Ballina Kronika Humbi jetën në ditën e parë të punës, Samueli sapo ishte bërë...

Humbi jetën në ditën e parë të punës, Samueli sapo ishte bërë baba! Flet mes lotësh vjehrra e 18-vjeçarit shqiptar: Vajza ime është shkatërruar

Tre të rinj, mes tyre dhe një 18-vjeçar shqiptar i identifikuar si Samuel Tafciu, kanë humbur jetën pas një shpërthimi të ndodhur mëngjesin e djeshëm në një fabrikë fishekzjarresh në Itali.

Mediat vendase raportojnë se të rinjtë ishin në ditën e tyre të parë të punës.

Nga shpërthimi humbi jetën Tafciu dhe binjaket Sara dhe Aurora Esposito, 26 vjeçe.

Magazina, një fabrikë ilegale, ishte ngritur gjatë fundjavës dhe nuk kishte marrë asnjë autorizim nga organet kompetente.

Samueli ishte bërë baba vetëm 4 muaj më parë.

Me origjinë shqiptare, prej vitesh ndodhej në Itali dhe jetonte në Ponticelli me gruan e tij 17-vjeçare në shtëpinë e vjehrrës. Dje ishte dita e tij e parë e punës në fabrikë dhe, për fat të keq, edhe e fundit e jetës së tij.

Vjehrra e tij, Anna Campagna, ka folur për mediat italiane lidhur me tragjedinë.

“Policia na thirri dhe ne vrapuam këtu menjëherë. Samueli ishte dhëndri im, i martuar me vajzën time 17-vjeçare. Ata kanë një vajzë 4 muajshe dhe ai punonte për të dhe gruan e tij . Ai ishte një djalë punëtor. Ai kishte 10 vite në Itali dhe i kishte të gjitha kartat në rregull. Ai u dogj i gjallë, ishte dita e parë e punës ”, tha mes britmave dhe lotëve zonja Anna, vjehrra e viktimës, siç raporton Il Mattino.

“Mbesa ime do të rritet pa babanë e saj dhe vajza ime, e cila është vetëm 17 vjeçe, tashmë ka një jetë të shkatërruar ”.

“Dy vajzat e vdekura ishin gjithashtu nëna beqare, që punonin për fëmijët e tyre të vegjël. Dhëndri im na telefonoi në orën 13:00, na tha se po hain një sanduiç. Pastaj një orë më vonë ndodhi tragjedia. Tre familje të shkatërruara, kush do të na i kthejë fëmijët?”, përfundoi ajo./vizionplus.tv