt’ qi i kish n’dueq t’safjant e të tre rrnuen si â ma mirë sa ken gjallë.

Nga

Anton Çetta

Prozë popullore nga Drenica – 1