Ballina Aktualitet Azir Aliu emërohet ministër i ri i Shëndetësisë

Azir Aliu emërohet ministër i ri i Shëndetësisë

Në fillim të seancës së Kuvendit, Kryeministri Hristijan Mickoski, në arsyetimin e propozimit për emërimin e Azir Aliut si ministër i Shëndetësisë, shprehu besimin se energjia dhe njohuritë e tij do të sjellin një dimension të ri në menaxhimin e sistemit shëndetësor.

Me 65 vota “për”, 15 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi pasdite votoi Azir Aliun si ministër të ri të Shëndetësisë, në vend të Arben Taravarit, i cili së fundmi dha dorëheqje nga kjo funksion. Votimit i parapriu një debat prej pothuajse tre orësh mes deputetëve të shumicës dhe opozitës.

Mickoski theksoi:

“Doktor Aliu është doktor i shkencave informatike. Profesor dhe ekspert që prej vitesh merret me menaxhimin e sistemeve, të dhënave dhe zgjidhjeve digjitale. Në një kohë kur shtetet tjera marrin diagnozë me një klikim, ne ende vrapojmë. Është koha që kjo të ndryshojë, dhe besojmë se pikërisht energjia dhe njohuria e tij do të sjellin një dimension të ri në menaxhimin e sistemit shëndetësor.”

Deputetët e shumicës shprehën shpresë se shëndetësia do të mund të rikuperohet nga “fundosja” ku ndodhet, duke vlerësuar përvojën dhe prejardhjen e Aliut.

Deputetja Dafina Stojanovska (VMRO-DPMNE) tha:

“Është një sfidë e madhe që ka pranuar Azir Aliu, por duke e njohur si njeri, si pjesëtar i një familjeje të respektuar dhe nga biografia e tij, mendoj se ka shanse të menaxhojë me sukses. Edhe më herët kemi pasur ekspertë të shëndetësisë në këtë post, por nuk ka rezultuar se përvoja shëndetësore ka qenë e mjaftueshme për të menaxhuar me resorin.”

Nga ana tjetër, opozita pati qëndrim kritik ndaj emërimit të Aliut. Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski, kujtoi se në të kaluarën Aliu nuk kishte marrë asnjë votë mbështetëse si ministër për Shoqëri Informatike e Administratë – një fushë që lidhet drejtpërdrejt me profesionin e tij – ndërsa tani përkrahet për shëndetësi.

Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, tha se partia e tij i bën apel partive të tjera shqiptare dhe deputetëve të largohen nga kjo qeveri që, sipas tij, nuk reflekton vullnetin politik të shqiptarëve dhe po përkeqësohet dita-ditës.

Azir Aliu është inxhinier i elektrikës dhe doktor i shkencave informatike. Ai është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë gjatë viteve 2023 dhe 2024. Aliu është pjesë e Aleancës për Shqiptarët që mbeti në koalicionin VLEN, pasi krahu i udhëhequr nga Arben Taravari kaloi në opozitë më 15 maj 2025.

LEXO:
VIDEO bonus:
@tetovanews
@tn.lajmelokale