Prostitucioni. Dukuria e prostitucionit për mikun duket se ka ekzistuar dikur në malet e veriut, me anë të të cilit i zoti i shtëpisë, i shtrënguar nga kërkesat e larta të mikpritjes shqiptare, i ofronte mikut jo vetëm bukë e vend për të fjetur, por edhe shërbim seksual nga femrat e shtëpisë. Dijetari shqiptar Eqrem Çabej (1908-1980) e ndesh këtë zakon në trajtën e vonë të shakasë. Ai shkruan, “Diçka tjetër interesante është se në malësi janë ruajtur edhe mbeturina të prostitucionit për mikun. Në këtë rast, i zoti i shtëpisë e ka zakon ta pyesë mikun me shaka se me cilën nga femrat e shtëpisë do të donte të flinte; me të shoqen, me të motrën apo me të bijën. Mendoj se në këtë shaka mund të shihen mbeturinat e një zakoni të lashtë.”
Prostitucioni për të fituar pará tradicionalisht ka qenë jashtëzakonisht i rrallë në Shqipëri; shtëpitë e para publike qenë hapur nga italianët. Ka ekzistuar si dukuri anësore në vend deri me marrjen e pushtetit nga komunistët më 1944, mirëpo nuk gjeti përhapje kurrë, për shkak të karakterit tradicional e rural të shoqërisë shqiptare: pa qytete të mëdha, të gjithë njihen me njëri-tjetrin, shkallë e lartë e kontrollit mbi sjelljen e individit, etj. Në periudhën e diktaturës duket se ishte çrrënjosur krejtësisht, të paktën në formë të organizuar. Mirëpo, me hapjen dhe liberalizimin e përgjithshëm të vendit më 1990, prostitucioni është bërë dukuri e zakonshme në shoqërinë shqiptare. Aty ku kërkesa dhe oferta ndryshojnë, seksi, çdo mall ose shërbim tjetër, merr vlerë monetare. Ndonëse prostitucioni brenda në Shqipëri është më i pakët se gjetiu në Europë, ai është një dukuri endemike në gjirin e emigracionit shqiptar, sidomos në Itali e në Greqi. Shtëpitë publike në Milano, Romë, Napoli, Athinë e në qytete të tjera me shkallë të lartë emigracioni klandestin shqiptar, gëlojnë nga prostitutat shqiptare. Madje, prostitucioni jep një përpjesë jo pa rëndësi të valutës së huaj të Shqipërisë.
Prostitucionin e sotëm e nxit në shoqërinë shqiptare sundimi tradicional i mashkullit dhe nënshtrimi i femrës. Mijëra gra dhe vajza të reja janë dërguar jashtë vendit nga mafia shqiptare vitet e fundit me premtime për martesë, punë dhe jetë më të mirë, dhe në pjesën më të madhe janë detyruar me forcë për të hyrë në radhët e prostitucionit e madje për të punuar si skllave. Me që shumica e tyre janë ilegale në vendet e reja të banimit dhe nuk kanë përvojë për ta përballuar jetën vetë, nuk janë në gjendje të shpëtojnë e të gjejnë mjete të tjera për të jetuar.
kr. E. Çabej 1935, f. 561.
@tetovanews
@tn.lajmelokale