Ballina Blog Faqe 388

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, LDK pa kandidat, Hoti: Ende s’e kemi diskutuar

Kryeministri në Detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja nuk e ka ende emrin e kandidatit për kryeministër.

Në një konferencë për mediat Hoti ka theksuar se deri më tani nuk është diskutuar asgjë në lidhje me këtë çështje.

“Ende nuk e kemi diskutuar çështjen e kandidatit për kryeministër”.

Hoti para mediave shtoi se viti që po lëmë pas ka qenë sfidues për shkak të pandemisë, por që sipas tij Kosova ka arritur ta menaxhojë.

“Të gjithë jemi përballur me virusin. Kosova renditet në mesin e vendeve që më së miri kanë menaxhuar pandeminë. Ministri Zemaj ka punuar shumë në sigurimin e vaksinës”, tha ai.

Ndryshe, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kandidati për kryeministër nga kjo parti do të votohet nga organet vendimmarrëse të partisë. /abcnews.al

Ndërron jetë i riu nga Zhuri i Prizrenit, Edon Badalli

Është ndarë nga jeta në moshë të re Edon Badalli nga fshati Zhur i Prizrenit.

Lajmin për vdekjen e të riut nga Zhuri e kanë dhënë familja dhe të afërmit e tij, duke njoftuar se varrimi do të bëhet nesër në varrezat e fshatit./04 Online

Ndahet nga jeta gazetari i mirënjohur shqiptar

Ndahet nga jeta Lek Plani, gazetar i mirënjohur i Radio Shkodrës, Deutsche Welle në shqip, si dhe i mediave lokale.

Plani ndërroi jetë këtë të mërkurë, ndërsa mësohet se ishte infektuar prej ditësh me koronavirus.

Lajmin e trishtë e ka dhënë kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në qarkun Shkodër, Gasper Marku.

“Lajm tronditës! Sapo më njoftuan, se gazetari i mirënjohur i Radio Shkodrës, TVSH, Deutsche Welle në shqip, si dhe i mediave lokale Lek Plani, ndërroi jetë në Tiranë. Për orarin e ceremonisë së varrimit do të njoftohet në një moment të dytë. Ngushëllime familjes “Plani”, pushofsh më paqe, kolegu, shoku, miku ynë i mirë, Lek”

NDAHET NGA JETA VEPRIMTARI I ÇËSHTJES KOMBËTARE, NEZIR GASHI

Ka ndërruar jetë veprimtari dhe ish i b u r g o s u r i politik, Nezir Gashi nga Graboci i Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili e ka vlerësuar si një njeri të urtë e punëtor që tërë jetën ia kushtoi kauzës tonë për liri dhe pavarësi.

Nezir Ibish Gashi i lindur më 21 prill 1934 në Mamurras të Shqipërisë, është veprimtar i kauzës së shenjtë kombëtare.

Nezir Gashi ka qenë i b u r g o s u r politik në vitet: 1964, 1981, 1984 dhe 1997. Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës gjatë viteve 1998-2001.

Ky është statusi i Mustafës:

Sot, në 31 vjetorin e themelimit të LDK-së, me pikëllim mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta bashkëpunëtorit tonë dhe veprimtarit të palodhshëm të LDK-së, Nezir Gashi.

Veprimtarin Nezir Gashi do ta kujtojmë çdo herë si atdhetar, intelektual, njeri të urtë e punëtor që tërë jetën ia kushtoi kauzës tonë për liri dhe pavarësi.

Vdekja e tij nuk është humbje vetëm për familjen por edhe për të gjithë miqtë, Komunën e Pejës dhe LDK-në.

Në emrin tim personal dhe të LDK-së i shpreh ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Pejës.IM

Ndahet nga jeta biznesmeni i njohur shqiptar

Është ndarë nga jeta biznesmeni i njohur nga Suhareka, Hysen Bytyçi.

Lajmin për vdekjen e Bytyçit e kanë dhënë familjarët dhe të afërmit e tij. Ju kujtojmë se Bytyçi ishte pronar i Restaurant “Venecia” dhe argjendarisë “Diakos” në Suharekë./04 Online

Tre persona “kapen me presh në dorë” në Zhelinë, afër pikës së pagesës rrugore në autostradën Tetovë-Shkup

Mbrëmë rreth orës 19:30, në autostradën Tetovë-Shkup, afër stacionit të pagesave rrugore Zhelinë, efektivët e policisë të SPB Tetovë kanë vënë pas hekurave personat me inicialet B.S. (31), A.Sh. (32) I.H. (31), të tre nga Gradeci i Gostivarit. Gjatë kontrollit të kryer ndaj tyre dhe në makinën e tipit “Mercedes” me targa të huaja, e drejtuar nga B.S., është gjetur k o k a i n ë, njofton SPB-Tetovë, transmeton Tetova News.

Të tre personat janë mbajtur në Stacionin Policor të Tetovës dhe pasi çështja të sqarohet dhe dokumentohet plotësisht, do të vijojnë parashtresat adekuate./TN

Karakaçanov: Maqedonasit urrejnë bullgarët dhe shqiptarët, i duan serbët

Zëvendës kryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, ka lëshuar sërish deklarata provokuese ndaj Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për “BNT”, ai tha se ndoshta ndonjë ditë do të dalë se edhe Jezu Krishti ka qenë maqedonas. Sipas tij Sofja nuk i ka vendosur veto Maqedonisë, por vetëm ka lënë hapësirë që të fillojnë negociatat kur RMV të përmirësohet. Karakaçanov i ka ftuar politikanët maqedonas, që ta ndërtojnë historinë mbi baza të fakteve autentike.

Krasimir Karakaçanov, zv/kryeministër I Bullgarisë

“Këtu prej kohës së Jugosllavisë popullata trajnohet të urrejë, arsimohet të urrejë bullgarët, shqiptarët, grekët, ndërsa të dojë vetëm Beogradin dhe serbët. Gjithçka tjetër duhet të urrehet. Për ata ne jemi tatar, fashist dhe okupator. Do të dalë që maqedonasit ekzistojnë që nga koha e apostol Pavles, ndërsa Jezu Krishti ka qenë maqedonas. Vetëm ne bullgarët jemi fis i poshtëm”.

Arben Taravari bashkë me Rufi Osmani, çka i bëri bashkë?!

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka publikuar një foto bashkë me ish-kryetarin e komunës, Rufi Osmani, që konsiderohet një figurë e çmuar ndër shqiptarët në Maqedoni.

Taravari këtë foto dhe takim ku është edhe deputeti Halil Snopçe ka përzgjedhur sot me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, përcjell INA.

Ai me këtë rast ka përcjell edhe një porosi për qytetarët.

“Festat e veçanta festohen me miq të veçantë.
Në festën e Ditës së Komunës me z.Rufi Osmani që është një nga kryetarët historik dhe simbolin e flamurit kombëtar shqiptar, personaliteti i tij firmosi një nga periudhat më të ndritura të qytetit tonë dhe me një mik të dashur e bir të devotshëm të qytetit si është deputeti Halil Snopçe”, ka nënvizuar Taravari.

23 dhjetori është dita e komunës së Gostivarit.(INA)

Ali Ahmeti, njeriu me shtatë zemra

Burim Bekteshi

Ku është i madhi shoku im, heroi im. Por jo vetëm heroj im, por i mbarë shqiptarve.

Shumica e popullit shqiptar e pyesin njëri thetrin si është e mundëshme që gjithë shqiptarët e duan ALI AHMETIN? Sepse ky është njeriu i besës, ky është njeriu me 7 zemra.

Ky është që ka sakrifikuar për popullin shqiptar si askush tjetër, prandaj populli e don. Mirëpo unë, BURIM BEKTESHI, e dua më së shumti.

Gastronomia shqiptare nga Iliria në ditët e sotme, çfarë kemi humbur (VIDEO)

Shefi i kuzhinës Gëzim Musliaka i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” bëri një përmbledhje të shkurtër, por të jashtëzakonshme mbi historinë e gastronomisë shqiptare duke filluar nga Iliria në ditët e sotme.

Ja çka tha studiuesi i kësaj historie krejt të panjohur:

Tani iu sugjerojnë njerëzve që të bëjnë ato gatimet tradicionale dhe gjelin e detit mirë është që ta blejnë që tani. me të brendshmet të bëjnë një supë me atë lëngun, përsheshin e gjelit me kulaç apo zemrën e bukës së misrit më mirë, se miell misri ose marinimin ta bëjnë me lëngun e vet me pak presh dhe nenexhik. Kjo është karakteristikë tradicionale e jona, se gjeli i detit dihet që ka ardhur nga Amerika. Janë shumë që nuk i dihen rrënjët, por kthehen në identitare, identitetet ndryshojnë përballen me kultura dhe popuj. Ajo që krijohet dhe ndikon tek njerëzit janë produktet dhe teknikat, është regjistrimi jonë gjenetik sesi akomodohemi ne me shijen që nga mikroklima deri tek shija.

Kemi shumë pjata që origjinën e kanë kolumbiane, kanë ndikuar shumë rol në Mesjetë. Amerika me produktet hoqi urinë në Evropë por futi produkte shumë të mira që kapi nga shtresat e ulëta të popullit deri tek pjesa e parë. Ka ardhur patatja, mistri, kultura e specave djegës. Dhe Evropa çoi. Tani që po shkruaj “Gastronomia Shqiptare” duhet që të evidentojmë pjatat tradicionale se për të thënë autentike është një gjë e madhe. Autencitetin tek ne e përbën Tava e Elbasanit dhe e kam trajtuar gjerësisht teknikën e saj dhe për kohën sesi kanë arritur ta bëjnë sepse kushti ishte që të ishte qingj i tredhur që të kapte cilësinë maksimale me dhjamin brenda.

Pjesa çame kanë qenë blektorë të mrekullueshëm, prandaj kuzhina e tyre ka qenë kaq e mirë se ka qenë e mbështetur mbi prodhime blektorie. Kjo tava e Elbasanit deri tek pjesa e ballokumes është identitare e jona, ashtu si janë dhe shumë produkte të brumërave. E kemi kalimin nga pjesa sintetike mesjetare tek ajo analitike që është më e përparuar e kemi dhe në Shqipëri. Ka një libër shumë të bukur për kostumet të Andromaqi Gjergji, ka bërë analizën sesi popujt japin dhe marrin midis tyre. Thotë që është pjesa identike ilire opinge apo fustanella jonë në të gjitha krahinat tona dhe latinët e helenët e kanë marrë nga ne.

Përcakton në mënyrë të dokumentuar autorë të huaj që shumë nga elementët ilirë, pellazgë apo trakë por ne kemi një pjesë që na mungon e osmane të cilën e hoqën të gjithë trashëgiminë tonë romake kristiane, bizantine prandaj e kemi pak më të vonë rilindjen. Ndërsa tek rilindja jonë, krijimi i kuzhinës qytetare shqiptare është elementi kyç dhe aty fillon ngritja qytetare shqiptare. Në përshkrimet që ka bërë Eqerem Bej Vlora duket që është kaq mendjehapur dhe gastronom ashtu si është Umberto Eco tek Varreza e Pragës. Këta futen në receta për të dhënë sensin e shijes, për të thënë që ky ushqimi nuk është vetëm për t’u konsumuar se ti ke nevojë për kalori. në vite ka ndryshuar raporti në proteina, karbohidrate dhe i yndyrnave.

Tani neurologët thonë që neuronet janë shumë të ndjeshme dhe sidomos transmetimi ndërqelizor duhet bërë ndryshimi krah rritjes së yndyrnave. Ne e bëjmë ushqimin që ta shijojmë, është një vepër arti pjata dhe që shijohet nuhatet, shijohet dhe perceptohet. Ka dhe pjesën e regjistrit, ka 40 mijë sirtare trupi që bën efektin retro të shijes të aromave, një efekt i jashtëzakonshëm memorie kur të lidh me ngjarje të caktuara. Lum ai që e ka këtë bagazh, dhe prandaj njeriu ka nevojë të mësojë historinë prandaj po shkruaj dhe historinë botërore të gastronomisë, të artit kulinar, e transformimit të lëndës së produktit si objekt gatimi. Kjo është një histori botërore që fillon nga pjesa e antikitetit që ka patur një sjellje të jashtëzakonshme, antikiteti romak që e kaloi në një nivel më të lartë jo vetëm në nivelin e shërbimit.

Platoni thoshte çfarë moshe duhet të pimë dhe si duhet të pimë dhe në asnjë rast nuk rekomandohej të mos pish verë, duhet të pish por në funksion të shëndetit të mirë, në funksion të mendimit të mirë. Transmetimi i ideve dhe gjithë asaj filozofisë së lartë dhe gjithë asaj që kishin arritur grekët në kultivimin e mendimit çalonte në një pikë. Mrekullia greke kishte një defekt shumë të madh të cilin e korrigjuan romakët. Çalonte njësia bazë gastronomike që ishte familja dhe pozicioni i gruas. Gruaja nuk kishte të drejtë as në trashëgimi dhe as në edukim. Rokët e kaluan këtë dhe e korrigjuan në mënyrë shumë të mirë.

Por u përballën me një problem shumë të madh që e solli sistemi civitas të cilët duke populluar Romën, u përball me urinë dhe u detyrua që gjithë hapësira që kishte në funksion të tokës së punueshme ta kalonte për drithëra. Mbollën vreshta deri në 1300 metra mbi nivelin e detit deri në Tepelenë, tani janë gjetur në pyje ku depozitohej vera dhe kimikate të thjeshta që shërbenin për kultivimin e hardhive. Në fundin e viteve 90 ne kishim 20 mijë hektarë vreshta, 116 kultivarë autoktonë shqiptarë, 25 kantina nga të cilat ishin të nivelin botëror. Kjo ishte një humbje e madhe në vitet ’90 sepse ishte investuar kaq shumë. Tipari dallues i joni ka qenë buka, vera dhe vaj ulliri.

Vjosa Osmani përfundon takimet me palët politike, ja kur do të caktohet data e zgjedhjeve në Kosovë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfunduar takimet me palët politike.

Në një komunikim zyrtar, ajo ka thënë se sapo të pranohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses do të caktohet data e zgjedhjeve.

“Në takime është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pas përfundimit të takimeve dhe diskutimeve përmbajtësore me të gjitha subjektet politike u.d. Presidentja Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. U.d. Presidentja do të mbajë takime edhe me KQZ-në si dhe institucione të tjera relevante në mënyrë që organizimi i zgjedhjeve të bëhet sipas standardeve më të larta”, thuhet në komunikatë.

Fatos Klosi paralajmëron zhvillime në Kosovë, zbulon ‘skenarin’ e Albin Kurtit

Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese i habiti kosovarët me vendimin për zgjedhjet.

“Gjykata Kushtetuese i habiti kosovarët me vendimin për zgjedhjet.

Populli ka parë shumë gjatë këtij viti, votimet që do vijnë shpresoj që do reflektohen çfarë populli ka dhe populli është bërë më i ndërgjegjshëm.

Vetëvendosje e ka kërkuar këtë situatë pasi shpreson se pas asaj që ndodhi do të marr më shumë vota dhe e shikon veten në ngjitje.

Vetevendosja mund të kërkojë ndonjë aleancë me të kollajshme”, tha Klosi.

E bëri rrugë, Papa bën sërish “like” foton e modeles (FOTO LAJM)

Papa Françesku ‘çoi’ sërish Vatikanin në këmbë.

Muaj më parë, bëri bujë në të gjitha mediet ndërkombëtare lajmi se Papa Françesku ka pëlqyer fotografinë e një modeleje.

Pëlqimi i fotografisë së modeles, e cila ishte shfaqur tejet provokuese në imazhin në fjalë, është diskutuar gjerë e gjatë.

Madje, Vatikani kishte kërkuar sqarim nga Instagrami, ngase nuk dihej se nga kishte ardhur “like”, meqenëse dikush tjetër e menaxhon llogarinë e Papës.

Por, e njëjta llogari ka “trazuar” sërish ujërat, kjo për faktin se tani është pëlqyer një fotografi e një modeleje tjetër.

Margot Foxx është modelja që mori pëlqim nga llogaria e Papës, në foton tejet provokuese ku shihet e veshur me bodysuit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë modelja në Twitter.

Ajo ka shpërndarë një fotografi ku shihet emri i Papës në mesin e personave që ia kanë pëlqyer fotografinë.

Kjo pasoi fotografinë e Natalia Garibottos, e cila kishte bërë bujë në rrjet, pas pëlqimit shumë të komentuar të Papa Françeskut.

Përmbaruesit ua morën ndihmën prej 6 mijë denarëve qytetarëve

Dhjetëra qytetarë presin radhë para bankës për të marrë 6000 denarë – nga pakoja e katër e masave të Qeverisë. Paratë, për dallim nga masa paraprake që mundej të përdoreshin vetëm për blerjen e produkteve vendore, kësaj here qytetarët paratë mund t’i marrin edhe kesh dhe t’i shpenzojnë pa afat dhe kufizime. Shumica e tyre nuk janë të informuar, nuk e dinë a u takon ndihma, andaj presin radhë që të shohin nëse u janë transferuar këto mjete në llogaritë e tyre.

Kam dy fëmijë që nuk punojnë, nuk e di nëse do të marrin, ende nuk dihet. Tani pres që tu tregoj se a ka apo jo.

Bashkëshortja ime ka të ardhura prej 10 mijë denarëve, por ende nuk i ka marrë. A do të marrë nuk e di.

Po, do t’i marr, andaj po pres. Nuk kam marrë herën e kaluar, kjo është hera e parë.

Do shohim tani, nuk e di, andaj kam ardhur.

Nga ana tjetër nga Shoqata “Njeriu mbi profitin” thonë se deri te ata kanë arritur dhjetëra ankesa nga qytetarët që nuk mund t’i marrin 6 mijë denarët për shkak se përmbaruesit ua kanë bllokuar llogarinë.

“180 mijë llogari të bllokuara të personave fizik, që është pjesa më e madhe e qytetarëve që u janë bllokuar llogaritë dhe nuk mund t’i marrin ato para. Ja do ju lexoj një ankesë që arriti para gjysmë ore – “Përshëndetje Ana, mjete nga masa e katër më takojnë mua dhe mjete më janë transferuar në një bankë, por nuk ka mënyrë për t’i marrë për shkak se më është bllokuar llogaria. Nuk e di ku të drejtohem. A ka zgjidhje? Dua të mbetem anonime”, shkruan Ana Gligorova, nga shoqata “Njeriu mbi profitin”

Kërkojnë nga Qeveria zgjidhje, përkatësisht përmbaruesit të vendosin moratorium për këto para që të mund t’i shfrytëzojnë qytetarët që nuk kanë fare të ardhura. Nga Qeveria thonë se kanë bërë gjithçka që qytetarët të mund t’i marrin paratë. Megjithatë nuk kanë përgjigje konkrete për këtë problem.

“Qeveria ka bërë gjithçka që të largojë të gjithë procedurat administrative që kjo ndihmë të arrijë deri te rrethi më i gjerë i qytetarëve. Për këtë që po pyetni, Qeveria nuk ka debatuar, nëse ka diçka në rend të ditës dhe si ide apo si vendim do ta ndajmë me opinionin”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Mbështetja financiare është destinuar për pothuajse 283,000 qytetarë nga kategoritë e rrezikuara. Nga 6 mijë denarë në llogaritë e tyre do të marrin qytetarë me të ardhura të ulëta, pensionistë me pension më të ulët se 15 mijë denarë, të rinj nga mosha 16 deri 29 vjeç, prindër të vetëm dhe fëmijë pa prindër, shfrytëzues të së drejtës për siguri sociale të të moshuarve, artistët dhe persona të tjerë të angazhuar në veprimtari kulturore./TV21

Mërgimtarët gjallërojnë bizneset në rajonin e Pollogut (VIDEO)

Këto pamje i kanë munguar Tetovës që prej afro një viti. Mos ardhja e mërgimtarëve për një kohë të gjatë në vendlindje si pasojë e pandemisë, bëri që rajoni i Pollogut të duket i boshatisur. Por javës së fundit, gjallëria është kthyer në qytet. Me ardhjen e mërgimtarëve, edhe bizneset kanë filluar të frymojnë më lirshëm.

“Vërehet shumë ardhja e tyre. Kemi edhe lëvizje nëpër lokalet tona, kështu që vërehet shumë ardhja e tyre. Nuk i prisnim në fakt po na befasuan. Nëse nuk janë ata, Maqedonia “vdes” kaq mund të them, sepse nëse nuk janë ata ne nuk kemi punë pothuajse aspak”.

“Shumë më mirë është, që nga dita e hënë shumë më mirë është në krahasim me gjashtë muaj si kemi qenë, lëvizja është shumë më e mirë. Ndryshimi është i madh, lëvizja është më e madhe, presim ende më mirë të jetë”.

Megjithatë si çdo herë, autoritetet komunale pa zgjidhje për mungesën e vendeve për parkim. Nga Sektori i punëve të Brendshme, me ardhjen e mërgimtarëve, kanë shtuar dhe masat e sigurisë në komunikacion.

Presim që numri të rritet ende më shumë deri në fundjavë, kështu që, apelojmë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore të komunikacionit. Me veturat e tyre të dalin vetëm sipas nevojave që t`iu japim një mundësi më tepër mërgimtarëve që të kenë hapësirë më të madhe për t’u parkuar sepse e dimë se sa është kapaciteti i Tetovës me parkingjet – deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

“Në mungesë të vendeve të nevojshme të parkimit, Komuna e Tetovës ka hapur dyert e oborreve të disa shkollave me qëllim të lirimit të qytetit dhe më tepër vendeve për parkim për mërgimtarët”./alsat

https://youtu.be/YCl0O7hpyLw

Aksident tragjik në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një 31-vjeçare shqiptare ka humbur jetën, si pasojë e një aksidenti.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 17:30 në Casalmaggiore të Cremona-s. Mediat italiane e kanë identifikuar 31-vjeçaren me iniciale N.G, e cila po kthehej me biçikletë nga një qendër tregtare, ku u përplas nga një makinë, që drejtohej nga një grua 56-vjeçare.

31-vjeçarja ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, pasi nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra.

Mediat italiane shkruajnë se kjo rrugë është bërë shpesh burim aksidentesh fatale, kryesisht për shkak të errësirës dhe mungesës së sinjalistikës.

GJINIA DRAMATIKE

Nga Xhelal Zejneli

            Në antikitet, llojet dramatike – tragjedia dhe komedia – shkruheshin në vargje. Sot shkruhen në prozë. Në vargje i shkruan tragjeditë, Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Aristofani (445-385 para erës sonë) komeditë e veta i shkruante në vargje. Njëzet shekuj më vonë, edhe Shekspiri tragjeditë e veta i shkruante në vargje.

TRAGJEDIA – Është lloji më i lartë i dramatikes në letërsinë antike greke. Lulëzoi në shekullin V para epokës sonë. Gjenezën e ka prej riteve të lashta kushtuar Perëndisë Dionis. Ky ishte Perëndia i natyrës, i jetës, i pranverës. Ceremonitë përcilleshin me instrumentin muzikor lyrë. Këngëtarët ndërkaq ishin me maska. Më vonë, ky grup i këngëtarëve u shndërrua në kor. Kori e kishte edhe udhëheqësin e grupit, Korifeun. Nga këto ceremoni lindi tragjedia.

Tragjedian i parë ishte Tespisi. Pas tij vijnë Eskili (525-456 para erës sonë), Sofokliu (496-406 para erës sonë) dhe Euripidi (485-406). Vepra të Euripidit ishin: “Prometeu i lidhur”, “Orestia”, “Persët” etj. Vepra të Sofokliut ishin: “Mbreti Edip”, “Antigona”, “Elektra” etj. Vepra të Euripidit ishin: “Medea”, Ekuba”, “Ifigjenia në Aulidë” etj. Veprat e tyre janë përkthyer në gjuhën shqipe, nga origjinali.

Tema të tragjedive kanë qenë ngjarjet madhështore tragjike. Në tragjedinë “Prometeu i lidhur” Eskili mori nga mitologjia temën e dënimit tragjik që iu dha nga Perënditë Prometeut, pasi ai vodhi shkëndijën për t’u ndihmuar njerëzve në tokë.

Në tragjedi autori përdor stil të lartë, gjuhë të zgjedhur, pra jo të përditshme.

Tipare të tragjedisë antike greke ishin: stili i zgjedhur, ngjarja madhështore dhe tri njësitë e dramës (vendi, koha, ngjarja). Këto tipare u ruajtën edhe në kohën e Rilindjes evropiane (Renesancës) dhe të klasicizmit.

Tragjedia evropiane dhe botërore arriti kulmin me tragjediografin anglez Uilliam Shekspir (1564-1616). Tragjedi të njohura të tij janë: “Hamleti”, “Makbeti”, Mreti Lir”, “Jul Cezari” të përkthyera në shqip nga Fan Stilian Noli (1882-1965). Tragjedi e njohur e Shekspirit është edhe “Romeo dhe Zhylieta” etj. Dilema e Hamletit apo dilema hamletiane “Të rrosh, a të mos rrosh – kjo është çështja”, është një dilemë njerëzore e përhershme.

KOMEDIA – Është një lloj tjetër i dramaturgjisë. Gjenezën e komedisë e gjejmë në rritet religjioze të Greqisë antike, lidhur me perëndinë Dionis.

Komedia si lloj letrar dramaturgjik, ka për bazë qesharaken dhe komiken. Ajo thumbon veset njerëzore të individit duke shprehur tolerancë për të. Në komedi shfaqen anët qesharake të jetës dionisiane. Kulmin e saj në antikitet e arriti me Aristofanin (445-385 para erës sonë) në shekullin V para erës sonë. Filozofi gjerman Fridrih Engels e quajti baba të komedisë antike.

Më vonë, në Greqinë e lashtë e kemi komediografin nga Athina Menandar (343-291 para erës sonë). prej 105 komedive të tij i njohim sot fragmentet e komediografëve romakë Plautit dhe të Terencit.

Komediograf i madh romak ishte Plauti (Tit Makacie Plaut, 254-184 para erës sonë).

Komedia është më e afërt me jetën e përditshme. Një prej veprave të Aristofanit është komedia “Bretkosat”. Komediograf i njohur romak ishte edhe Terenci (Publie Terencie Afer, 195-159 para erës sonë), me prejardhje nga Kartagjena në Afrikë.

Në epokën e Renesancës e kemi komedinë “Mandragola” të shkrimtarit italian Nikolo Makiaveli (1469-1527). Kjo vepër konsiderohet si e para komedi moderne e teatrit evropian, ngase e dha pasqyrën e kohës së vet. U shkrua në prozë në pesë akte. Përpunon fabulën nga “Dekameroni” i Xhovani Bokaços (1313-1375) për marrëzinë dhe mendjelehtësinë njerëzore, duke dënuar shoqërinë amorale të kohës së vet.

Komediografi spanjoll Lope de Vega (1562-1635) heq dorë nga rregullat e tri njësive. Ai është nismëtar i komedisë së zakoneve dhe të intrigave në Spanjë.  

Komedia i ka edhe nënllojet e veta: Komedia e karaktereve në të cilën komediografi thumbon një tip të caktuar të karakterit njerëzor: etjen për pushtet, mizantropin, koprracin, frikacakun, karrieristin etj. Komediografi francez Zhan-Batist Molieri (1622-1673) shkroi komedi karakteresh, siç janë: “Koprraci”, “Tartufi”, “Mizantropi”, “Don Zhuani”,  etj.

komedinë e situatave qesharakja, komikja e satirikja shpërthejnë nga situata jetësore, situata në të cilat mund të ndodhet një individ apo më shumë individë. Komedia “Revizori” i tregimtarit dhe dramaturgut rus me prejardhje nga Ukraina Nikollaj Vasileviç Gogol (1809-1852). Gogoli dhe poeti lirik, tregimtari dhe dramaturgu rus Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837) konsiderohen themelues të prozës moderne ruse, duke ia hapur dyert realizmit dhe problemeve shoqërore në letërsi. Komedia “Revizori” (1836) e Gogolit ndërtohet mbi bazën e ngatërrimit të situatave. Kjo komedi mund të konsiderohet edhe si komedi karakteresh ngase disa prej personazheve janë mashtrues. Ky lloj komedie quhet edhe komedi intrigash. Shembull tipik i komedisë së intrigave është komedia “Letrat e humbura” të komediografit rumun Kraxhale.

Ekzistojnë edhe komedi shoqërore ku përqeshen sistemet regresive.          

Në letërsinë shqiptare janë të njohura komeditë e Kristo Floqit (1873-1951) nga Korça. Ishte dramaturgu më i popullarizuar i gjysmës së parë të shekullit XX. Është autor i 17 komedive: “Qerthulli politik”, Tiranë 1922; “Dhëndër me përdhuni”, botuar në “Dielli” të Bostonit më 1912; “Vllazni e interes”; “E bija e bankierit”, “Burri – burrë” etj.

Drama të tij janë: “Fe e kombësi” (1909), “Karllo Topia” (1916); tragjedia “Pirro Neoptolemi” (1923); “Triumfi i lirisë”, Korçë 1938.

DRAMA – Drama si lloj i dramaturgjisë, në krahasim me tragjedinë dhe komedinë është relativisht e re. Peshën e vet e fitoi në shekullin XVII, sidomos në Francë. Lindi nevoja që artin skenik, përveç tragjedisë dhe komedisë, të paraqitet edhe forma më e re e kësaj gjinie – drama. Këtë nevojë e imponoi vetë jeta e njeriut e cila nuk është e ndarë në mënyrë konvencionale: Njëra faqe e jetës është tragjike, ndërsa faqja tjetër – komike.

Për dallim nga tragjedia, drama nuk kufizohet vetëm në temën e kaluarës dhe e mitologjisë, por merr tema edhe nga përditshmëria, duke përfshirë personazhe nga jeta e zakonshme dhe duke i vënë ata në pozita tragjike. Tragjedia përdorte një stil dhe gjuhë të zgjedhur, ndërsa stili dhe gjuha që përdor drama është ajo e njerëzve të zakonshëm.

Drama si lloj më fleksibpël, mori mbi vete pjesë, si të tragjedisë, ashtu edhe të komedisë. Gradualisht, drama filloi të shkëputet nga tragjedia. Ajo nisi ta nxjerrë tragjedinë nga përdorimi, njësoj si romani me epin. Edhe drama mund të ketë fund tragjik, njësoj si tragjedia, por jo në bazë të skemave dhe të rregullave antike dhe klasike. Heroi tragjik i tragjedisë ka fund tragjik, ndërsa në dramë fundi i heroi nuk është përcaktuar.

Me fjalë të tjera, drama e ka plotësuar atë përmbajtje jetësore të cilën nuk mund ta plotësonte as tragjedia, as komedia, si dy forma të skajshme të jetës së njeriut.

Dramaturgë të njohur të shekullit XX janë dramaturgu norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), novelisti dhe dramaturgu rus, me profesion mjek, Anton Pavlloviç Çehov (1860-1904), shkrimtari italian, laureat i çmimit “Nobel” (1934) Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1867-1936), liriku dhe tregimtari gjerman, teoricien i dramës dhe teatrit socialist modern Bertolt Brehti (Bertolt Brecht, 1898-1956) etj.

Kah mesi i shekullit XX lindi në Francë edhe antidrama me tregimtarin lirik dhe dramaturgun irlandez, laureat i çmimit “Nobel” (1969) Semuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989), dramaturgun francez me prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugene Ionesco, 1912-1994) etj.

*   *   *

Tradita e llojeve dramatike në letërsinë shqiptare është e re. Me fjalë të tjera, në letërsinë shqiptare, dramaturgjia nuk ka një traditë të pasur. Figura kryesore e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, Jeronim De Rada (1814-1903), shkroi një pjesë teatrore në shqip, të cilën për arsye botimi e përktheu italisht. Kjo ishte tragjedia historike 75-faqëshe “Numidët” (I Numidi), Napoli 1846.  

E para dramë origjinale në gjuhën shqipe është “Emira” e shkrimtarit arbëresh Françesk Anton Santorit (1819-1894). Disa pjesë të saj u botuan në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës, në vitin 1887. Më 1896, u botua në antologjinë shqiptare të De Radës. Më 1984 u ribotua nga shkrimtari arbëresh me prejardhje nga një familje çame, Françesko Solano, i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo (1914-1999).

Prifti dhe poeti françeskan, me prejardhje nga fshati arbëresh Greçi i krahinës së Avelinos, Leonardo De Martino (1830-1923), në vitin 1880 botoi në Shkodër një pjesë teatrore të shkurtër fetare me titull “Nata Këshnellavet”, e para e llojit të vet në shqip.

*   *   *

Shkrimtari Mihal Grameno (1871-1931) nga Korça është autor i komedisë me tri akte në vargje “Mallkimi i gjuhës shqipe”, Bukuresht 1905, me ngjarje të ndodhura në Korçë në vitin 1886, e që i satirizon orvatjet greke “për t’i qytetëruar” shqiptarët. Grameno është edhe autor i tragjedisë me temë historike në katër akte “Vdekja e Pirros”, Sofje 1906, për mbretin e Epirit (319-273 para epokës sonë.

Poeti i Rilindjes së vonë Andon Zako Çajupi (1866-1930), i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Egjipt, është autor i tragjedisë në vargje, të shkruar në vitin 1907, “Burr’i dheut”, Kajro 1937. Çajupi shkroi edhe komedinë me një akt “Pas vdekjes”, 1910. U botua në Kajro më 1937 nga Sofokli Çapi. Komedia në katër akte në vargje “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” po ashtu mbeti e pabotuar sa qe gjallë autori.

Gjergj Fishta (1871-1940) është autor i disa dramave: “Shqiptari i gjytetnuem” (1911), “Shqiptarja e gjytetnueme” etj. Fan Noli (1882-1965) është autor i tragjedisë me 48 faqe, në tri akte “Israilitë e Filistinë”, Boston 1907.

Drama kanë shkruar edhe: Namik Selim Delvina (1875-1933) është autor i dramës në tetë akte “Dashuria e mëmëdheut”, Selanik 1909; Shtjefën Gjeçovi (1873-1929); prifti jezuit Anton Xanoni (1862-1915); Zef M. Harapi (1891-1946); Ndoc Nikaj (1864-1951); Ndre Zadeja (1891-1945); Milo Duçi (1870-1933); Foqion Postoli (1889-1927); Haki Stërmilli (1895-1953); Mehdi Frashëri (1874-1963) etj.

Tragjediograf i njohur ishte Etëhem Haxhiademi (1902-1965) nga Elbasani. Shkroi tragjedi me temë nga historia dhe mitologjia. Tragjedi të tij janë “Ulisi”, Tiranë 1931, “Akili”, Tiranë 1931, “Aleksandri”, Tiranë 1931; “Pirrua” (1934); “Skënderbeu”, Tiranë 1935; “Diomedi”, Tiranë 1936; “Abeli” (1939).

*   *   *

Pas Luftës së dytë Botërore drama kanë shkruar; Sulejman Pitarka (1924-2007), Spiro Çomora (1918-1973), Kolë Jakova (1916-2002), Ndrekë Luca (1927-1993), Andrea Skanjeti (1906-1992), Jonuz Drini (1925-1982), Minush Jero (1932-2006), Ruzhdi Pulaha (1942- ), Xhemal Broja (1918-1986), Ibrahim Uruçi (1925-1989), Selman Vaqari (1928- ), Fadil Kraja (1931- ), Hamza Minarroli (1931- ), Dritëro Agolli (1931-2017), Naum Prifti (1932- ), Dhimitër Xhuvani (1934-2009), Teodor Laço (1936-2016), Maku Pone (1939-2019), Pëllumb Kulla (1940- ), Fahri Balliu (1954- ), Artur Zheji (1961- ), arbëreshi i Zarës, autor i së parës dramë shqipe të shkruar në jugosllavi “Nita” Josip Rela (1895-1966), dramaturgu dhe prozatori nga Maqedonia, i lindur në Elbasan Murteza Peza (1919-1981), Hivzi Sulejmani (1910-1975), Xhemil Doda (1915-1976), Kristë Berisha (1923- ), Jusuf Kelmendi (1927- ), Muharrem Qena (1930-2006), Loni Papa (1932-2018), Anton Pashku (1937-1995), Azem Shkreli (1938-1997), Rexhep Qosja (1936- ), Teki Dervishi (1943-2011), Ymer Shkreli (1945-), Beqir Musliu (1945-1996), Sabri Hamiti (1950- ), Edi Shukriu (1950- ) etj.

*   *   *

Yll i ndritur në fillim të shekullit XX në teatrin evropian ishte Aleksandër Mosiu (1879-1935). Lindi në Trieste. Baba i tij është një shqiptar nga Kavaja. Nëna e tij ishte arbëreshe. Fëmijërinë e kaloi në Trieste, në Durrës dhe në Grac. Në moshën 20-vjeçare, me të ëmën dhe dy motrat u vendos në Vjenë. Me mbështetjen e aktorit austriak Jozef Kainz (1858-1910) aty nisi karrierën e aktrimit. U bë një prej aktorëve më të mëdhenj të skenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Më vonë vajti në Pragë, në Berlin, ku gëzoi mbështetjen e Maks Rajnhardit (Max Reinhardt, 1873-1943). Moisiu e shoqëroi Ansamblin e Rajnhardit në Rusi më 1911 dhe në Sankt Petërburg u ngrit lart nga kritiku dhe dramaturgu Anatoli Lunaçarski (1875-1933) për interpretimin e rolit të Edipit. Përmendet edhe për rolet e Hamletit, Faustit, Fedja në pjesën “Kufoma e gjallë” e tregimtarit, romancierit dhe dramaturgut rus Lev Tolstoj (Lav Nikolajeviç Tolstoj, 1828-1910) dhe Dubedati në “Dilema e doktorit” të shkrimtarit anglez Xhorxh Bernars Shou (George Berard Shaw, 1856-1950). Nga viti 1910 deri më 1935, Moisiu luajti edhe në dhjetë filma. Shtatë prej tyre kanë qenë pa zë. Është autor i pjesës “I burgosuri”. Në të flet për vitet e fundit të Napoleonit në ishullin e Shën Helenës. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935. Prehet në varrezat Markote (Marcote) mbi liqenin e Luganos në Zvicër.

U nda nga jeta veterani i arsimit nga Dëbërca e Tetovës, Fadil Avdija!

“Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”!
Ndërroi jetë veterani i arsimit të fshatit Debërcë, mësuesi Fadil Avdija!

Iku nga kjo botë mësimdhënësi i dalluar dhe i shkëlqyer i fshatit tonë. Një njeri shembullor për të tjerët, mjaft modest dhe gjithmonë i buzëqeshur me një shpirt fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësi vite të tëra ka dhënë një kontribut shumë të madh në arsimimin, edukimin dhe emancipimin e fëmijëve të fshatit tonë gjeneratë pas gjenerate.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të.

Lutemi që i Madhi Zot ta Fal, Mëshirojë dhe ta bëjë nga banorët e Xhenetit të përjetshëm. Amin!, thuhet në një njoftim të publikuar nga faqja I love Dëbërca në fb, transmeton Tetova News.

Ja pse mund të kenë ekzistuar vërtet qytetërimet e përparuara në lashtësi

Shumë studiues, besojnë që ne nuk jemi qytetërimi i parë i përparuar që ka ekzistuar në Tokë. Ata pretendojnë se në prehistori, historinë e paregjistruar, mund të kenë ekzistuar, lulëzuar, rënë dhe humbur një ose më shumë civilizime të përparuara. Ndërsa ky është një koncept i çuditshëm për shumicën e njerëzve, nuk është dhe aq i çmendur sa duket në pamje të parë.

Sidomos nëse kemi parasysh se ajo që mund të ndodhë me ne, mund të shpaloset pa ndonjë paralajmërim. Shanset janë, që nëse jeta fillon përsëri, askush nuk do të mbante mend që ne kishim ekzistuar ndonjëherë. Nëse është kështu, atëherë, kush mund ta thotë se siguri se nuk kanë ekzistuar qytetërimet e përparuara mijëra vjet para historisë sonë të regjistruar?

Stacionet energjitike do të mbyllen shpejt

Nëse bota do të prekej nga një virus i papritur super-ngjitës, do të goditej befas nga meteor, një shpërthim diellor, një luftë bërthamore, apo edhe një pushtim alien, jeta do të zhdukej. Sidoqoftë, shumë prej nesh nuk e kuptojnë se sa e paqëndrueshme është ekzistenca jonë këtu në Tokë.

Le të themi, që shumica dërrmuese e jetës njerëzore do të zhduket, nga ndonjë nga situatat hipotetike të përmendura më lart. Por me siguri që do të kishte të mbijetuar, apo jo? Dhe ata nga do e merrnin energjinë e nevojshme? Meqë nuk do të ketë asnjë person që do të kujdeset për to, stacionet e energjisë, dhe bashkë me të, furnizimi me energji elektrike në botë, do të ndërpritej relativisht shpejt.

Në fakt, shumë prej tyre do të fikeshin për të shmangur ndonjë katastrofë tjetër. Sidoqoftë, me askënd që t’i mbikëqyrte këto procedura, termocentralet bërthamore, ujërat e tyre ftohëse, do të shkonin drejt një shkrirje. Skenarët e llojit të Çernobilit, do të shiheshin kudo përreth planetit.

Të gjitha objektet e krijuara nga njeriu do të zhdukeshin, dhe mbijetonin vetëm objektet e lashta prej guri

Shumica e objekteve të bëra nga njeriu, qoftë nga druri, plastika, metali, ose ndonjë gjë tjetër përveç gurit thjesht do të zhduken. Madje edhe në rrugët që do të pushtohen nga bimësia brenda disa dekadash. Brenda vetëm 10.000 vjetësh, nga të gjitha mbjetjet do të ekzistojnë vetëm ato prej guri.

A është ndonjë çudi që strukturat që kemi trashëguar nga bota e lashtë janë ndërtesat, monumentet dhe statujat e gdhendura nga guri? Por sa prej strukturave tona moderne mund t’i mbijetojnë mijëra, madje qindra mijëra vjetëve në të ardhmen? Ironikisht, do të ishin më së shumti ndërtesat që nga antikiteti, ato që do të mbijetonin ende.

Mitet dhe legjendat

A ka pasur vërtet një përmbytje të madhe, edhe pse vetëm në formën e disa episodeve të përmbytjeve të lokalizuara por të konsiderueshme, që mund të kenë zhdukur tërësisht komunitete të tëra? Fatkeqësi të tilla natyrore, do të dukeshin me siguri si fundi i botës për ato qytetërime që i përjetonin ato.

Dhe çfarë lidhje kanë ato me tregimet e “perëndive” – qenie më të larta me një teknologji të përparuar që sunduan mbi njerëzimin? A janë të vërteta këto legjenda? Apo mund të ketë ndonjë të vërtetë për histori të tilla? Më pak fjalë, do të shohim mundësinë e të mbijetuarve, nga një situatë e tillë e “fundit të botës’.

Po sikur “zotat” e së kaluarës, të ishin të mbijetuarit e një qytetërimi edhe më të vjetër të përparuar? A mund të shpjegojë kjo fuqinë (apo teknologjinë e përparuar) të Zotave? Apo njohuritë e përparuara të perëndive? Sigurisht që ky është një koncept interesant.

Egjipti i lashtë

Nëse shohim egjiptianët e lashtë, është krejtësisht e dukshme dhe madje e pranuar nga dijetarët kryesorë, se ata e kanë nisur qytetërimin e tyre tashmë në kulmin e fuqisë së tyre, dhe më pas pësuan një rënie të përhershme. Për disa studiues, të cilët janë mënjanuar nga shumica e ekspertëve kryesorë, kjo sugjeron që egjiptianët “morën” mbetjet e një qytetërimi të lashtë, “të humbur”.

Nga këto lloje teorish, përgjithësisht pranohen pretendimet e mëtejshme se struktura të tilla të lashta si Piramidat e Gizës, kanë më shumë gjasa të jenë monumente dhe ndërtesa të një shoqërie të tipit Atlantease, në krahasim me punën e vetë egjiptianëve.

Të mbijetuarit, do të reduktoheshin në njerëz të shpellave

Tani, le ta pranojmë që disa njerëz i kanë mbijetuar katastrofës hipotetike të botës moderne. Çfarë do të bëhet me ta? Ata me gjasë nuk do të merren me rikuperimin e teknologjisë së dikurshme, apo gjërave të asaj natyre. Shanset janë, që pasi sistemi të jetë zvogëluar dhe energjia të jetë jashtë funksionit, ata të shqetësohen vetëm për mbijetesën e tyre.

Ata nuk do të jenë më në krye të zinxhirit ushqimor. Pa ndihmën e bollëkut modern të pajisjeve teknologjike dhe ndërtesave të përparuara, shumë njerëz të mbijetuar do të jenë një pre e lehtë për kafshët e egra të uritura. Çdo i mbijetuar, do të ishte i preokupuar me gjuetinë dhe grumbullimin e çfarëdolloj ushqimi, që mund të gjente dhe për strehimin e tij.

Ndërsa brezat zëvendësojnë njëri-tjetrin, do të rikthehej lidhja e njerëzimit me botën “e vjetër”. Nga brezi i tretë dhe i katërt, shanset janë që kujtimet për katastrofën para Tokës, nuk do të qenë të ndryshme nga ajo që mitet dhe legjendat janë për ne tani. Shkurt, jeta do të fillonte sërish nga e para.

Teknologjia e lashtë e avancuar

Shumë nga historianët e mirënjohur, nuk e pranojnë konceptin se shumë nga qytetërimet e lashta, përfshirë egjiptianët dhe sumerët e lashtë, në një moment në të kaluarën e largët, kanë pasur një teknologji të përparuar. Megjithatë, ky koncept mbështet nga shumë dëshmi. Ne mund të shohim në pajisje të tilla si “Bateria e Bagdadit’ ose gjurmët e acideve në tunelet e brendhshme të Piramidës së Gizës, që sugjerojnë një lloj brezi të energjisë elektrike.

Po ç’mund të thuhet për sitet e shumta arkeologjike në mbarë botën, që thuhet se tregojnë shenja të shpërthimeve bërthamore në të kaluarën e largët? Një shembull i shquar është Mohenjo-Daro, të cilin disa studiues, sidomos Dejvid Davenport në librin e tij “Shkatërrimi atomik 2000 vjet Para Krishtit”, kanë vënë në dukje se armët bërthamore janë ndërtuar dhe përdorur shumë kohë më parë. Kjo natyrisht, do të sugjeronte, siç thotë Davenport, se ekzistonte një qytetërim shumë i avancuar.

Listverse – Bota.al

VIDEO/ Erdogan mesazh shqiptarëve: Gëzimi dhe pikëllimi juaj janë edhe tonat, jeni vëllezërit tanë

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, iu është drejtuar shqiptarëve përmes një video-mesazhi.

Referuar rindërtimit në Laç, Erdogan shprehet se Shqipëria është partner i afërt i Turqisë në Ballkan.

“Ne e shohim gëzimin dhe pikëllimin e Shqipërisë, si gëzim dhe pikëllim edhe për ne. Pas tërmetit ne kemi dërguar katër maune me ndihma humanitare. Krahas tyre vendosëm të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë. Pavarësisht pandemisë, ne nënshkruam në korrik invetimin. Ndërsa sot kemi hedhur themelet për këto banesa që do të jenë një strehë e ngrohtë për vëllezërit shqiptarë. Ky është një investim prej 42 milionë eurosh” – tha Erdogan ndër të tjera.

Në mbyllje të fjalës së tij presidenti turk uroi shqiptarët për festën e Vitit të Ri.