Ballina Aktualitet Filloi rigjykimi për rastin “Besa Trans”, Haxhiu: Jam i pafajshëm

Filloi rigjykimi për rastin “Besa Trans”, Haxhiu: Jam i pafajshëm

Sot filloi rigjykimi për rastin e “Besa Trans” ku tragjikisht humbën jetën 45 persona, raporton Alsat. Rigjykimi erdhi, pasi Gjykata e Apelit në dhjetor 2024 pranoi ankesat e të akuzuarve dhe shfuqizoi vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg. Lënda tani ka filluar nga e para në Gjykatën Penale, ku në bankën e të akuzuarve është ulur sërish Haxhiu dhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”.

Haxhiu edhe kësaj here, para gjykatës deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën që organi i akuzës ia ngarkon, ndërsa njëjtë sikur ai, u shpreh edhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans BTB”, Arif Kovaçi.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Aktgjykimi u shpall me 7 mars. Pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burgim ndërkaq kompania u detyrua të japë 800.000 denarë dëmshpërblim.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.