Në prag të luftës së Gjirit në vitin 1991, një gazetar televiziv e pyeti komandantin amerikan Norman Schwarzkopf nëse do ta rrëzonte Saddam Husseinin. Norman u përgjigj me një shprehje të paharrueshme: “E lehtë për t’u thënë. E vështirë për t’u bërë.”
Schwarzkopf e dinte se për çfarë po fliste. Ai ishte një studiues i hershëm i Lindjes së Mesme – disa nga vitet e fëmijërisë i kishte kaluar në Teheran – si dhe i historisë ushtarake. Strategjia e tij e suksesshme për të mposhtur Sadamin në Kuvajt u frymëzua nga taktikat që përdori gjenerali kartagjenas Hanibal për të mundur romakët në betejën e Kannave në vitin 216 para erës sonë.
Ndryshimi i regjimit, që tani po përmendet gjithnjë e më shpesh për Iranin, është mishërimi i politikës “lehtë për t’u thënë, vështirë për t’u bërë”. Bota padyshim do të ishte një vend më i mirë pa regjime shtypëse dhe agresive si ai i Teheranit. Por nuk ka ndonjë levë që mund të tërhiqet lehtë, as ndonjë buton që mund të shtypet kollaj për të zëvendësuar tiraninë e qëndrueshme me lumturi të qëndrueshme. Të shkatërrosh nuk është njësoj si të rindërtosh.
Në vend të kësaj, “ndryshimi i regjimit” është një frazë që shpesh fsheh një shumëllojshmëri problemesh dhe mjerimesh të përhershme, të cilat në shumicën e rasteve i përjetojnë më rëndë njerëzit e thjeshtë. Në Perëndim, qeveritë moderne dhe publiku e kanë mësuar këtë mësim në mënyrën më të mundimshme. Pushtimi i Afganistanit në 2001 dhe lufta e Irakut në 2003 vazhdojnë ende të ndikojnë në politikën tonë. Rezultatet kaotike të së ashtuquajturës Pranverë Arabe në vitet 2010-2011 janë një monument i zymtë i të njëjtit naivitet.
Megjithatë, dëshira për t’u çliruar nga regjimi teokratik iranian është e drejtë. Irani është një nga vendet më shtypëse në botë. Arrestimet dhe gjyqet janë arbitrare. Tortura – përfshirë fshikullimet me kamzhik – është e zakonshme. Ekzekutimet janë të shpeshta. Shtypja e grave, e pakicave dhe e emigrantëve është e institucionalizuar. Aktiviteti politik dhe shprehja e lirë janë pothuajse të pamundura.
Dhe ligësia e këtij regjimi nuk prek vetëm iranianët. Republika Islamike e ka eksportuar autoritarizmin e saj për vite me radhë, përmes përfaqësuesve si Hamas në Palestinë, Hezbollahu në Liban, dhe tani duke furnizuar Rusinë në Ukrainë. Ajo ka financuar dhe mbështetur terrorizmin në Perëndim. Dëshira e saj për armë bërthamore – me të cilat do të kërcënonte Izraelin, të cilin synon ta shkatërrojë – është e pamëshirshme.
Pra, nëse jepet mundësia, pse të mos përpiqemi ta zëvendësojmë një regjim të tillë? Çfarë ka për të mos u mbështetur në rrëzimin e tij – veçanërisht tani që Hamas, Hezbollahu dhe Huthit e Jemenit janë në tërheqje ushtarake dhe vendi ndjen ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare? Ditët e para të sulmit të urdhëruar nga Benjamin Netanyahu mbi Iranin duket sikur i kanë shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturës bërthamore dhe ushtarake të regjimit dhe kanë nxjerrë në pah kufizimet e Iranit për t’u mbrojtur. Pra nëse jo tani, kur do ishte momenti?
Tundimi është real. Në politikë, si në luftë, guximi për të kapur momentin mund të jetë vendimtar. Bismark e konsideronte këtë si një nga provat përfundimtare të lidershipit, dhe e demonstroi me mjeshtëri. Edhe Shekspiri në Jul Çezari shprehet: “Ka një valë në jetët e njerëzve që, kur kapet në kulmin e saj, të çon drejt fatit”. Por, mos harroni, çfarë ndodhi me Kasin në fund: ai humbi.
Gjithsesi, rrëzimi i regjimit iranian do të hiqte një kërcënim ndërkombëtar – veçanërisht për Izraelin, por edhe për vendet e tjera të rrënuara nga përfaqësuesit iranianë. Do të vononte përhapjen bërthamore. Do të godiste terrorizmin. Do të ishte lajm i keq për Rusinë, e cila po konsumon një sasi të madhe armësh iraniane, përfshirë dronë. Do të ishte një rreze shprese për Ukrainën. Lirimi i rrugëve tregtare ndërkombëtare do të qe i jashtëzakonshëm. Çmimet e mallrave mund të binin ndjeshëm.
Prandaj, nuk është e drejtë të hidhen poshtë krejt këto argumente – qoftë edhe për shkakun se Netanyahu është në favor të tyre, apo për të përligjur zemërimin ndaj ofensivave të tmerrshme të Izraelit në Gaza. Po ashtu, do të ishte e gabuar të kundërshtohet ndryshimi i regjimit iranian vetëm sepse në një moment kjo ide mund të përqafohet më vonë nga Donald Trump, me gjithë paparashikueshmërinë e tij. Një armik i Trump nuk është automatikisht miku ynë.
Por ka arsye më të thella për kujdes. E para: shkatërrimi i regjimit nuk garanton ndryshim të suksesshëm të tij. Është e mundur që Izraeli, me ose pa mbështetjen ushtarake të drejtpërdrejtë të Trump, të shkaktojë mjaft dëme sa të paralizojë funksionimin e regjimit iranian. Por çfarë do të ndodhë më pas? As Izraeli, as SHBA nuk kanë ndërmend të pushtojnë Iranin e aq më pak mendojnë për ta qeverisur atë. Mësimet e Afganistanit, Irakut dhe Libisë janë ende të freskëta. Teherani nuk është Berlini i vitit 1945.
Në fjalimin e tij drejtuar iranianëve këtë javë, Netanyahu tha se ata duhet të formësojnë Iranin e ri. “Po ju hapim rrugën për të arritur qëllimin tuaj – që është liria,” u tha atyre. Por m, nga ana tjetër, nuk duket se ka ndonjë qeveri të gatshme për të marrë frenat. Një regjim i promovuar nga Izraeli do ta kishte shumë të vështirë të mbijetonte. Një regjim i mbështetur nga SHBA, që do të lejonte Trumpin dhe aleatët e tij të plaçkitnin vendin, nuk do të ishte aspak popullor. Opozita ndaj regjimit teokratik mund të jetë e përhapur, siç pretendon Netanyahu me 80%, por aktualisht është e shpërndarë, e paorganizuar dhe e përçarë.
Një Iran i mundur do të ishte ende një shtet i madh, krenar dhe me rëndësi gjeopolitike. I pasur me burime natyrore, superfuqi energjetike, dhe ende i armatosur mirë. Përzierja e tij etnike dhe fetare do të kërkonte më shumë të drejta. Nga ana tjetër besnikët e regjimit të vjetër do të ishin gjithandej, sidomos në forcat e armatosura dhe polici. Këto janë përbërës për një shpërthim të paqëndrueshmërisë qytetare që mund të zgjasë me vite.
Mos harroni: Irani mbetet një regjim revolucionar. Pushtetarët që vijnë në fuqi duke përmbysur tërësisht paraardhësit e tyre, siç ndodhi në 1979, mund të shndërrohen në regjime paranojake. Ata mund të mos dorëzohen kurrë, siç insistoi vetë Ajatollah Khamenei të mërkurën.
Historia na mëson se ndryshimi i regjimeve revolucionare është veçanërisht i ndërlikuar. Regjimet e përmbysura mund të kenë qenë të vështira për t’u krijuar, por ato që i zëvendësojnë nuk e kanë më lehtë. Mendoni për Francën në 1815 apo Rusinë në 1991. Gjermania u shpëtua nga gremina e nazizmit përmes marrëveshjes ndërkombëtare, ndihmës ekonomike nga SHBA, pushtimit ushtarak dhe kompromisëve pragmatikë me institucionet gjermane. Rezultati ishte një triumf kolektiv – por një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë.
Asgjë e ngjashme nuk është në horizont për Iranin. Prandaj kujdes me çfarë dëshironi./ “The Guardian”
@tetovanews
@tn.lajmelokale