Një operacion i madh është zhvilluar nga policia greke këtë të hënë për ekzekutimin e dhjetëra urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria për një grup kriminal të përfshirë në tentativë vrasjeje, shkatërrim prone me eksploziv, shkatërrim prone me zjarr, plagosje, si dhe çështje droge e armësh.
Sipas mediave greke, në pranga kanë rënë 23 persona, ndërkohë që operacioni vijon.
Grupi kriminal drejtohej nga një personazh që ndodhet në burg. Mes të arrestuarve ka edhe shtetas shqiptarë, njëri prej të cilëve, aktualisht i burgosur, është përfshirë në një skandal të kohëve të fundit, ku ai kishte lidhje me efektivë të burgut të Janinës dhe kryente veprimtari të paligjshme aty.