Ballina Aktualitet Seanca e fundit e Parlamentit, nesër deputetët votojnë ligjet e mbetura! Kuvendi...

Seanca e fundit e Parlamentit, nesër deputetët votojnë ligjet e mbetura! Kuvendi i ri mblidhet në 10 shtator

Nesër Parlamenti do të zhvillojë mbledhjen e fundit, duke mbyllur kështu legjislaturën e X. Ligjërisht deputetët do të vazhdojnë të mbajnë mandatin e tyre deri në 9 shtator, por nga java e ardhshme ata s’kanë më pushtet të miratojnë ligje.

Seanca nesër ka 10 çështje për të diskutuar mes të cilave raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, ndryshimet në buxhet si dhe disa ligje që lidhen me forcat e armatosura apo edhe miratimin e strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.

Ndërsa raportimi në Kuvend i institucioneve të pavarura nga SPAK tek Prokurori i Përgjithshëm u shty për në vjeshtë e do të realizohet nga deputetet që dolën nga zgjedhjet e 11 majit.

Më shumë se 100 projektligje të propozuara nga deputetët nuk u shqyrtuan në këtë legjislaturë dhe ato zerohen me fillimin e punës nga Parlamenti i ri. Mes ligjeve që sollën debate në këto 4 vite, por nuk u miratuan kurrë janë nismat për të nxjerrë jashtë Parlamentit personat që kanë bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit, janë draftet e PD për të ndryshuar kushtetutën dhe për të rikthyer koalicionet zgjedhore, propozimet e opozitës për një ndarje të re territoriale e deri nismat e deputetëve për vendosjen e minimumit jetik, për statusin e minatorit apo për ish-të përndjekurit politikë.

Në këtë legjislaturë qeveria e mbështetur nga  78 deputetë nuk pati problem për të miratuar ligje apo reformat e nevojshme për të drejtuar vendin. Por ajo që shënjoi më shumë këtë parlament; ishte përplasja brenda partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike pas shpalljes non grata të liderit të saj historik Sali Berisha dhe vendimit të kryetarit Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Edhe pas 4 vitesh PD nuk arriti të bashkohej e sot deputetët e saj janë të grupuar në 3 parti politike.

Në 10 shtator do të mblidhet parlamenti i ri e 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të nisin mandatin për 4 vitet e ardhshme./vizionplus.tv