Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se përpjekjet për të kuptuar plotësisht origjinën e virusit SARS-CoV-2, që shkaktoi pandeminë e COVID-19, vazhdojnë ende dhe nuk janë mbyllur.
Sipas Grupit Këshillimor Shkencor të OBSH-së, megjithëse është bërë përparim në analizën e skenarëve të mundshëm të shfaqjes së virusit, mungojnë ende të dhëna thelbësore për të konfirmuar ose përjashtuar hipotezat ekzistuese.
OBSH ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet kineze qasje në qindra sekuenca gjenetike të pacientëve të infektuar në fazat e hershme të shpërthimit, të dhëna të detajuara mbi kafshët që tregtoheshin në tregjet e Wuhan-it, si edhe informacione për kushtet e punës dhe sigurisë biologjike në laboratorët e qytetit.
Sipas OBSH-së, autoritetet kineze ende nuk kanë ndarë këto të dhëna, duke mbajtur gjallë pasigurinë për origjinën e virusit, thuajse pesë vite pas shfaqjes së parë të rasteve me COVID-19.
Organizata nënvizon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe transparenca janë kyçe për të hedhur dritë mbi shkakun e pandemisë dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
@tetovanews
@tn.lajmelokale