Ballina Top Lajm Xhindi. Figurë në mitologjinë shqiptare. Kjo qenie e mbinatyrshme, xhind, nga turqishtja...

Xhindi. Figurë në mitologjinë shqiptare. Kjo qenie e mbinatyrshme, xhind, nga turqishtja cin dhe e lidhur me greqishten e sotme Tà Toívia, haset edhe në folklorin arab e oriental

Xhindi. Figurë në mitologjinë shqiptare. Kjo qenie e mbinatyrshme, xhind, nga turq. cin dhe e lidhur me gr. e sot. Tà Toívia, haset edhe në folklorin arab e oriental. Mund të marrë të dyja trajtat, të njeriut e të kafshës. Xhindet fillimisht janë hije të të vdekurve që nuk kanë gjetur prehje në varr për shkak të mëkateve që kanë kryer më parë ose sepse kanë qenë fyer. Thuhet se dalin natën dhe pushtojnë personin që i ka fyer, e nga kjo vjen shprehja “e zunë xhindet,” dmth. shkalloi, u marros. Xhindet nuk mund të shihen me sy në rrethana normale, ndonëse njerëzit e shenjtë nganjëherë e dijnë se ku mund të gjenden. Prania e tyre shpesh lajmërohet me kërcitjen e derës ose me dridhjen e flakës së qiriut. Nganjëherë xhindet pushtojnë një shtëpi të tërë dhe, që prej atij çasti, askush nuk mund të jetojë më aty. Xhindet mund të kundërpërgjigjen në mënyrë shumë agresive në se dikush i shqetëson gjatë festave të tyre, ua shkel fëmijët ose u hedh mbi krye ujë të nxehtë nga dritaret.

Në përrallat popullore shqiptare, xhindet jetojnë ose mbi tokë ose në mbretërinë e tyre të botës së nëndheshme. Ata mund të martohen e të bëjnë fëmijë dhe të kenë mbretin e tyre. Ata gjithashtu kanë festat e të kremtet e tyre, ndër to synetin. Në një përrallë nga krahina e Tomorit, dymbëdhjetë xhinde jetonin në një pus me nënën e tyre. Qerosi, i cili zbriti në pus, i vrau dhe, si përfundim, liroi dymbëdhjetë vashat që ishin burgosur prej tyre. Xhindet janë meshkuj e femra, si dhe myslimanë, të krishterë e çifutë. Shumë syresh kanë aftësi magjike për të bërë të mira. Në përrallën Arap Uzengjia, djali i mbretit të njerëzve bie në dashuri me vajzën e mbretit të xhindeve. Ja një fragment:

Kohët kaluan dhe djali mbushi njëzet vjeç. I pëlqente të dilte për gjah hipur në kalë. Një ditë humbi rrugën dhe u gjend para një lumi të madh sa Vjosa. Kur po kalonte kaluar anës lumit, pa në anën tjetër një vajzë të bukur që kishte dalë gjithashtu për gjah bashkë me shërbëtorët e me langonjtë. Vajza ishte e bija e një mbreti, kurse mbreti ishte mbret i xhindëve. Prandaj ajo ishte vajzë xhindi e jo krijesë njerëzore.

Kur e pa vajzën e bukur, djali ra në dashuri me të dhe zuri të kthehej ditë për ditë në po atë vend për ta parë. Një ditë nuk duroi më. I nguli mamuzet kalit dhe ai u hodh e kapërceu lumin matanë. Pastaj iu afrua vajzës dhe i foli. Vajza e pyeti, “Ç’do këtu në tokën time?” “Dua të të bëj një pyetje,” iu përgjigj djaloshi, “po digjem për ty. A më do apo jo?” Vajza e vështroi djaloshin e bukur dhe ra në dashuri me të, e aty për aty i tha, “Unë të dua pesë herë më shumë se ç’më do ti mua, por, për shkak të familjeve tona, është punë që s’bëhet. Yt atë është mbret dhe im atë është mbret, por yt atë është mbret njerëzish, kurse im atë është mbret xhindësh. Punë që s’bëhet. “Po ç’mund të bëjmë që të rrimë bashkë?” iu lut djaloshi, “sepse unë nuk rri dot pa ty.
Vajza nxori nga xhepi një fetë bukë të thekur dhe i tha djaloshit, “Merr këtë copë bukë të thekur dhe kthehu në shtëpi. Kur të mbërrish atje, hiqu sikur je i sëmurë për vdekje dhe mos fut në gojë për të ngrënë asgjë nga ato që do të japin. Kur të mos kesh njeri pranë, ha këtë copë bukë. Pastaj ata do të të pyesin çfarë dëshiron. Sa herë që të pyesin, thuaju se nuk do asgjë. Në fund, ata do të të pyesin: A nuk do të kesh një të fejuar? Ti vetëm lësho një psherëtimë të thellë dhe ata do ta kuptojnë se ke rënë në dashuri me mua, por se ne nuk mund të rrimë bashkë.” Pastaj të dy u ndanë.

Djaloshi u kthye në shtëpi dhe ra si i sëmurë. Ata i sollën për të ngrënë, por djaloshi nuk zuri gjë me dorë. Mbreti u çoi fjalë të gjithë doktorëve, sepse e kishte djalë të vetëm, që nuk ia gjeje shokun. Por sado që u munduan, doktorët nuk e gjetën ç’kishte djali.

Ndërkaq, njëri prej barinjve të mbretit ishte rrugës duke ardhur në pallat për t’i sjellë mbretit një qingj, kurse një kopshtar ishte edhe ai rrugës për t’i sjellë mbretit një pjepër. Të dy u poqën në udhë dhe e pyetën njëi-tjetrin ku po shkonin. “Po shkoj te mbreti,” i tha i pari. “Edhe unë,” i tha i dyti, “sepse e ka djalin sëmurë.” Të dy vazhduan rrugën dhe sosën në pallatin e mbretit, ku dorëzuan peshqeshet e tyre. Kur e pa djaloshin, kopshtari e kuptoi në vend se ai nuk ishte i sëmurë fare, por kishte rënë në dashuri. Prandaj ai tha, “Nxirri të gjithë jashtë nga dhoma. Edhe ju, imzot, dilni jashtë. Më lini vetëm me djalin, besoj se kam për ta shëruar.” Mbreti u përgjigj, “Ashtu qoftë,” dhe i nxori të gjithë jashtë dhomës, duke e lënë kopshtarin vetëm për vetëm me djalin. Kopshtari zuri ta pyesë djalin se çfarë dëshironte dhe i përmendi lloj-lloj gjërash. Djaloshi përgjigjej herë pas here, “Asgjë nuk dua.” Në fund kopshtari e pyeti, “A mos do bijën e mbretit të xhindëve?” Djaloshi psherëtiu thellë dhe u përgjigj, “Po, atë dua.” Kopshtari pastaj i tha, “Do t’i them mbretit dhe, kur të ngrihesh, çdo gjë do të rregullohet.”

Kopshtari vajti te mbreti dhe i tha, “Djali tani u bë mirë dhe është ngritur më këmbë. Sikundër mund ta shihni, ka dalë jashtë për të marrë kalin. Nuk kishte tjetër gjë, veçse kishte rënë në dashuri me bijën e mbretit të xhindëve. Duhet t’ia sillni këtu si nuse, përndryshe djalin do ta hajë meraku aq shumë sa do ta humbisni.” Mbreti pranoi menjëherë. I dërgoi fjalë mbretit të xhindëve dhe e ftoi për gosti.

Kur erdhi mbreti i xhindëve, filloi festa që zgjati gjithë javën me të ngrëna e të pira, me këngë e valle e lojëra. Pastaj mbreti i njerëzve i tha mbretit të xhindëve, “Ne më në fund arritëm ta njohim njëri-tjetrin dhe tani e tutje do të jemi miq. Por unë do të doja të ishim jo vetëm miq.” “Si të dëshironi,” iu përgjigj mbreti i xhindëve. “Më jep vajzën për nuse për djalin tim, “i tha mbreti, “atëhere do të jemi krushq.” “Bukur fort, ashtu të bëhet,” tha mbreti i xhindëve. Kësisoj, të dy mbretërit u bënë krushq dhe këmbyen unazat.

Kur mbreti i xhindëve u kthye në pallatin e tij, e shoqja e priti dhe e pyeti, “Si ia çove në gostinë e mbretit?” Ai iu përgjigj, “Si s’ka më mirë, më pritën me ndere e bujari dhe më pas u bëmë krushq, sepse e dhashë vajzën tonë nuse për djalin e mbretit.” Kur dëgjoi këto fjalë, ajo klithi me të madhe, “C’thua, dashke t’ia japim vajzën nuse për njerëzit? Kurrën e kurrës! Në ke dhënë fjalën, ke bërë një punë shumë të ligë!” Ajo u ngrit menjëherë, e kapi vajzën për dore dhe bashkë me të vajti në një pjesë tjetër të botës, ku jetonte një mbret tjetër xhindësh.

(H. Pedersen 1895, ff. 35-46).
kr. E. Cozzi 1999, f. 455; F. Nopcsa, Religiöse Anschauungen, E. Çabej 1966, f. 373; G. Stadtmüller 1954, ff. 220-221; M. Lambertz 1973, f. 507; T. Dhama 1988, f. 247; R. Elsie
1994 ff. 61-62

Marrë nga: Robert Elsie
Leksiku i Kulturës Popullore Shqiptare
BESIME, MITOLOGJI, FE, DOKE, RITE, FESTA DHE VEÇORI KULTURORE