Nga Xhelal Zejneli
Simon dë Bovuar (Simone Lucie Ernestine Marie Bertrand de Beauvoir, Paris, 9.1.1908 – Paris, 14. 4.1986) është prozatore franceze. Vjen nga një familje qytetare të kamur. U edukua në frymën katolike. E lë fenë dhe bëhet kritikuese radikale e dogmave dhe e miteve të qytetërimeve. Deri në vitin 1945 ka qenë profesoreshë universitare e filozofisë. Më pas i përkushtohet letërsisë. Ka qenë luftëtare për lirinë personale dhe për liritë njerëzore, sidomos për emancipimin e femrës. Ka qenë mbështetëse e prerë e komunikimit dhe e mirëkuptimit midis njerëzve. Ka qenë bashkudhëtare e romancierit, filozofit, dramaturgut dhe kritikut francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980). Filozofi ateist – Sartri, është i vetmi shkrimtar që e ka refuzuar çmimin “Nobel”. Volteri i Evropës i mesit të qindvjeçarit XX, Sartri ishte filozof ekzistencialist. Ekzistencializmit i kontribuoi dukshëm edhe Simon dë Bovuar. Në romanin e parë “Mysafirja” (L’Invitée, 1943) gruas tradicionale ia kundërvë gruan e pavarur dhe liberale. Akoma më radikale është në esenë “Gjinia tjetër” (Le Deuxième sexe, 1949) e cila me një rebelim deri atëherë të paparë foli për nënshtrimin e femrës. Pozitën e femrës e paraqet që nga fëmijëria deri në pleqëri, duke e parë nga këndvështrimi i historisë njerëzore, i religjionit, i letërsisë, i zakoneve dhe i moralit. Duke i tronditur mitet për feministët pasiv, i dha një nxitje të fuqishme lëvizjes feministë në Francë. Në romanet “Gjaku i huaj” (Lë Sang des autres, 1945), “Çdo njeri vdes” (Tous les hommes sont mortels, 1946) dhe në dramën “Gojët e padobishme” (Les Bouches inutiles, 1945) merret me përgjegjësinë e njeriut ndaj të afërmit. Romani “Mandarinat” (Les Mandarins, 1954) dëshmon për dëshpërimin me humanizmin. I paraqet dilemat e intelektualëve francezë të majtë në periudhën e pasluftës (së Dytë Botërore), pavendosmërinë e tyre për t’i dënuar kampet e përqendrimit në Bashkimin Sovjetik. Shkallë-shkallë, gjithnjë më tepër u kushtohet eseve dhe kujtimeve (memoareve). Në përputhje me idetë e Sartrit, mendimin ekzistencialist të vet Simon dë Bovuar e artikulon në mënyrë më të qartë në esenë “Piri dhe Kineasi” (Pyrrhus et Cinéas, 1944).
Librat e saj me kujtime kritika i përshëndeti njëzëri: “Kujtimet e një vashe të edukuar mirë” (Mémoires d’une jeune fille rangée, 1958), “Forca e sendeve” (La Force des choses, 1963) “Një vdekje tejet e ëmbël” (Une mort très douce, 1964), në të cilat me zgjuarsi dhe në mënyrë kritike e paraqet fëmijërinë e vet, kërkimin e lirisë dhe të afirmimit përkundër rrugëve të përcaktuara. Ato janë dëshmi e çmueshme e përplasjeve intelektuale në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në grupin e ekzistencialistëve. Veprat e saj të mëvonshme i kushtohen moshës së pjekur, pleqërisë dhe vdekjes: “Gruaja e rraskapitur” (La Femme rompue, 1967), “Pleqëria” (La Vieillese, 1970).
Simon dë Bovuar me luftën e vet për dinjitet njerëzor dhe për zbulimin e padrejtësive shoqërore ndikoi fuqishëm në rrjedhat letrare.
@tetovanews
@tn.lajmelokale