Ballina Aktualitet Berisha në Selanik : Viti i diasporës. Kreu i PD u kërkon...

Berisha në Selanik : Viti i diasporës. Kreu i PD u kërkon emigrantëve të ndëshkojnë me votë Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri apel emigrantëve të përdorin fuqinë e votës për të ndryshuar të ardhmen e vendit. Nga Selaniku, në një takim ku morën pjesë edhe aleatët e PD-së, Berisha theksoi se viti 2025 është viti i diasporës.

“Qindra e mijëra prej jush shqiptarë në diasporë jeni regjistruar! Zoti e bekoftë votën tuaj! Por, Shqipëria ka nevojë për votën e qindra mijërave të tjerëve nga ju, që të vërshoni drejt saj dhe më 11 maj në qendrat tuaja të votimit të firmosni përmbysjen e narkoshtetit, fitoren e demokracisë.”

Sipas Berishës, në 12 vitet e qeverisjes socialiste, Shqipëria ka bërë hapa pas në çdo sektor, duke sjellë si shembull largimin e të rinjve dhe uljen e lindshmërisë.

“Një komb, i cili nga viti 2019 e gjer sot ka më shumë vdekje se lindje. Një komb, i cili sipas OKB, javën e kaluar ka, për shkak të emigracionit, lindshmërinë më të ulët në botë. Një komb, i cili në qytetin e Ersekës, dy vite më parë pati vetëm një lindje. Një komb që, shkollat i mbyllen njëra pas tjetrës.”

Kryetari i PD-së, Berisha, premtoi se qeveria e ardhshme do të marrë masa në 100 ditët e para për të luftuar varfërinë, duke vendosur minimumin jetik prej 200 eurosh.

“Por sot, 56% të pensioneve janë nën 172 euro. Sot, qytetarët me ndihmë ekonomike marrin një ndihmë prej 60-70 eurosh, qesharake. Sot, të papunët marrin një ndihmë qesharake. Pra, nuk do ketë shqiptar që do firmosë nën 200 euro. Rroga minimale rritet në 500 euro. Rroga mesatare në 1200 euro.”

Berisha akuzoi rivalin politik, Edi Rama, se po i shmanget përballjes për 12 vitet e qeverisjes së PS-së.

“Ne dalim para shqiptarëve me Chris LaCivita-n, një nga kryestrategët e fitoreve në botë. Ai del para shqiptarëve me Vullnet Sinën, hajdutin që helmoi Shqipërinë me salmonelën e pulave. Në fakt, edhe vet Edi Ramën, që ta dini ju këtë.”

Berisha ftoi emigrantët të kthehen të investojnë në Shqipëri, duke premtuar se për vite ata nuk do të paguajnë asnjë taksë.