Ballina Argëtim Showbiz Jennifer Lopez ndez atmosferën në paddock-un e Ferrarit në Arabinë Saudite (VIDEO+FOTO)

Jennifer Lopez ndez atmosferën në paddock-un e Ferrarit në Arabinë Saudite (VIDEO+FOTO)

Një surprizë e veçantë priti tifozët dhe anëtarët e skuadrës Ferrari gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Arabisë Saudite: ‘ylli’ botëror, Jennifer Lopez, ishte e pranishme si e ftuar speciale në paddock-un e “Kokëkuqes”. E veshur me një kostum të ngushtë ngjyrë rozë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, J.Lo solli një prekje magjie dhe elegance në një ambient të dominuar nga adrenalina dhe inxhinieria.

Këngëtarja dhe aktorja ikonë u shfaq në garazhin e Ferrarit, ku u takua me anëtarët e skuadrës, pa nga afër njëvendëshet dhe pozoi për fotografi pranë makinave që garojnë në Formula 1. Ajo gjithashtu ndau disa momente me tifozët, duke firmosur autografe dhe duke shkëmbyer buzëqeshje e përshëndetje që u përhapën shpejt në rrjetet sociale.

Prania e Jennifer Lopez-it nuk kaloi pa u vënë re nga mediet ndërkombëtare, të cilat theksuan se ky është një tjetër shembull i bashkimit mes botës së spektaklit dhe sportit elitar. Ferrari, i njohur jo vetëm për historinë e tij në garat automobilistike, por edhe për stilin dhe lidhjen me botën e modës e showbiz-it, gjeti te J.Lo një ambasadore të denjë për imazhin e tij.

Ky moment ishte një ndër më të komentuarit gjatë fundjavës së garës, duke shtuar pak shkëlqim hollywoodian në garën për titullin kampion të Formula 1.