Varrimi i të ndjerit bëhet sot (e shtunë, 19 prill) ora 16:30 tek Varrezat e Reja të Ferizajt.
Ka ndërruar jetë ish-drejtorit i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e të ndjerit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.
Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.
Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.
Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.
Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.
Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.
Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur ferizajas, ish drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative, në kujtim të jetës dhe veprës së tij.
Kryetari i Ferizajt ka ngushëlluar familjen e Shaqiri me rastin e vdekjes së Sylejman Shaqirit.
Aliu thotë se me dhembje e pikëllim të thellë, u morë lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit të mirënjohur, ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, mikut të tij të çmuar, ferizajasit të shquar, Sylejman Shaqiri.
“Sa e rëndë është kjo ditë, ky pikëllim për amshimin e Sylës, të rrallit personalitet që gjithë jetën e tij, rrezatoi mirësi, virtyte të çmuara njerëzore, vlera të dëshmuara profesionale e mbi të gjitha misionin që ai kishte gjithë jetën, misionin për të vërtetën, për informimin e publikut”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Aliu thekson se sot Ferizaj është më i varfër, pa emrin e tij, pa Sylejman Shaqirin, që mishëronte ferizajasin e shquar e të përkushtuar në profesion.
“Gazetaria shqiptare humbi një nga emrat e përveçëm të saj, porse krenarë na mban trashëgimia e tij, vepra jetësore që la prapa, si udhërrëfim për brezat e sotëm e të së ardhmes. Lamtumirë miku im, Sylejman Shaqiri! Lamtumirë ferizajas i rrallë! Ngushëllime familjes Shaqiri, kolegëve të profesionit, miqve e të njohurve të të ndjerit! Shpirti i tij, u prehtë në paqen e parajsës së paskaj”, përfundon telegrami i ngushëllimit i kryetari të Ferizajt.
AGK: Shaqiri do të kujtohet për profesionalizmin e tij
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit, redaktorit e korrespodentit, Sylejman Shaqiri.
“Sylejman Shaqiri dha kontribut të pashoq në gazetari dhe media. Karrierën e nisi në fillim të viteve ’80, në Radio Ferizaj, ku shërbeu si kryeredaktor dhe drejtor, për të vazhduar më pas në Radio Televizionin e Prishtinës si gazetar dhe redaktor përgjegjës. Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së, kontributi i tij vazhdoi në Radio Kroacia dhe Radio Tirana. Pas luftës mbajti pozitat më të larta, duke përfshirë atë të drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ku ishte edhe redaktor lajmesh e udhëheqës i disa emisioneve”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Shaqiri do të kujtohet për profesionalizmin e tij, përkushtimin ndaj profesionit dhe rolin e tij udhëheqës në zhvillimin e mediave në Kosovë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Shaqiri, kolegët dhe miqtë e tij.
@tetovanews
@tn.lajmelokale