Trupi i një 25-vjeçari shqiptar, i cili po kërkohej prej dy ditësh pas një tentative vjedhjeje, e cila përfundoi në një grabitje të përgjakshme në një shtëpi në Foria di Centola, në provincën e Salernos, u gjet në fshatin San Severino di Centola, pranë një fushe sportive.
Pronari i vilës, një sipërmarrës ndërtimi vendas 60-vjeçar, i cili u paraqit këtë mëngjes në Prokurorinë e Vallo della Lucania së bashku me avokatin e tij, tregoi vendndodhjen e trupit të shqiptarit.
Ai tani po hetohet për vrasje dhe fshehje të një kufome. Italiani pranoi se kishte qëlluar me armë zjarri gjatë grabitjes së natës në shtëpinë e tij, e cila ndodhi rreth orës 22:00 të dielën e kaluar.
Një nga plumbat e goditi për vdekje 25-vjeçarin, trupi i të cilit u transportua më pas nga vetë sipërmarrësi në një zonë të largët dhe u fsheh në bimësi. Trupi u gjet i mbështjellë me një thes. Karabinierët që shkuan në vendngjarje dhe gjetën trupin urdhëruan autopsinë e tij.
Rezultatet e ekzaminimit do të jenë të dobishme për rindërtimin e asaj që ndodhi saktësisht atë natë dramatike, gjatë së cilës një anëtar i dytë i bandës u plagos rëndë. Ai ndodhet i shtruar në spital Cardarelli në Napoli dhe mjekët nuk bëjnë ende parashikime për jetën.
Pronari i shtëpisë tani po hetohet zyrtarisht edhe për plagosjen e tij. Një bashkëpunëtor i tretë i dyshuar është ende në kërkim. Hetimet synojnë të zbardhin dinamikën e të shtënave dhe të përcaktojnë me siguri se kush qëlloi i pari.
Gjatë grabitjes, u vodh edhe një armë, e cila me sa duket u përdor nga njëri prej kriminelëve në shkëmbimin e zjarrit. Mediat italiane shkruajnë se incidenti ka tronditur komunitetin vendas dhe ka shkaktuar tension të fortë, edhe sepse të shtënat nxitën shumë miq dhe familjarë të viktimës, përfshirë gruan e tij me vajzën e saj 3-vjeçare, të mblidheshin pranë shtëpisë.
Disa kanë folur për një “ekspeditë ndëshkuese” nga një grup i madh shqiptarësh – rreth 30 persona me makina të fuqishme – që vinin nga Caserta. Turma u shpërnda sapo karabinierët mbërritën në vendngjarje. Por zona tani është nën mbikëqyrje të vazhdueshme. ©LAPSI.al
@tetovanews
@tn.lajmelokale