Ballina Top Lajm Pederastia, homoseksualiteti dhe prostitucioni te shqiptarët

Pederastia, homoseksualiteti dhe prostitucioni te shqiptarët

Pederastia. Më 1854, zëvëndës-konsulli austriak Johann Georg von Hahn (1811-1869), i mbiquajtur babai i studimeve shqiptare, botoi një përshkrim me shumë të dhëna për pederastinë ndër shqiptarët e veriut në mesin e shekullit XIX:

Nga të gjitha të dhënat e çuditshme që gjejmë në këto faqe të shkruara, ndoshta asnjëra nuk e habit lexuesin aq sesa fakti që në Europë është një vend, ku pederastia dorike, ashtu si është përshkruar nga shkrimtarët e lashtë, lulëzon deri më sot dhe bën pjesë në zakonet dhe në mënyrën e jetesës të banorëve. Ky vend është Gegëria. Këtë e zbulova rastësisht gjatë studimit të poezive të Ne- zimit, të cilat i përfshiva në një përmbledhje së bashku me tekstet e tyre në shqip. Lidhja e këtij të ashtuquajturi ves me çdo gjë që njerëzit e kanë të shtrenjtë, si dhe entuziazmi që këngët i ngjallën mësuesit tim geg më bënë të ndjej një neveri të atillë, sa që nuk munda të mos shpreh habinë time. Në fillim ai nuk më kuptoi. Mirëpo, kur në fund më mori vesh, më pyeti i indinjuar nëse unë mendoja se gegët ishin toskë apo ishin turq osmanllinj, të cilët i trajtonin djemtë e tyre si prostituta. Gegët ushqenin ndjenja krejt të ndryshme për ta, ndjenja të pastra si rrezet e diellit, dhe i vinin dylberët në një shkallë me shenjtët. Për ta, dylberi është gjëja më e lartë dhe më e mrekullueshme që gjen vend në zemrën e njeriut. Ai nuk e mohoi se, ndër gegët, kishte edhe përjashtime dhe se kishte raste kur kjo dashuri merrte rrugë të gabuar, por, në përgjithësi, ajo ishte e dëlirë dhe e pastër, dhe këtë dëlirësi e pastërti e lypte zakoni.

Pasi e rrahëm mjaft këtë çështje, u binda se metoda që kisha përdorur për të mbledhur të dhënat për zakonet e Riçës do të ishte rruga më e përshtatshme. Prandaj iu luta të m’i shkruante të gjitha ato që m’i kishte rrëfyer me gojë, kurse unë vetëm sa zbuta teprimet, shtova disa shënime shpjeguese dhe hoqa disa gjëra të paqarta me karakter mistik. Në përgjithësi, përshkrimi mbeti siç e rrëfeu ai. Atyre që ky përshkrim u kujton lashtësinë më duhet t’u them se ky djalosh nuk kishte kurrfarë dijenie se dorianët e lashtë i kishin dashur djemtë ashtu si i tyre. i donin bashkatdhetarët e tij. Ai mendonte se kjo lloj dashurie ishte tipar vetëm

Më pas, në udhëtimin tjetër që bëra nëpër këtë vend, pata mundësinë të përforcoj plotësisht ato që më kishte rrëfyer ai për këtë zakon të çuditshëm. Pederastia m’u duk se ishte një pjesë e tillë përbërëse dhe e rrënjosur thellë e jetës në tërësi sa që m’u rrëzua dyshimi i fillimit se kjo lloj dashurie kishte ardhur bashkë me Islamin. Në këtë pikë ka një ndryshim të rëndësishëm, që është ndoshta ndryshimi themelor midis zakoneve të gegëve dhe atyre të toskëve. Toska i këndon më shumë dashurisë gjinore. Pederastia nuk ka rrënjë të thella në zakonet e tij dhe, kur shfaqet, zakonisht quhet ves. Edhe trajta e pastër haset, por më rrallë. Nuk është aq e përhapur sa ç’është e përhapur te gegët, të cilët, siç më thanë në shumë raste, kurrë nuk i këndojnë marrëdhënies me femrën. Serbët dhe bullgarët nuk njohin as këtë lloj as llojin tjetër të kësaj dashurie. Kur tek ata haset ndonjëherë si përjashtim, mund të thuhet se është huazuar nga popuj të tjerë. Po le t’i lemë gegët të flasin vetë për veten:

“Dashurinë e zgjon pamja e një djali të hijshëm. Kjo pamje ngjall tek ai që e sheh një ndjenjë admirimi dhe e hap zemrën e tij për kënaqësinë që vjen nga soditja e bukurisë. Me kohë vjen dashuria, e cila e pushton dashnorin deri aty sa mendimet dhe ndjenjat e tij të përqëndrohen krejtësisht në të. Sa herë që ndodhet afer dylberit, nuk sheh asgjë tjetër rreth tij. Sa herë që ndodhet larg, mendon vetëm për të. Po të kalojë dylberi andej pari papritur, ai hutohet fare dhe pamja e fytyrës i ndryshon, herë i zbehet e herë i skuqet. Zemra i tij rreh aq shpejt sa ia merr frymën. Sytë e veshët i ka vetëm për dylberin. Ai ndjek me sy si ecën dylberi, si i hap e i mbyll sytë, si i ngre vetullat dhe si e hap e e mbyll gojën. Ai ia ndjek me vëmendje mënyrën si flet, tonin e zërit e të të folurit dhe ditë e natë mendon vetëm për të. Kur arrin të afrohet më ngushtë me djalin, i këshillon para së gjithash tri gjëra: të mos u afrohet të tjerëve, të mbajë trupin pastër dhe të rrijë vetëm me të. Kur djali e pranon, ai nuk shkëputet prej tij që kur çel dita deri në të ngrysur. Ai përpiqet të mos e prekë me dorë dhe rrallë e puth në ballë në shenjë respekti, sepse këtu rrëzaton bukuria hyjnore. Për të janë aq të huaja mendimet e kënaqësisë së mishit, sa që më fort do të prekte me dorë motrën e vet se atë djalë.

Po të marrë vesh se ky e kalon kohën me të tjerë ose është dhunuar nga dikush, e braktis përgjithmonë. Në bisedat me djalin, ai gjithmonë i thotë sa të thella e të ngrohta janë ndjenjat dhe dashuria e zemrës së tij, i thotë se kurdoherë është gati ta mbrojë e të vetmohohet për të. Dhe kurrë nuk pushon së foluri për ta bindur që të zbatojë me rreptësi tri rregullat e mësipërme. Nëse djali nuk u bindet atyre rregullave ose vepron në kundërshtim me to fshehurazi, dashnori jo vetëm e qorton, por edhe e rreh, ashtu si rreh ati të birin. Por kjo nuk ia zbeh aspak dashurinë.

Kur dashnori merr vesh se dylberin e duan edhe të tjerë, atëhere përpiqet t’ia heqë qafe në çdo mënyrë. Ai i bën dylberit kërcënime të llahtarshme dhe e ndalon që të afrohet me rivalët, ashtu sikundër përpiqet që edhe rivalët të mos i afrohen atij. Në rast se rivalët nuk ia venë veshin, mund të plasin grindje e shamata, që shpesh shpien deri në vrasje. Rivalët gjithashtu thërrasin njëri-tjetrin në dyluftim dhe, pas tij, fituesi merr djalin, kurse humbësi zhytet në mërzi ose luan mendsh. Kur djali i dashuruar është nga familje e pasur dhe është në gjen- dje t’u bëjë ballë ftesave të dashnorëve, jo rrallë ndodh që këta të fundit shkojnë në mërgim për të mos plasur nga hidhërimi. Mirëpo, kur familja nuk është aq e fortë, për të shmangur fatkeqësinë, më shpesh ndodh që djali i hijshëm të shkojë tinëz në mërgim. Ndodhin edhe rrëmbime, por këto i bëjnë dashnorë të pasur dhe qëllimet e tyre rrallë janë të pastra.

Feja nuk luan rol fare në këtë lloj dashurie. Myslimani mund të dojë një të krishterë, i krishteri mund të dojë një mysliman. Madje, mjaft të krishterë janë bërë myslimanë në rastet kur dylberi, për të pranuar, ua ka paraqitur si kusht.
Dashnori e ndjek dylberin në çdo hap. Po të marrë vesh, për shembull, se djali ka shkuar në ndonjë pazar krahine a panair, ose përkundrazi ka shkuar në fshat, ai i shkon menjëherë prapa, sado rrugë e gjatë të jetë, me qëllim që ta përgjojë nëse e kalon natën jashtë. Atë nuk e shqetësojnë marrëdhëniet e dylberit me shokët e tij më të rinj dhe, kur ka të tilla, nuk ndjen zili. Në të tilla raste, edhe shokët më të rinj hyjnë nën mbrojtjen e tij.

Dashnori përpiqet vazhdimisht që dylberi të kënaqet. I jep para, fruta të freskëta dhe ëmbëlsira, i bën rroba të reja dhe, po të ketë mundësi, edhe dhurata të shtrenjta. Megjithatë, është gjë e rrallë që djali vetë të përgjigjet me dashuri. Në fillim ai është i ftohtë dhe vetëm pak nga pak ndjen ndonjë kënaqësi nga vëmendja që i kushtohet, dhe kjo ndodh ose sepse, nga ndjenja e fortë e tjetrit, e ndjen veten të lajkatuar, ose nga ndonjë interes apo nga frika. Përgjithësisht pranohet se zjarri i dashurisë së dashnorit pasqyrohet në hijeshinë e djalit. Sa më shumë rivalë ta zgjedhin si objekt të ndjenjave të tyre të ngrohta, aq më madhërishëm rrezaton hijeshia e djalit.

Prirjet për këtë lloj dashurie nisin në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe zgjasin edhe tri, katër, pesë a më shumë vjet të tjera. Djemtë nisin të dashuro- hen afërsisht që nga mosha dymbëdhjetë dhe, kur mbushin gjashtëmbëdhjetë a shtatëmbëdhjetë vjeç, braktisen. Atëherë nuk është gjë e rrallë që kjo dashuri të kthehet në urrejtje. Dashnori nis ta kuptojë çfarë ka hequr në duart e dylberit dhe mendon si të marrë hak, çka shpie deri në vrasje ose më shpesh në dhunë. Mirëpo, rrallë ndodh që kjo periudhë kohe të mbushet vetëm nga një dashuri. Nënkuptohet që çdo i ri, para martesës, të ketë qenë dy ose tri herë objekt ndjen- jash të tilla. Me martesën, kjo periudhë romantike e jetës zakonisht merr fund. kr. J. G. von Hahn 1854, 1, ff. 166-168.

Homoseksualiteti. Kur Lord Bajroni (1788-1824), i cili ishte biseksual, dhe shoku i tij i Kembrixhit e bashkudhëtari i tij John Cam Hobhouse (1786-1869) vizituan oborrin e Ali Pashë Tepelenës (1759-1822), Hob- house-i shkroi se luftëtarët shqiptarë jetonin “të pavarur nga seksi tjetër, të cilin nuk e zinin goje kurrë dhe as nuk e ndjenin mungesën e tij në shqetësimet dhe argëtimet e tyre të zakonshme. E njëjta prirje jep një sistem, i cili është shpënë prej tyre deri aty sa të mos ketë ndoshta asnjë vend, modern a i lashtë qoftë, po të përjashtojmë tebanët, që të jetë një shembull i ngjashëm.” Ajo çka vëren Hobhouse-i ripohohet nga një numër autorësh dhe udhëtarësh të tjerë të huaj, që kryenin udhëtime në Shqipërinë jugore e në Epir në gjysmën e parë të shekullit XIX: Jakov Bartholdy (1779-1825), François Pouqueville (1770-1839), Thomas Hughes (1786-1847), William Leake (1777-1860) dhe Cyprien Robert (1.1807). William Plomer-i (1903-1973), biografi i Ali Pashës, për shqiptarët e kohës vëren këto:

Gjysem barinj e gjysëm luftëtarë, besnikë ndaj maleve të vendit të tyre dhe duke trashëguar tiparet luftarake të së kaluarës së largët… ata e quanin veten me kënaqësi palikarë, ose trima… Ishin shumë të dhënë pas praktikave homoseksuale dhe nuk qenë aspak të ndrydhur për to. Paralele me këtë mund të gjenden pa vështirësi në raca të tjera kohësh të tjera, që kanë bërë jetë ushtarake me një mënyrë të përcaktuar e të organizuar, që i kanë mbajtur gratë të nënshtruara ose të paktën në hije, e që kanë patur si model të fytyrës së përkryer fytyrën e djaloshit luftëtar. Të shkon mendja te grekët e lashtë, te gjermanët, te zulutë në kulmin e pushtetit të tyre, te japonezët ashtu sikundër i ka përshkruar Saikaku. Nuk është aspak fjala për zvetënim, se Skipetarët janë racë e shquar për shëndet e për përsosmëri fizike e që bëjnë një jetë të mundimshme e en- ergjike në një vend me reliev të thyer e me klimë bajagi të ashpër. As nuk mund të thuhet për ta se u mungon ndjesia e moralshmërisë dhe e turpit, sido që mund të thotë krishterimi, sepse ata kanë qenë të shquar jo vetëm për guxim e trimëri, për dashuri ndaj lirisë dhe për përkushtim e besnikëri ndaj maleve e fshatrave të vendlindjes, por edhe për besnikëri e mirënjohje ndaj miqve e mirëbërësve, si dhe për gjallëri të përgjithshme të ndjenjës… Ishte zakon që djelmoshat e lidhur ngushtë me njëri-tjetrin t’i betoheshin njëri-tjetrit për jetë, dhe që kjo nuk ishte një gjë që kishte të bënte thjesht me ndjenjat e me sensualitetin, ose me të dyja, dëshmohet nga fakti se marrëveshja mes tyre konsiderohej e shenjtë dhe dilte më e qëndrueshme sa ç’është shpesh martesa tek ne… sepse thuhet se nuk ka patur asnjë rast kur ajo të jetë shkelur.

Burime të shekullit XIX për homoseksualitetin në Shqipërinë veriore janë të rralla, me përjashtim të një përshkrimi informativ të Hahn-it për pederastinë (shih) ndër gegët.

Në përgjithësi, marrëdhëniet homoseksuale thuhet të janë më hapur në Shqipërinë jugore se në atë veriore. Sidoqoftë, ato janë më të dukshme në vendbanime tradicionalisht myslimane si Elbasani, Kavaja, Gjakova dhe Gostivari. Në malet e veriut ato duket se ekzistojnë vetëm brenda një rrethi të padukshëm, të një ‘subkulture’ të fshehtë, të nxitura ndër të tjera pa dyshim nga niveli i lartë i veçimit ndërmjet sekseve.

Homoseksualiteti edhe sot mbetet një temë thellësisht tabu në Shqipëri, sidomos pas një gjysëm shekulli regjimi jashtëzakonisht puri- tan stalinist me Enver Hoxhën (1908-1985) në krye, për të cilin thuhet, për ironi, se ka patur vetë marrëdhënie homoseksuale në vitet e rinisë. Kodi penal i Shqipërisë komuniste parashikonte dënim me dhjetë vjet burg për homoseksualët. Ende nuk dihet sa njerëz të pafajshëm, burra, ndoshta edhe gra, janë përndjekur e kriminalizuar gjatë periudhës së diktaturës për këtë prirje.

Më 29 mars 1994, tre vjet pas hapjes së Shqipërisë, një shoqatë e vogël u krijua në Tiranë për të mbrojtur interesat e gayve dhe lezbikeve në këtë shoqëri jashtëzakonisht homofobe dhe për të parandaluar përhapjen kërcënuese të AIDS-it. Kjo shoqatë zhvilloi me sukses një fushatë kundër ligjit anti-gay në fuqi, i cili u shfuqizua më 20 janar 1995. Qëndrimet shoqërore po pësojnë ndryshime në qytete, ndonëse homofobia mbetet mjaft e përhapur në fshat, sidomos në malësitë e veriut.

kr. J. Bartholdy 1805, f. 66, 374 sq., 382 sq; F. Pouqueville 1805a, 1805b, 1806; J. Hobhouse 1813, f. 130; T. Hughes 1820, 2, f. 48 sq.; W. Leake 1835, 3, f. 355 sq., vol. 4, f. 297 sq.; J. G. von Hahn 1854; C. Robert 1842, f. 87; P. Näcke 1907, 1965; W. Plomer 1936, ff. 21-29; L. Crompton 1985; R. Grémaux 1989, 1994; R. Brandl 1994, ff. 233-235; M. Dickemann 1997a, 1997b; S. Murray 1997; S. Murray & W. Roscoe 1997; N. Mai 2003.

Prostitucioni. Dukuria e prostitucionit për mikun duket se ka ekzistuar dikur në malet e veriut, me anë të të cilit i zoti i shtëpisë, i shtrënguar nga kërkesat e larta të mikpritjes shqiptare, i ofronte mikut jo vetëm bukë e vend për të fjetur, por edhe shërbim seksual nga femrat e shtëpisë. Dijetari shqiptar Eqrem Çabej (1908-1980) e ndesh këtë zakon në trajtën e vonë të shakasë. Ai shkruan, “Diçka tjetër interesante është se në malësi janë ruajtur edhe mbeturina të prostitucionit për mikun. Në këtë rast, i zoti i shtëpisë e ka zakon ta pyesë mikun me shaka se me cilën nga femrat e shtëpisë do të donte të flinte; me të shoqen, me të motrën apo me të bijën. Mendoj se në këtë shaka mund të shihen mbeturinat e një zakoni të lashtë.”

Prostitucioni për të fituar pará tradicionalisht ka qenë jashtëzakonisht i rrallë në Shqipëri; shtëpitë e para publike qenë hapur nga italianët. Ka ekzistuar si dukuri anësore në vend deri me marrjen e pushtetit nga komunistët më 1944, mirëpo nuk gjeti përhapje kurrë, për shkak të karakterit tradicional e rural të shoqërisë shqiptare: pa qytete të mëdha, të gjithë njihen me njëri-tjetrin, shkallë e lartë e kontrollit mbi sjelljen e individit, etj. Në periudhën e diktaturës duket se ishte çrrënjosur krejtësisht, të paktën në formë të organizuar. Mirëpo, me hapjen dhe liberalizimin e përgjithshëm të vendit më 1990, prostitucioni është bërë dukuri e zakonshme në shoqërinë shqiptare. Aty ku kërkesa dhe oferta ndryshojnë, seksi, çdo mall ose shërbim tjetër, merr vlerë monetare. Ndonëse prostitucioni brenda në Shqipëri është më i pakët se gjetiu në Europë, ai është një dukuri endemike në gjirin e emigracionit shqiptar, sidomos në Itali e në Greqi. Shtëpitë publike në Milano, Romë, Napoli, Athinë e në qytete të tjera me shkallë të lartë emigracioni klandestin shqiptar, gëlojnë nga prostitutat shqiptare. Madje, prostitucioni jep një përpjesë jo pa rëndësi të valutës së huaj të Shqipërisë.

Prostitucionin e sotëm e nxit në shoqërinë shqiptare sundimi tradicional i mashkullit dhe nënshtrimi i femrës. Mijëra gra dhe vajza të reja janë dërguar jashtë vendit nga mafia shqiptare vitet e fundit me premtime për martesë, punë dhe jetë më të mirë, dhe në pjesën më të madhe janë detyruar me forcë për të hyrë në radhët e prostitucionit e madje për të punuar si skllave. Me që shumica e tyre janë ilegale në vendet e reja të banimit dhe nuk kanë përvojë për ta përballuar jetën vetë, nuk janë në gjendje të shpëtojnë e të gjejnë mjete të tjera për të jetuar.
kr. E. Çabej 1935, f. 561.

Marrë nga: Robert Elsie
Leksiku i Kulturës Popullore Shqiptare
BESIME, MITOLOGJI, FE, DOKE, RITE, FESTA DHE VEÇORI KULTURORE