Ballina Blog Faqe 514

Eksperti gjerman: Perëndimi nuk e pengon Vetëvendosjen ta bëjë qeverinë e re

Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, dukë thënë se nuk është befasuar shumë me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi një gjë të tillë sipas tij e tregonin të gjitha sondazhet parazgjedhore.

Weber thotë se me gjasë VV dhe LDK do ta bëjnë Qeverinë e re dhe se Perëndimit nuk do ta pengojë këtë, por sipas tij, është po ashtu e rëndësishme se çfarë do të bëhet me Listën Srpska si fituese dhe shumicën e dyfishtë në Kuvend.

Nga Besnik VELIU

“(Fitoren e LVV’së) e shoh si diçka jo shumë befasuese bazuar në rezultatet e të gjitha sondazheve parazgjedhore, megjithatë rezultati duke të jetë shumë i ngushtë. Kjo është herë e parë që nga shpallja e pavarësisë që Vetëvendosje është në prag të futjes në qeveri, madje të drejtojë atë, dhe potencialisht të ketë kryeministrin e ri”, ka thënë Weber .

Analisti gjerman thotë se këtë herë është i sigurt se nuk do të ketë ndërhyrje të shteteve perëndimore për të parandaluar hyrjen në qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje, siç kishin bërë në vitin 2014, gjë që sipas tij ka dëmtuar jashtëzakonisht zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Ndryshe nga viti 2014, këtë herë jam i bindur që nuk do të ketë intervenim të akterëve perëndimorë për të parandaluar VV’në që të hyjë në qeverinë e re, një veprim i cili u dëshmua se dëmtoi zhvillimin demokratik të Kosovës, dhe gjithashtu nuk shërbeu për të parandaluar krizën në dialogun politik” ka shtuar tutje ai.

Weber thotë se nëse do të vërtetohet frika e Perëndimit që politikat e VV-së do të jenë të dëmshme për vendin, atëherë sipas tij do t’iu mbetet qytetarëve të Kosovës që të reagojnë në zgjedhjet e ardhshme

Teksa është pyetur rreth pritjeve që partia e Kurtit të dalë fitimtare, Weber ka thënë se rrethanat në të cilat ka qenë Kosova këtë herë në zgjedhje e kanë bërë të vështirë çfarëdo parashikimi.

“Në gjykimin tim ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve këtë herë, duke pasur parasysh rrethanat e dy viteve të fundit që u mbizotëruan nga negociatat Kosovë-Serbi dhe nga rrethanat e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Bodo Weber për Gazetën Express.

Sa i përket dialogut me Serbinë dhe impaktit që mund të ketë Albin Kurti si kryeministër i ri Republikës së Kosovës, Weber thotë se është një lajm i mirë fillimisht që Kurti është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Sipas tij përveç kësaj ka edhe elemente të asaj që Vetëvendosjen e bëjnë të duket më parimore në dialog sesa ata që kanë qenë të kyçur në këtë proces deri tani, dhe sipas tij ka edhe disa elementë të cilat do ta bëjnë më të vështirë procesin e bisedimeve.

“Pika e tretë dhe më e rëndësishme është që Kurti dhe Vetëvendosje të krijojnë një koalicion qeverisës i cili nënkupton gjetjen e një kompromisi për qëndrimin e tij drejt dialogut, më pas ata do të përballen me vështirësinë të cilën e pati koalicioni i mëparshëm qeverisës që të gjejnë një lloj të unitetit për dialog, edhe nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë që dialogu duhet të jetë në dorën e kryeministrit”, ka potencuar anëtari i Këshillit për Politika Demokratizuese për Gazetën Express.

Weber në këtë intervistë ka thënë se mbase nuk i takon atij që të flasë rreth asaj nëse LDK’ja duhet të shkojë në koalicion me Vetëvendosjen, megjithatë sipas tij një gjë e tillë ka shumë mundësi që të ngjajë.

“Nuk është në rolin tim si ekspert i jashtëm të jap rekomandime për krijimin e qeverisë së re. Por duke vlerësuar qëndrimet parazgjedhore dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke qe Vetëvendosje dhe LDK do të formojnë qeverinë”, shprehet Weber.

I pyetur për humbjen e tri partive që udhëhiqen nga tre ish- komandantët e UÇK’së, Weber thotë se qytetarët kësaj radhe kanë zgjedhur që të votojnë fytyra të reja që do të fokusohen në çështje të brendshme , siç është zhvillimi socio-ekonomik , sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.

Në pyetjen se a do të duhet të nxitojnë LDK’ja dhe Vetëvendosje në krijimin e koalicionit të ri qeverisë, duke pasur për bazë proceset të cilat po e presin Kosovën dhe nëse duhet që të përfshihet edhe ish-kryeministri Haradinaj në një koalicion të mundshëm, Weber thotë se nuk duhet ngutur dhe se duhet krijuar një qeveri serioze bazuar në parime

“Për një vit e gjysmë kemi parë akterë të jashtëm të cilën kanë bërë përpjekje që të shtyjnë politik bërësit në Kosovë të marrin vendime të shpejta, gjithmonë me motive mjaft të dyshimta të cilat ndërlidhen me negociatat Kosovë-Serbi. Unë do të thosha që është më mirë të krijohet një qeveri serioze, në mënyrë parimore. Nuk më përket mua të sygjeroj se kush duhet të përfshihet në koalicionin e ardhshëm, por kësaj radhe duket se partitë shqiptare do të negociojnë për një qeveri të përbashkët”, ka potencuar për Express eksperti gjerman, Bodo Weber.

Në fund ai thotë se çështja më e rëndësishme është të shihet se çfarë do të bëjnë partitë fituese me serbët dhe si do t’a trajtojnë çështjen e shumicës së dyfishtë në Kuvend, dhe fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit në dy aspekte, atë të koalicionit dhe anëtareve serbë ne qeverinë e ardhshme.

Në Kosovë fitoi votuesi

Albin Kurtit mund t’i bësh plot vërejtje, por atë nuk mund ta fajësosh se pse po i fiton zgjedhjet. Atë nuk mund ta fajësosh për punët që ende s’ka filluar ti bëjë, sepse shumica e analistëve sillen e pështillen rreth Beligradit dhe Uashingtonit, duke pretenduar se më të rëndësishëm se votuesit kosovarë për formalizimin e fituesit në Prishtinë janë disa burokratë në Uashington dhe disa shovinistë në Beligrad

Nga Emin AZEMI

Procesi zgjedhor në Kosovë nxori disa fitues dhe disa humbës. Por fituesi më suprem doli votuesi kosovar. Kjo renditje e forcave postzgjedhore, tregoi se votuesi në Kosovë është një hap përpara kulturës së formimit edhe të vet partive politike. Votuesi në Kosovë madje po tregohet edhe më i pjekur se një dyzinë analistësh, të cilët paragjykimin e kanë bërë objekt analize, kurse animin partiak e kanë shndërru në zeje që i lë në lloç më keq se ai autobusi i prishur. Nga ato pak shëtitje virtuale që i bën njeriu nëpër studiot televizive, fiton përshtypje se para vetes nuk ka analistë por komisarë partish, të cilët kurrsesi nuk pajtohen me humbjen partisë. Është për të ardhur keq kur i dëgjon ata teksa flasin më tepër për rebelizmin e kaluar të Albin Kurtit se sa për programin e ardhshëm qeverisës të tij. Është për të ardhur keq se si ata nuk flasin për fitoren e Albin Kurtit por për gjoja populizmin e Vetëvendosjes.

Ky rezon që me çdo kush krijon analizë negative edhe përkundër rezultati pozitiv, flet për instilacionet mediatike që produkt primar kishin propagandën për partinë në pushtet dhe denigrimin e opozitarizmit të Albin Kurtit. Këtij të fundit mund t’i bësh plot vërejtje, por atë nuk mund ta fajësosh se pse po i fiton zgjedhjet. Atë nuk mund ta fajësosh për punët që ende s’ka filluar ti bëjë, sepse shumica e analistëve silleshin e pështilleshin rreth Beligradit dhe Uashingtonit, duke pretenduar se më të rëndësishëm se votuesit kosovarë për formalizimin e fituesit në Prishtinë janë disa burokratë në Uashington dhe disa shovinistë në Beligrad.

Kjo mendësia vazale është shumë problem. Sepse ata para se ta nxjerrin fjalën nga goja, e fusin një herë në motorin e përkthimit shqip-serbisht dhe nëse del që Albin Kurti është i padëshiruar në Beligrad, ai me automatizëm shpallet si dyshimt dhe madje jokooperues me Amerikën. Hajde mendje e tredht, hajde…

Inferioriteti për ti kushtuar kaq shumë rëndësi temave që lidhen me Serbinë, ka prodhuar manjakë që nuk i besojnë forcave të veta për të demonstruar guxim, dinjitet dhe përkushtim ndaj gjithë asaj që lidhet me shtetndërtimin mbi parimet e punës së ndershme, përfshi edhe çështjet e hapura me Serbinë.

Në këto zgjedhje u demonstrua një azhuritet i paparë i numërimit të votave nga ane KQZ. Prandaj lirisht mund të themi se bashkë me votuesit, edhe KQZ ishte një prej të fituarve në këtë proces final zgjedhor. Në një shtet ku menaxhimi i votave në fazën finale pas votimeve bëhet me profesionalizëm dhe etikë, aty liria dhe siguria marrin emrin sipas frymës që del nga ky menaxhim. Nuk pati nevojë për nervozë, nuk pati nevojë për mbushje kutish, nuk pati nevojë për muskuj dallkaukësh dhe nuk pati nevojë për pazare nate gjatë numërimit të votave. Të gjitha këto u eliminuan në saje të vetëdijes së votuesve, por edhe formimit qytetar e profesional të komisionarëve nëpër qendrat e votimit dhe të vetë anëtarëve të KQZ-së. Kjo pedanteri në mbarëvajtjen procesit zgjedhor i atribuohet edhe institucioneve ligjzbatuese – MPB-së, disa digasterëve ministrorë dhe gjithë infrastrukturës shtetërore.
Diaspora shqiptare, si gjithmonë, edhe kësaj radhe u radhit në anën duhur të proceseve. Si atëherë kur i përgjigjej me armë dhe financa kushtrimit për liri, edhe tani, diaspora shqiptare manifestoi përkushtimin e sinqertë për të ardhmen e atdheut të saj.

Prandaj edhe diaspora mund të llogaritet në taborin e të fituarve në këto zgjedhje.
Gara elektorale nxori këtë bilanc votimesh. Epërsia e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt partive të tjera ishte e pritur, por nuk ishte e pritur që Kadri Veseli aq shpejt do të del dhe do ta pranojë verdiktin e popullit. Nuk ishte pritur gjithashtu as nga koalicioni AAK-PSD të pësoi këtë fiasko kaq të thellë.

Diferenca e ngushtë në mes të LVV dhe LDK shpërfaqi disponimin real të elektoratit kosovar, ndërkohë që mbetet të analizohet se ku shkuan votat e AAK-së—PSD-së dhe koalicioneve të tjera joparimore, siç ishte psh. NISMA-AKR etj. Sipas një përshtypje sipërfaqësore i bie të kuptohet se një pjesë e madhe e votave të këtyre votave janë nda në dysh. Disa kanë përfundua tek VV, disa tek LDK.
Votuesi i pakënaqur kosovar kësaj radhe kishte dy oferta të shkëlqyeshme dhe ishte e pakuptimt të votohet ndryshe nga ajo çfarë ofrohej si zgjidhje për një të ardhme më të mirë.

Lidhja Demokratike e Kosovës kësaj radhe e ka shansin ta dëshmojë konstruktivitetin e saj, siç parapëlqejnë krerët e saj të nxjerrin në pah pikërisht këtë aspekt, duke dëshmuar një sens të lartë bashkëpunimi me përgjegjësi shtetërore për formimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve që do të udhëhiqen nga VV dhe LDK. Është në duart e LDK që procesi të mos devijojë nga kursi normal i filluar në këtë proces zgjedhor, por edhe një rast ideal për të shlyer disa njolla në politikbërjen e saj gjatë periudhave të caktuara në bashkëqeverisje me forcat tjera politike. Rugovizmi i LDK-së, aq shumë i proklamuar nga strukturat e kësaj partie, pikërisht tash duhet të vijë në shprehje, duke bërë bashkë traditën shtetformuese me elanin rinon për ndryshime rrënjësore…

ANALIZA: Në Kosovë troket ora e politikës reale

Nga Vilma Filaj-Ballvora

Ka dy humbës të mëdha të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë: PDK e presidentit Hashim Thaçi dhe AAK-ja e kryeministrit ende në detyrë Ramush Haradinaj. Të dy ish-komandantët e UÇK-së, që luftuan në vitet 1990 kundër regjimit serb, kanë qenë në rotacion në pushtet në këto dy dekada pas luftës.

Megjithatë asnjëri prej tyre deri tani nuk ia doli të ofrojë zgjidhje bindëse për problemet e mëdha të shtetit të vogël në Ballkan dhe as nuk mundën të realizojnë kthesën e madhe për një marrëveshje mbi normalizimin e raporteve me Serbinë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Zgjedhësit e zhgënjyer donin ndryshim: Partitë e opozitës Vetëvendosja dhe LDK-ja fituan secila pak më shumë se 25 përqind të votave.

Fitorja fare e ngushtë e lëvizjes së majtë që konsiderohet radikale, Vetëvendosja, kundrejt liberal-konservatores LDK tregon, se sa e përçarë është shoqëria kosovare lidhur me qendrimin në bisedimet me Serbinë. Ndërkohë që LDK tradicionalisht ka ndjekur linjën pacifiste-diplomatike të figurës ikonë, ish-kryetarit të saj Ibrahim Rugova, Vetëvendosja nën Albin Kurtin ka qenë gjithmonë kategorikisht kundër kompromiseve.

Albin Kurti – nga rebel në realist

Nëse qeveria e re do të krijohet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, priten bisdime të vështira me Beogradin. Mbetet të shihet, nëse Beogradi do të pranojë të ulet në një tyrezë me Albin Kurtin. Ky i fundit, një ndër figurat kyçe të lëvizjes studentore të viteve 1990, në mars 2000 u dënua me 15 vjet heqje lirie në Serbi nën akuzën për antarësim në një organizatë terroriste. Vetëm pas presionit ndërkombëtar dhe me ndryshimin e qeverisë në Beograd atë e liruan në vitin 2001. Me tezat radikale – kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë, për një politikë të vetëvendosjes së kosovarëve, kundër çdo kompromisi në dialog me Serbinë e madje deri tek kërkesa për një bashkim të trojeve shqiptare – partia e tij bënte gjithnjë e më shumë për vete zgjedhësit e zhgënjyer. Rëndom kjo parti ka tërhequr vëmendjen brenda dhe jashtë vendit me protestat e ashpra e deri dhe të dhunshme kundër qeverisë, korrupsionit galopant dhe gjendjes së mjeruar në Kosovë.

44 vjeçari Albin Kurti konsiderohet rebel politik i pakompromentueshëm. Njëkohësisht ai ia ka dalë të preazantohet në botën e jashtme si një politikan intelektual, karizmatik dhe me përvojë. Fakti që „bashkimi i trojeve shqiptare” nuk është më temë për të, madje as në fushatën elektorale nuk u përmend me asnjë fjalë – flet për një linjë të re realiste të tij.

Kapërcimi i një hendeku të thellë

Albin Kurti gjendet përballë një detyre Herkuli: ai nuk duhet t’i zhgënjejë në asnjë mënyrë zgjedhësit e vet, por njëkohësisht janë të pashmangshme kompromiset e dhimbshme me politikanët drejtues nga Beogradi në bisedimet e ndërmjetësuara në nivel ndërkombëtar. Pikërisht një koalicion i mundshëm me LDK mund ta ndihmojë atë që ta përballojë këtë hendek të thellë. LDK-ja e moderuar i është përshtatur tashmë frymës së kohës, gjë që e dëshmoi edhe nxjerja në garë si kandidate kryesore e Vjosa Osmanit. Me paraqitjen e saj të vetëdijshme dhe të sinqertë juristja 38 vjeçare i bën për vete zgjedhësit dhe po ashtu ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm në dialogun me Beogradin. Përveç kësaj si LDK-ja, ashtu edhe Vetëvendosja e kanë refuzuar kategorikisht tezën e përfolur së fundi të ndryshimit të kufijve – edhe kjo me sa duket ka ndihmuar në suksesin e të dyja partive të opozitës në këto zgjedhje.

Të dy politikanët e rinj Kurti dhe Osmani kanë potencialin për t’u afruar mes vedi dhe për ta orientuar shoqërinë kosovare drejt kompromiseve të nevojshme. Me ose pa ideologji – tashmë ka ardhur koha e politikës reale në Kosovë: një marrëveshje jo vetëm me Serbinë, por edhe brenda vetë kosovarëve është urgjentisht e domosdoshme për një të ardhme të sigurtë dhe të paqtë edhe në sfondin e afrimit me BE.

A mund ta ndalojë Europa emigrimin e të rinjve nga Ballkani?

Normat e larta të emigrimit po i shkaktojnë dëm të madh perspektivave të Ballkanit Perëndimor dhe nuk dihet ende nëse anëtarësimi në BE mund ta ndryshojë këtë largim masiv.

Nga Alida Vracic

Në një mbledhje të nivelit të lartë në Bled, Slloveni, Nikola Dimitrov, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, së fundmi shprehu shpresën se bisedimet e pranimit të vendit të tij në BE do të fillojnë në tetor. Ai gjithashtu theksoi se një fillim i bisedimeve të pranimit do të ndihmojë në bindjen e të rinjve që të mos emigrojnë dhe të kërkojnë një “stil europian jetese” diku tjetër.

Ky ishte një rast i rrallë kur një politikan i lartë nga Ballkani Perëndimor e trajtoi emigrimin si një problem dhe shprehu shpresë se tendenca mund të ndalet me vendimet e duhura dhe me perspektivat e anëtarësimit në BE.

Megjithatë, një pyetje e madhe është nëse hapja e bisedimeve të pranimit në BE, apo edhe anëtarësimi eventual, do t’i bindë vërtetë gratë dhe burrat e rinj dhe të aftë të qëndrojnë në rajon.

Përgjigja bëhet më e komplikuar kur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – krahasohen me Kroacinë fqinje.

Atje, nivelet e emigracionit janë rritur shumë që nga viti 2013 kur vendi u anëtarësua në BE. Shumë kroatë shpresuan se pranimi në BE do të garantonte stimuj të mjaftueshëm që njerëzit të qëndronin në Kroaci, por kjo nuk ndodhi.

Pra, a mund të ndihmojë sadopak magjia e BE-së? Për shumicën e vëzhguesve të rajonit, situata duket e rëndë për sa i përket emigracionit.

Shifrat e fundit të Eurostat thonë se rreth 230,000 njerëz u larguan nga rajoni gjatë vitit të kaluar. Numri më i madh emigroi nga Shqipëria – 62,000. Kjo u pasua nga Bosnja dhe Hercegovina (53.500), Serbia (51,000), Kosova (34.500), Maqedonia e Veriut (24.300) dhe Mali i Zi (3,000).

Hulumtimi i Gallup ndërkohë ka treguar se rreth 46 për qind e njerëzve në Serbi nga 15 deri në 29 vjeç duan të largohen pa synuar të kthehen. Njëzet e shtatë për qind e atyre me arsim të lartë shprehën dëshirën për t’u larguar përgjithmonë.

Kjo sigurisht që vjen me një kosto për vendet e tyre.

Sipas një raporti të Fondacionit Westminster nga viti 2019, me katër në pesë serbë të rinj që mendojnë të emigrojnë, ky fluks largimi mund t’i kushtojë Serbisë deri në 1.2 miliardë euro në vit.

Asnjë vend në rajon nuk mund ta përballojë këtë, por po ndodh.

Situata është e ngjashme në vendet e tjera të rajonit dhe këto shifra duhet t’i krijojnë kujtdo një ndjenjë urgjence.

Krahasuar me ekonomitë e Europës Perëndimore, vendet e rajonit kanë pak për të ofruar. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende ndër më të varfrit në Europë dhe ritmi i tyre i konvergjencës me standardet europiane është i ngadaltë.

Shumica e elitave politike lokale shfaqen më shumë të përqendruara në përfitimet personale dhe interesat e biznesit privat sesa në të mirën publike. Punët me pagë të mirë janë të pakta.

Në 2018, 1.15 milionë njerëz në rajon ishin të papunë. Ndërsa kjo ishte më pak sesa një vit më parë, rënia në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë u nxit kryesisht nga pasiviteti më i lartë dhe emigracioni i mundshëm, i cili uli nivelin e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore.

Sipas fjalëve të raportit të fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor 2019: “Nëse lihet pa u trajtuar, sfidat e kapitalit njerëzor do të kufizojnë ashpër perspektivat e rritjes dhe uljes së varfërisë.”

“Më shumë Europë”?

Jo të gjithë largohen vetëm për arsye ekonomike. Shumë prej tyre thuhet se largohen për shkak të atmosferës “toksike” dhe mungesës mbizotëruese të perspektivës.

“Më shumë Europë” në Ballkanin Perëndimor mund t’i ndryshojë gjërat. Ndërsa zhgënjyen nga dekada të tëra premtime boshe nga elitat e tyre lokale, qytetarët e rajonit ende ndajnë një vizion për perspektivën afatgjatë të anëtarësimit në BE.

Në të gjashtë vendet, ata ka më shumë gjasa të thonë se anëtarësimi do të sillte dobi sesa të dëmtonte vendet e tyre. Të paktën katër nga pesë banorë thonë se anëtarësimi në BE do të sillte dobi për vendin ose rajonin e tyre.

Për shumë prej tyre, procesi i pranimit në BE vjen në forma dhe mënyra të ndryshme. Qytetarët e rajonit e lidhin anëtarësimin me standardet e përmirësuara të jetesës, rritjen e vendeve të punës, arsim më të mirë, rrugë më të pastra, mbledhjen e duhur të mbeturinave dhe një diskurs politik më të civilizuar dhe të denjë. Ata e lidhin atë me jetë të përditshme më të mirë.

Megjithatë, deri më tani, përpjekjet e Europës për të përkthyer fuqitë e saj transformuese në terren dhe në mesin e njerëzve nuk kanë krijuar një ndryshim të rëndësishëm, qoftë në aspektin e proceseve apo të politikës. Për më tepër, qytetarët kryesisht nuk janë të pranishëm në diskurset politike në vendet e tyre.

Sa i përket BE-së, zgjerimi nuk ka qenë në axhendë për vite me radhë. Mungesa e oreksit për zgjerim midis vendeve kryesore të BE-së, ka bërë që një numër në rritje i njerëzve në Ballkanin Perëndimor të besojnë se rajoni i tyre nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së.

Si përgjigje, ata zgjedhin të emigrojnë në BE.

A mund të ofrojnë sadopak shpresë mesazhet aktuale nga Brukseli?

Sipas fjalëve të Ursula von der Leyen, tani presidentja e parë femër e Komisionit Europian: “Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai është Europë. Dhe prandaj do të mbështes sa më shumë që të jetë e mundur marrëdhëniet në rritje midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.”

Von der Leyen zyrtarisht merr në dorë kryesimin e ekzekutivit të BE-së më 31 tetor, ditën kur Britania do të dalë nga blloku.

Se sa do të sjellë në Ballkanin Perëndimor Komisioni i ri, me siguri do të përcaktojë fatet e shumë personave që mendojnë të emigrojnë.

Siç ka dëshmuar shumë herë Ballkani Perëndimor, mungesa e narrativave bindëse të paraqitura nga individë të hapur, të ndershëm dhe të përkushtuar rezulton në dështim, ndërsa personalitete kompetente, energjike dhe të përkushtuara mund të sjellin përparime shumë të nevojshme.

Analizimi i mirë i personit që do të udhëheqë procesin e zgjerimit ka një rëndësi ekstreme. Mjetet më të fuqishme të BE-së kanë kufij. Nga krahasimi dhe monitorimi, tek asistenca teknike dhe fondi para-aksesimit, suksesi në Ballkanin Perëndimor do të kërkojë modifikime të thella.

Në rrezik janë shumë gjëra dhe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor.

Nëse nuk do të ketë së shpejti përmirësime të rëndësishme, rajoni i Ballkanit Perëndimor do të vuajë me siguri sfida të rënda demografike. Emigracioni masiv do të shkaktojë mungesë të madhe pune dhe ekspertësh. Kjo do të ketë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata.

Por kostoja më e madhe nga të gjitha do të jetë të ndihmosh vende të shkretuara, ku më të mirët dhe më të zgjuarit janë larguar prej kohësh.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Rexhep Qosja: Fitorja e Albin Kurtit sjell shpresë për gjithë shqiptarët

Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parakohshme dhe kriza e vlerave”, ku tregoi votën dhe besimin te Vetëvendosja.

Sot, një ditë pas fitores se Albin Kurtit, profesor Qosja tregon pritshmërinë e tij nga një qeveri vetëvendosëse, duke folur edhe emër për emër për humbësit e këtyre zgjedhjeve, nga Mustafa te Thaçi e Haradinaj, por mbi të gjitha për fituesin real të zgjedhjeve në Kosovë, Shpresën!

Në fund profesor Rexhep Qosja në këtë intervistë ekskluzive, për dritare.net tregon besimin e palëkundur te bashkimi i trojeve, i kombit në një: “Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”

Rudina Xhunga: Profesor, ju e parashikuat këtë fitore të VV-së, ose thënë më mirë e orientuat votën, duke deklaruar pritshmëritë tuaja për VV-në. Si ndiheni sot, një ditë pasi ndodhi?

Rexhep Qosja: Si edhe shumë votues dhe qytetarë të Kosovës e ndiej veten shumë mire pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Dhe e ndiej veten shumë mire sepse zgjedhjet u zhvilluan dhe përfunduan me plotësimin e standardeve të larta të demokracisë. Kosova, me këto zgjedhje e dha një provë pjekurie politike që duhet të çmohet prej bashkësisë ndërkombëtare. E ndiej veten mirë, posaçërisht mirë, pse në këto zgjedhje fitoi partia, vlerat dhe meritat e se cilës i kam paraqitur në shkrimin e bërë publik pak ditë para zgjedhjeve. E fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

Rudina Xhunga: Profesor, sa rëndësi kanë këto zgjedhje për frymën që i sjellin Shqiptarisë?

Rexhep Qosja: Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit janë të rëndësishme, aktualisht dhe historikisht të rëndësishme, për arsye se botës shqiptare i sjellin shpresën për ndryshime të thella e të gjithanshme të gjendjes me krizë të thellë të vlerave politike, shoqërore, demokratike, kulturore, domethënë se sjellin shpresën për shërimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës nga pasojat e rënies së thellë morale të prodhuar prej politikës së deritashme.

Rudina Xhunga: Profesor, mesa duket fituan Albini dhe Vjosa, si frymë, por matematika e politikës mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës dhe Veselit? A do ta pranojë Kosova këtë?

Rexhep Qosja: Ju po thoni me të drejtë se fituan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dhe njëkohësisht shprehni drojën se fitorja e LDK-së si parti e dytë në zgjedhje mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës. Sipas mendimit tim, roli qeverisës i kryetarit të LDK-së është i përfunduar.

Dhe është i përfunduar për disa arsye: e para, për arsye se LDK-ja ia ka dhënë rolin e qeverisjes Vjosa Osmanit; e dyta, për arsye se Isa Mustafa është i rënduar politikisht prej disa veprimeve shumë të dëmshme që bëri në koalicionin me PDK-në dhe e treta, për arsye se është i rënduar fort prej korrupsionit, nepotizmin dhe konfliktit të interesit të ushtruar si bashkëqeverisës me PDK-në dhe si kryetar i LDK-së. Ai tani mund të bëjë vetëm një gjë: mund ta sabotojë dhe ta prishë koalicionin Vetëvendosje–LDK.

Rudina Xhunga: Humbja e Haradinajt, Limajt, Veselit, çfarë mesazhi është për ata që fituan luftën?

Rexhep Qosja: Fitorja e Vetëvendosjes dhe e LDK-së si parti e dytë, sidomos fitorja e Vetëvendosjes për Hashim Thaçin si kryendërtues i politikës së Kosovës pas krijimit të shtetit të Kosovës, për Ramush Haradinajn, për Kadri Veselin e për Fatmir Limajn është pësim e mësim i madh. Por, ata kanë treguar se mësimet nuk duan t’i mësojnë prandaj në shtetin e Kosovës janë sjellë si në shtëpinë e tyre private. Njeriu shtëpinë e vet e ruan dhe e merendon me kujdes, por këta shtëpinë e quajtur shteti i Kosovës e përdorën, e shpërdorën, e ç’merenduan dhe e plaçkitën pa mëshirë!

Rudina Xhunga: LDK-ja vetë dhe kreu Mustafa, çfarë mesazhi morën?

Rexhep Qosja: LDK-ja dhe kryetari i saj, Isa Mustafa, e morën këtë mesazh: fitoret politike mund të jenë edhe të dhuruara dhe fitoren si parti e dytë në këto zgjedhje LDK-së ia dhuruan Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj me pelegrinazhet e tyre LDK-iste dhe me amnistimin e tyre për të gjitha të bërat e të pabërat tridhjetëvjeçare të LDK-së në kurriz të Kosovës.

Rudina Xhunga: Shqipëria çfarë mësimi mori nga këto zgjedhje dhe cili është besimi juaj, a po e pret Shqiptarinë një fryme e re?

Rexhep Qosja: Ç’mësim mori Shqipëria nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë? Historia na mëson se shqiptarët shpejt nuk kanë pranuar të mësojnë prej pësimeve dhe mësimeve të njëri-tjetrit. Mjerisht.

Rudina Xhunga: Profesor ju kurrë nuk bëtë kompromise me parimet, jeni ndër të vetmit autoritete morale orientuese të këtij kombi! A besoni ju se erdhi dita? Siç qe slogani i VV-së, që shqiptaret të votojnë dhe udhëhiqen nga njerëz të mençur dhe sidomos që e duan kombin. Koha e sistemit, vidh e vrit, se të mbuloj unë, po merr fund!

Rexhep Qosja: A besoj se erdhi dita? Ky ishte një slogan premtues i gjetur me mend, që mund të besohet, ushtroi ndikim në vullnetin dhe vetëdijen e votuesve. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, megjithëse ka rreth vetes një numër të dukshëm burrash e grash me kulturë të shquar politike, me përgatitje profesionale, me nivel të dukshëm të gjykimeve politike, lejohem të them, edhe me gatishmëri e vullnet që pakursyeshëm të bëjnë më të mirat për Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi, nuk do ta kenë lehtë.

Prapë po e thërras në ndihmë historinë e cila na mëson se shqiptarët–opozitarë, qëllimeve më të mira jo rrallë s’ kanë ngurruar t’u vënë pengesa të ndryshme, të cilave vetëm dreqi dhe i biri do t’ua dinin prejardhjen dhe përmbajtjen.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, me bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret e tij kanë përpara jo detyra politike po misione politike: që të reformojnë të gjithë përbërësit, domethënë të gjithë sektorët e jetës politike, shoqërore, administrative-shtetërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore, që ta bëjnë Kosovën shtet i të drejtës, që ta bëjnë Kosovën shtet social, në të cilin të gjitha dinjitetet do të jenë barabar të kujdesura e të siguruara.

Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë./dritare.net

Fatos Lubonja: Albin Kurti, shembull edhe për ne, për të qenë të pavarur nga ndërkombëtarët

Fatos Lubonja ka komentuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet qendrore të parakohshme në Kosovë, duke theksuar se sfida kryesore që do të duhet t’i bëjë ballë drejtuesi i kësaj force politike, Albin Kurti, është rivendosja e dialogut me Shqipërinë, si edhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve.

Duke bërë një induksion, Lubonja iu është referuar fitores dhe tkurrjes së elektoratit të partive të majta në Greqi e Itali, përkatësisht “Syriza”-s dhe lëvizjes antisistem “Cinque Stelle”, për të mbështetur arsyetimin e tij se mbase njësoj si to, edhe në qeverisjen e “Vetëvendosje”-s do të vërehet një hendek mes realitetit dhe premtimeve.

“Cipras dhe 5 yjet në Itali tregojnë dhe flasin për hendekun mes premtimeve, idealeve dhe realitetit por nëse iu referohemi konkretisht, Cipras u mund nga Europa sepse kishte një barrë të madhe (borxhin) të cilën Kosova nuk e ka si problem. Albini ka më të vështirë në këtë aspekt çështjen e bisedimeve me Serbinë, sa do jetë realist e koherent me ato që ka thënë më parë. Ai i mbetet koherent idesë që ka propaganduar për një Shqipëri të bashkuar gjë që nuk e thotë por e lë si projekt, flet për dy shtete por një komb. Është pak problematike në këtë aspekt se shteti komb është ndryshe nga një komb pa shtet. Gjithsesi mendoj se sfida më e madhe e tij është të ndërtojë shtetin e së drejtës, një shtet social, një shtet ku shqiptarët të besojnë tek ai. Nëse arrin këto, e ardhmja bashkimi nuk kanë shumë rëndësi”, tha Lubonja.

I pyetur rreth mundësisë së mospranimit të ndërkombëtarëve për formatimin e një qeverie të re në Kosovë nën udhëheqjen e Kurtit, Lubonja është shprehur spektik duke shtuar se pikërisht kjo figurë politike i ka dhënë një shembull shqiptarëve të Shqipërisë për të vepruar të mëvetësishëm.

“Unë mendoj qe Albin Kurti ka pasur një meritë të rëndësishme, i ka dhënë edhe një shembull shqiptarëve të Shqipërisë se nuk mund të jemi kaq të varur nga komuniteti ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar vendos për fatet tona kur ia delegojmë ne, sepse nuk mund të t’i mbajmë ne ato përgjegjësi. nuk besoj se është kom ndërkombëtar që do diktonte se kush do jetë kryeministër i Kosovës.”- tha analisti.

Më tej, duke vendosur në një rrafsh krahasimor procesin zgjedhor në Kosovë dhe proceset zgjedhore në Shqipëri, Lubonja tha se dallimi nuk qendron tek problemi i sistemit, por tek ndërshmëria dhe vullneti i partive politike. Sipas tij, mosfunksionimi i sistemit zgjedhor ka të bëjë me faktin “se nuk respektojmë ligjin por kemi respekt më shumë për hilen”.

“Kjo nuk ka lidhje shumë me sistemin zgjedhor. Ne i kemi provuar sistemet zgjedhore dhe atë numërimin e menjëhershëm në Qendrat e Votimit dhe Qendrat e survejuara me kamera, edhe numërimin e pavarur nga partitë, edhe numërimin me përfaqësues të partive që kontrollojnë se nuk kanë besim tek njeri-tjetri. Ajo që ka bërë të mos funksionojë sistemi zgjedhor është fakti se nuk respektojmë ligjin por kemi respekt më shumë për hilen. Ka munguar vullneti, ndershmëria e klasës politike që kur vjen puna për zgjedhjet duhet të thotë që ‘aty nuk duhet të fusim duart’. Nuk është çështje kodi zgjedhor, pas 30 vitesh t’ia vësh të keqen Kodit Zgjedhor është të jesh jashtë realitetit. Tek ne mbetet respektimi i ligjit jo ligjet që kemi”, deklaroi Lubonja.

Richard Grenell vjen të enjten në Kosovë

I deleguar i presidentin amerikan për ndërmjetësim në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, do ta vizitojë Kosovën kësaj të enjte, me 10 tetor.

Gazeta Express mëson nga burime të mirinformuara se emisari amerikan, Richard Grenell këtë javë e viziton zyrtarisht Kosovën.

Grenell, që është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, ka marrë detyrën e re vetëm para dy jave. Trump e ka angazhuar atë në negociatat mes Kosovës e Serbisë.

Burimi i Gazetës Express tregon se Grenell të enjten në Kosovë do të vijë me avion ushtarak. /Express/

A ka gjasë Kadare të shijojë “Nobelin” këtë të premte

Gjithkush që pret me padurim entuziast mesin e këtij tetori për të parë nëse shkrimtari i tij i preferuar merr çmimin e madh të letërsisë, Nobel Prize, duhet me patjetër të gëzojë dyfish.

Siç shkruan “Shqip”, Akademia Suedeze e çmimit pohon se të gjithë ata ‘lojtarë letrarë basti’ në këtë rast, që kanë provuar intuitën e tyre me një emër të përveçëm shkrimtari, u janë shtuar shanset për të fituar. Po cila është arsyeja?

Siç dhe e dimë, për shkak të vendimit të Akademisë Suedeze vitin e kaluar — në vazhdën e një skandali seksual që përfshiu burrin e një anëtareje të Akademisë, i cili u dënua për përdhunim — do të ndahen dy çmime “Nobel” për letërsi, të cilët do të kompensojnë mungesën e vitit 2018.

Çfarë ndodhi?

“Nobeli” i vitit të kaluar për letërsi nuk u nda vitin e kaluar për herë të parë që nga viti 1949, pasi Akademia Suedeze, institucioni që përzgjedh fituesit u përfshi në një skandal seksual. Fondacioni Nobel, i cili realizon vullnetin e Alfred Nobelit, ka njoftuar më herët për ‘hapat që Akademia Suedeze ka marrë në mënyrë që të krijojë mundësi të mira për rivendosjen e besimit’ dhe që laureatët për të dy vitet, 2018 dhe 2019, të shpallen këtë vjeshtë.

Ndryshimi më i rëndësishëm i ndarjes së Çmimit është emërimi i pesë anëtarëve të pavarur dhe të jashtëm, të cilët do të ndihmojnë Akademinë Suedeze për të zgjedhur laureatët ‘për vitet e ardhshme’. Se si përzgjidhet fituesi ka qenë prej kohësh një sekret. Ajo që dihet është se rreth 200 nominime shqyrtohen nga Akademia në muajin shkurt dhe më tej, në maj përgatitet lista e ngushtë me pesë autorë që studiohen gjatë verës. Arkivat e detajuara për arsyetimin e jurisë hapen 50 vjet pas ngjarjes. Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Anders Olsson, ka njoftuar më herët shtyrjen e Çmimit, duke thënë se organizata i duhej të përqendrohej në “rikuperimin e besimit të publikut” për shkak të trajtimit të një serie akuzash për sulmet seksuale të bëra kundër Jean-Claude Arnault, bashkëshortit të anëtares Katarina Frostenson.

Arnault u dënua më pas për përdhunim dhe nisi vuajtjen e dënimit.

Një seri dorëheqjesh përfshiu Akademinë atë kohë, e më pas u kërkuan 12 anëtarë për të zgjedhur dhe shpallur fituesin. Pas skandalit, Fondacioni Nobel kritikoi Akademinë për “kultivimin e një kulture të mbyllur për një periudhë të gjatë kohore”. Ndër të tjera Fondacioni vlerësoi Akademinë duke thënë se zërat e jashtëm ‘tanimë do të shtojnë perspektiva të reja të vlefshme’ për jurinë. Çmimi, sipas vullnetit të Alfred Nobelit, i jepet autorit që ka shkruar ‘veprën më të shquar në një formë idealiste’. Laureatët e letërsisë pos medaljes marrin edhe shpërblimin prej 9 milionë krunash suedeze (rreth 850 mijë euro).

Shkrimtari britanik Kazuo Ishiguro ishte laureati i fundit, në vitin 2017. Vitin e kaluar autorit Guadeloupean Maryse Condé iu dha një “Nobel alternativ”, çmimi i Akademisë së Re, që e plotësoi boshllëkun e lënë nga anulimi i çmimit zyrtar.

Cilat janë parashikimet?

Sado që Çmimi Nobel për Letërsi ka qenë prej kohësh tepër i vështirë për t’u parashikuar , kjo kurrë nuk i ka ndaluar botuesit të përpilojnë shanset e tyre vjetore. Sipas faqes mjaft të njohur britanike Nicer Odds, poetja dhe eseistja kanadeze Anne Carson është në majën më të mirë të këtij viti, ndërsa shanset më të pakta i ka George R. R. Martin, një shkrimtar i tregimeve të shkurtra dhe novelist amerikan, i cili shkruan në zhanrin e fantazisë, horrorit, dhe fanta-shkencë. Martin është gjithashtu një skenarist dhe producent televiziv. Ai është bërë i famshëm me serinë e tij të novelave fantastike më të shitura ndërkombëtarisht, A Song of Ice and Fire, të cilën më vonë HBO e përshtati për një seri ‘dramë’, të titulluar Game of Thrones (Loja e froneve).

A do të marrë fund pritja e padurueshme e Milan Kunderës? A do të mund të bëhet Salla e Koncerteve të Stokholmit një pallat ëndrrash për Ismail Kadarénë? Po Olga Tokarczuk, shkrimtarja polake me një zë dhe reputacion të njohur në publik, do të arrijë dot të gërmojë tokën mbi eshtrat e bashkëmoshatarëve të saj të mundur? Këtë do ta zbulojmë Të Premten e Madhe këtë javë. Urojmë që dita satanike të mos jetë e pangjyrë për shqiptarin tonë! Ja dhe disa nga pretendentët…

Anne Carson 4/1

Maryse Condé 5/1

Can Xue 8/1

Haruki Murakami 8/1

Lyudmila Ulitskaya 8/1

Ngugi Wa Thiong’o 8/1

Margaret Atwood 10/1

Marilynne Robinson 10/1

Olga Tokarczuk 10/1

Péter Nádas 10/1

Adunis 14/1

Gerald Murnane 14/1

Mircea Cartarescu 14/1

Ya Hua 14/1

Ismail Kadaré 17/1

Javier Marías 20/1

Jon Fosse 20/1

László Krasznahorkai 20/1

Milan Kundera 20/1

Peter Handke 20/1

Yoko Tawada 20/1

César Aira 25/1

Yang Lian 25/1

Ko Un 33/1

Ernesto Cardenal 50/1

George R. R. Martin 250/1

LDK e Lutfi Hazirit pëson humbje të thellë nga VV-ja në Gjilan

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka pësuar humbje të thellë nga Vetëvendosje në zgjedhjet e gjashtë tetorit, raporton Gazeta Express.

Komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri nuk ka arritur që të dalë e para në rezultat, pasi që e njejta është mboshtur me 5 mijë vota më shumë nga Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kur janë numëruar më shumë se 98% e votave, KQZ sipas rezultateve që ka publikuar njofton se Vetëvendosje në Gjilan ka marrë 17864 vota, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 12217 vota.

E tretë radhitet PDK-ja me 8177 vota, derisa koalicioni 100% ka marrë 3238 vota./GazetaExpress/

Dështon keq Shpend Ahmeti në Prishtinë, VV ia kalon me 30 mijë vota

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ka qenë befasia e këtyre zgjedhjeve, raporton Gazeta Express.

E para edhe në Prishtinë në zgjedhjet e gjashtë tetorit ka dalë Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

VV ka marrë në kryeqytet 37229 vota, tash kur janë numëruar më shumë se 98% të votave.

E dyta në Prishtinë për nga votat ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 32497 vota. E treta ndërkaq është radhitur PDK e Kadri Veselit me 15469 vota.

Me rezultat të thellë ndërkaq në vend të katërt radhitet koalicioni 100% me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj.

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, së bashku me AAK-në në kryeqytet kanë marrë 7167 vota. Pas tyre radhitet koalicioni NISMA-AKR-PD me 4676 vota./GazetaExpress/

Aksident te ura e Dëbërcës, në autostradën Tetovë – Shkup

Dje (6 tetor), rreth orës 08 e 45 minuta, në autostradën Shkup-Tetov, në afërsi të mbikalimit për në fshatin Dëbërcë, duke drejtuar veturën ..BMW,, me targa të Tetovës, 25-vjeçari M.K. nga fshati Sedllarcë e Poshtme, ka humbur kontrollin dhe ka devijuar
nga rruga, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka dëmtuar gardhin mbrojtës, gjegjësisht rrjetën metalike.

I lënduari M.K. është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, për t`i ofruar ndihmë mjeksore,

Ekipi nga SPB Tetovë ka kryer inspektimin në vendin e ngjarjes.

U bë mirë

Nga Kimete Berisha

1. Edhe Zoti i kish pas thënë Profetit, mos u mashtroni ju se ‘Zoti nuk ndërhynë për ta ndryshuar gjendjen e njerëzve, deri atëherë kur njerëzit nuk e kërkojnë ndryshimin në vetveten’.

Pa ndryshu ti, kot e ke që lutesh, nuk ndryshon askush për ty. Kjo thënie e shenjtë vlen edhe për vajzat dhe djemtë që aktualisht presin prej Zotit t’ua kthej dashurinë. Mos prit, ndrysho tani dhe e gjen tjetrin edhe më të mirë (mbaje n’mend, ke me më knu rahmet për s’gjalli).

Por, Besa Ismailit, e mbuluar (ama, me mëndafsh të shtrenjtë Egjipti) nuk ‘i ra në mend Zoti’ kur në natën përmbyllēse të fushatës në Prishtinë, Kadri Veseli me Migjenin) thanë se do të jenë ‘vetëm’ me
perendimin, që do të thotë jo ‘me lindjen’, se Lindjen e ka ‘ba pela’.
Sikur të ishte has ‘fetare’, Besa do të ishte modeste në veshje (jo që duket si hoteli Hillton përballë shkretëtirës në Qabe), dhe do të largohej nga partia që e shfrytëzon ‘për shami’ dhe ia mohon Zotin.

Në momentin që shqiptarët kanë vendosur të ndryshojnë, ka ‘ndërhyrë’ Zoti dhe e ka çu mashtruesin në shpi. Por nuk mjafton veç me shku n’shpi. Hajnat dhe kriminelët e kanë vendin tjetër kund.

2. Kadri Veselin e lavdëruan gazetarët pse e pranoi humbjen. Pse kush e vet Kadri Veselin, a e pranon a s’e pranon humbjen, humbja nuk të pyet, ndodh, çka ka pas me ba Kadri Veseli, me kallë luftë!

A është dikush që e ‘jep jetën’ për Kadri Veselin!
Ai tani duket si gishti i mesëm, fund e krye, sado që si Serbia ortodokse i çon tre gishta përpjetë për ta kriju një imazh që e dallon nga gishti i madh i Hashim Thaçit.

Plus i dhanë lavd pse tha se po shkon në opozitë. Pse, ku ka pas me shku ky, kur ky e din mirë se s’pranojnë Albini e Vjosa as kafe me pi me të.

Vjosa kurrë nuk ka qenë si ‘ata të tjerët të LDK-së’ që gjatë fushatave e fajësonin SHIK-un për vrasjen e anëtarëve të LDK-së, e pas fushatave shkriheshin pas tyre.

I kisha dhënë edhe mirënjohje për shkatërrimin e PDK-së. Është mjeshtër i shkatërrimit.
Kadri Veselit me mujt me ja ba punën m’i shti diqysh ky hundtë në Serbi, na kish pshtu, ta kish falimentu ky shtetin e ta kish qitë n’dy gjunjtë.

Ky është armiku më i madh i PDK-së, prandaj meriton respekt.
Ku me ditë për kë punon ky që ia doli gjithë këta komandanta t’i bëjë të urryer e të përbuzur.

Me këtë trend të urrejtjes, herave të tjera s’do të ketë më PDK.

3. Që i ka lodhur hajnia dhe që i ka ‘zënë gjaku’ , u pa dje edhe në fytyrat e grave të tyre. Aq shumë kanë ba pare zojat, pa pikë modestie, aq shumë u ka hy vetja në qejf, ‘Jovanka e gjysë” ama sevda në sytë e tyre, askund.

Lumja boll mirë ish vesh, fustan ngjyrë bombardimi (hint), që shyqyr s’iu bë puna m’u ulë dikund se ish shpartallu e ju kish çky n’trup, veç toja e zezë te krahu i djathtë i kish mbet lidhur si benkicë.

Veç një grua e trishtuar dhe e frikësuar nga burri i saj nuk rreh çerpikë, se jo veç këta t’Drenicës (shqiptarët në përgjithësi) dinë me t’thanë ‘e fol naj fjalë, po s’ke çka më pret n’shpi’.

4. Koferin s’po zbres nga tavani. Në tavan e kam edhe një kullë të Eiffel prej bezi të kuq, pa poç.

Por fati im, sa herë dua të ikë nga Kosova, për një moment bëhet ‘mirë’.

As nga lufta nuk pata fatin të iki. Kur neve vajzave e grave na dëbuan në kolonë prej Dobërllukës në fshatin Bukosh (s’e harroj kurrë një kamion të madh që bartte plot burra të zhveshur që policia dhe ushtria serbe i çonin dikund), mbajsha ymyd që po na çojnë bile në Mal të Zi, por ushtria serbe na ktheu prapa dhe na tha ‘shkoni ju te djemtë dhe vëllezërit tuaj të UÇK-së dhe ecni nëpër mina, kur ata t’ju shohin duke ecë nëpër mina do t’i ndalin sulmet’…
Kështu ndodhi….
Mos t’futem tash andej më shumë, se sa herë më bjen mend lufta, dyshoj se ‘ndoshta më mirë do të kishte qenë të vdisja…’.

Ne që e kemi përjetuar luftën e kemi pas zor t’ua marrim inat komandantëve.
Derisa kaluan 20-të vjet, ata u bën milionera, ne u shkatërruam, gjithçka u teprua…
s’po tregojnë se disa prej tyre kanë banesa edhe në Manhattan, me pamje të kthyer kah central parku.

Vonë e kuptuam se këta që e kanë vjedhur fondin e luftës janë të njejtit që e kanë vjedhur shtetin e Kosovës.

Këta nuk kanë luftuar.

Këta ishin uzurpatorë.
Thjesht ishin armiqtë e Kosovës.

Prandaj, nuk u ndihmuan as milionat, nuk u ndihmoi as fakti që shtetin e shfrytëzuan si aparat për gllabërimin e zgjedhjeve.

Nuk u ndihmoi asgjë.
As reklamat e tyre gjithkah, fytyra e Kadri Veselit imponohej në insta story-t e huaja personale, në gazeta serbe, në horoskop, në faqet ‘find a grave’, eksik veç në ‘sholje’ nuk e ka nxjerr krytë.

Por megjithatë, 21 për qind janë shumë ‘ujq’.
Delja nuk shkon mbas ujkut, thoshte Frommi kur i bënte psikanalizë Hitlerit.
Janë shumë ‘dele’ që ende shkojnë pas ‘ujkut’.
Këtu s’duhet analizë, janë këto delet, përfituesit e PDK-së, me të cilët e ka krijuar dhe e mban perandorinë e krimit dhe korrupsionit.

5. E Ramushi, i kompleksuar me Çakorrin, e shpiku taksën ndaj mallërave serbe, që e pagoi më shtrenjtë se krejt Serbia.
Taksën më të madhe e pagoi vet.

Sepse Ramushi i tuboi mashtruesit dhe tradhtarët në partinë e tij, i tuboi njerëzit me instikte animale dhe vrastare, prandaj u bë i urryer.
Me Molliqajn nuk shkohet as në WC, sepse ky ndjehet ‘i vogël’, aq i ‘vogël’ sa ta ngul thikën pas shpine, sepse vetëm tradhtia e bën të ndjehet i dobishëm dhe ‘i gjallë’.

Florin Krasniqi si ato gratë e vitete të 20-ta, ish dal n’çardak e i spiunonte bisedat e tavolinave në Vetëvendosje, tregonte çka u folë mes tyre.

Femër jam (më ka pak hije edhe intriga), veç më përpara e kisha mbyt veten sesa që e kisha spiunu bisedën private. Kurrë, kurrë, në asnjë rast.
Më duhet të jem besnike edhe pas vdekjes ‘së autorit’.

Florinit s’kisha qysh i them, këqyr o ti djalë se ish dal një laps i ri për vetulla i L’orealit, se as te ‘frizerkat’ (respekt për frizerkat se intrigat i bëjnë klientet) nuk bëhen intriga më të mëdha sesa që bënte ky shminkeri narcis.

Askush nuk i do ata që spiunojnë sofrën, tavolinën, sofrabezin, që spiunojnë bisedat që fliten mes njerëzve, pa teklif.

Simpatia fitohet me njerëzi, butësi, moral, e jo tuj spiunu ashiqare.

6. Plus atij që i ka ‘paguar’ PSD-në
ta shkatërrojnë Vetëvendosen, i kanë shku paret posht’.
Çfarë mendsh i ka ‘ai’, ua lyp paret mbrapsht.

7. Albini, kam ymyd të bëhet sebep që unë t’i pakësoj postimet për politikë, e të filloj të merrem me letërsi.

Nuk e ka lehtë. Sepse, krejt administrata shtetërore, krejt Institucionet janë PDK-LDK.

Kadri Veseli ka humbur, por ushtarët e tij e kanë administratën në duar.
Albini t’ia nis me këmbë të djathtë, me qetësi, pa arrogancë (sidomos pa arrogancë e mendjemadhësi).
Ka shumë punë të çohet në këmbë një vend që vjedhet e rrjepet qe 20-të vjet.

P.S. Albini e Vjosa (nëse bëhen bashkë) do të mbahen mend si dy njërëz të librit që e kthyen shpresën në Kosovë.

Vjosa e ka pasur edhe më zor, sepse i është dashur të bëhet mburojë e gardës së vjetër të LDK-së, që sikur PDK, s’i kanë lënë dy gurë bashkë.

Kurse, Albini është krijuar ngadale, jo brenda natës, prandaj kam ymyd se do të dijë çfarë të bëj.

Nëse Albini e Vjosa bëhen bashkë, shteti u kthehet varfanjakëve, qytetarëve që jetojnë me djersë (jo
me hajni e me prapanicë).
Nëse s’bëhen bashkë, atëherë, duhet me ‘kriju’ një tjetër ‘shpresë’.

Numërimi në KQZ po shkon drejt fundit, Vetëvendosja tani ka mbi 200 mijë vota

Është duke vazhduar numërimi i votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, raporton Gazeta Express.

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të qëndrojë në vend të parë, derisa ka kaluar numrin prej 200 mijë votave.

Saktësisht në votat që janë numëruar deri më tani, VV-ja ka marrë 200374 vota.

Pas Vetëvendosjes, në rend të dytë me pak vota më pak se partia e Albin Kurtit radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja deri më tani ka marrë 194778 vota.

Në rend të tretë, ndërkaq, është partia e udhëhequr nga Kadri Veseli, PDK-ja. PDK-ja ka marrë 164930 vota.

Në vend të katërt është koalicioni AAK-PSD që ka marrë 90280 vota.

Deri tani janë numëruar 97,80% e votave. Në këto numërime nuk përfshihen votat me kusht dhe votat me postë, si dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në rast se shkohet në këtë përqindje, Koalicioni NISMA-AKR-PD nuk ka kaluar pragun, derisa VV-ja merr 31 deputetë, LDK-ja 30 deputetë, PDK-ja 25 deputetë, AAK-PSD 14 deputetë, si dhe komunitetet 20 deputetë. /GazetaExpress/

Thaçi reagon pas zgjedhjeve, nuk përmend fituesin

Një ditë pas zgjedhjeve Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e vendit dhe partitë politike për procesin e lirë dhe demokratik në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën dje.

Me një postim në faqen e tij në Facebook, Thaçi ka deklaruar se Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike, duke shtuar se e njejta pjekuri politike duhet të tregohet edhe në formimin e qeverisë së re.

Mesazhi i Thaçit:

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, pasura nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto janë rezultatet e partive në tri palë zgjedhje radhazi

Zgjedhjet e 6 tetorit kanë shënuar kthesë të madhe për Kosovën. Ndryshe nga herët e kaluara, kur konstantja e qeverisë ishte Partia Demokratike e Kosovës, ky subjekt tashmë ka shkuar në opozitë. Ndërsa është opozita Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që kanë shënuar fitore.

Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të mbajtura dje, 6 tetor, me 25.60 për qind, duke lënë pas, pas një gare të ngushtë, LDK-në me 24.90 për qind të votave.

Vetëvendosje në vitin 2017 kishte arritur të sigurojë 27.49 për qind të votave ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25.53 për qind. E para, LVV në zgjedhjet e vitit 2014 kishte arritur të sigurojë vetëm 13.59 për qind apo 99 mijë e 298 vota, kurse LDK 25.24 për qind apo 184.594 vota.

Ajo që bie në sy është se Lëvizja Vetëvendosje nuk u dëmtua nga ndarja që pësoi nga një pjesë e saj, PSD-ja, duke qëndruar në një rezultat të përafërt në dy palë zgjedhjet e fundit.

Në anën tjetër, PDK-AAK-Nisma që në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 dolën fituese si koalicioni PAN me 33.74 për qind të votave, këtë herë kanë shënuar rënie.

PDK, e cila në këto zgjedhje është renditur e treta, ka arritur të marrë 21.05 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 pati arritur të marrë 30.38 apo 222.181 vota. Ndërsa AAK e cila në këto zgjedhje hyri në garë në koalicion me PSD, së bashku morën 11.53 për qind të votave, kurse në vitin 2014 kur edhe garoi e vetme, AAK kishte arritur të sigurojë vetëm 9.54 për qind apo 69 mijë e 793 vota.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje garoi si koalicion NISMA-AKR-PD sipas rezultateve të deritashme nuk ka arritur të kalojë pragun, duke siguruar vetëm 4.88 për qind apo 38 mijë e 55 vota. Kjo e fundit më mirë ishte në zgjedhjet e vitit 2014, kur kishte siguruar 37 mijë e 680 vota apo 5.15 për qind.

Në anën tjetër, 6.72 për qind të votave ka siguruar Lista Serbe, duke shënuar rritje nga zgjedhjet e kaluara. LS, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pati siguruar 6.11 për qind të votave apo 44 mijë e 499 vota, duke tejkaluar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014, kur kishte grumbulluar 5.22 për qind të votave.

Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tash ka numëruar 97.37 për qind të votave, ndërsa në proces të numërimit janë edhe 2.63 për qind.

Kujtojmë se në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk janë numëruar votat me kusht, ato të diasporës dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ali Ahmeti: Mbrëmë fitoi Kosova, nuk përmend dhe uron Kurtin

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përcjellë një mesazh për zgjedhjet në Kosovë, por duke mos përmendur dhe uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj Albin Kurti. “Qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe partitë e tyre politike demonstruan standarde europiane në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e votimeve, por edhe në pranimin e vullnetit të sovranit. Përgëzimet më të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit në këtë proces kaq të rëndësishëm në kohëra vendimtare për Kosovën dhe rajonin.
Mbrëmë fitoi Kosova, ndërsa në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve” – shkruan Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, në prononcimin e parë për zgjedhjet e djeshme në Kosovë.(INA)

Një ditë pasi Vetëvendosje doli e para, flet Albin Kurti

Kreu i Vetëvendsojes, Albin Kurti, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme iu është drejtuar qytetarëve përmes një shkrimi në Facebook, ku ka thënë se që nga mbrëmë në Kosovë ka shpresë, sepse dje pati guxim, raporton Gazeta Express.

Kurti ka thënë se populli ka vendosur dje që këtij ndryshimi t’i prinë Lëvizja Vetëvendosje.

“Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë. Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Kurti shton se qytetarët ndikuan në skenënë politike në mënyrë që drama kosovare es htetit të mos ketë fund tragjik.

“Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike. Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita! Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit”, ka shkruar Kurti.

Ky publikim i tij mori për vetëm pak minuta mijëra pëlqime në Facebook,/GazetaExpress/

Cila parti mori më së shumti vota në Prishtinë

Zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit morën rezultatin e shumëpritur, me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, si partia me më së shumti vota në shumicën e komunave të Kosovës.

Edhe në kryeqytetin e Kosovës, VV-ja prin me rezultat, me gjithsej 37,18% të votave, rreth 5% më shumë se Lidhja Demokratike me Vjosa Osmanin në krye.

Ndërsa, Partia Demokratike me gjithsej 15,43% të votave, vendoset si partia e tretë më e votuar në Prishtinë.

Koalicioni i kryeministrit të deritanishëm, Ramush Haradinaj, AAK-PSD, me moton “100% shtet” arriti që vetëm 7,61% të votave t’i fitojë në këtë komunë.

Kurse, Nisma Social Demokrate dhe Aleanca Kosova e Re, ndonëse me 4,77% të votave në Prishtinë, nuk e ka arritur të kalojë pragun prej 5% të votave.

112. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS 15.374 vota (15,43%)
119. AAK-PSD KOALICIONI 100% KOSOVË 7.584 vota (7,61%)

122. NISMA SOCIALDEMOKRATE – ALEANCA KOSOVA E RE – PARTIA E DREJTËSISË 4.750 vota (4,77%)
126. LËVIZJA VETËVENDOSJE! 37.056 vota (37,18%)

134. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS 32.484 (32,60%)
135. SRPSKA LISTA 366 vota (0,37%)

Rezultatet e zgjedhjeve-Kosovë/ Kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 198.448 vota

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, shënuan ndryshim të madh në skenën politike.

Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, nga publikimet e rezultateve të këtyre zgjedhjeve vazhdon të kryesojë Lëvizja Vetëvendosje.

126. LËVIZJA VETËVENDOSJE! 198.448 vota ose 25,71%.
134. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS 193.268 vota ose 25,04%.
112. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS 162.995 vota ose 21,12%.
119. AAK-PSD KOALICIONI 100% KOSOVË 89.491 vota ose 11,60%.
122. NISMA SOCIALDEMOKRATE – ALEANCA KOSOVA E RE – PARTIA E DREJTËSISË 37.855 vota ose 4,90%
135. LISTA SERBE 49.280 vota ose 6,39%

Lëvizja Vetëvendosje, në mesnatë kremtoi në qendër të Prishtinës, duke shpallur fitoren.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se po hapet një epokë e re për Kosovën ndërsa paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mediat e huaja: Gjenerata e re e politikanëve në Kosovë sfidoi gardën e vjetër

Zgjedhjet në Kosovë kanë marrë vëmendjen e mediave të huaja. Shumica prej tyre shkruajnë mbi premtimet e elitës politike që do të marrë në dorë të ardhmen e vendit, të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjen e paqes e të njohjes me Serbinë.

“New York Times” shkruan se Kosova kërkon një të ardhme të re, por mbeten ende problemet e vjetra.

“Qëkur Kosova përfundoi luftën e saj me Serbinë dy dekada më parë, figurat e saj politike mbizotëruese kanë qenë të gjithë burra që u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe një ekonomi të mirë. Por në zgjedhjet kombëtare të dielën, një gjeneratë e re politikanësh po sfidon gardën e vjetër për herë të parë. Ndërsa mbetet ndarja e hidhur me Serbinë, me qeverinë në Beograd që refuzon ta njohë Kosovën si komb të pavarur, dhe shpresat për pajtim duken akoma larg, vëzhguesit shpresojnë se votimi mund të sigurojë një mundësi që vendi të shkëputet nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i viteve të pasluftës dhe përqendrohet në qeverisje më të mirë”, shkruan NYT.

I cituar nga gazeta prestigjioze amerikane, Lulzim Peci, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave në Prishtinë, tha se “kjo është një mundësi që gjenerata e re e politikanëve të thyejë ciklin e përdorimit të Serbisë si një justifikim për gabimet e qeverive të Kosovës”.

Ndërkohë, “Euronews” ka shkruar se mes shqetësimeve më të mëdha të vendit janë korrupsioni i rrënjosur thellë dhe një marrëveshje paqeje me Serbinë që mund të shtrojë rrugën për një anëtarësim të Kosovës në OKB.

“Sipas sondazheve, pakënaqësia publike me arritjet e Haradinajt në krye të koalicionit trepalësh ka rritur mbështetjen për partitë opozitare”, ka shkruar “Euronews”.

PAQJA ME SERBINË

Marrëveshja e paqes me Serbinë ka qenë në qendër të debatit elektoral. Njëzet vjet pasi forcat serbe u dëbuan nga Kosova me bombardime të NATO-s, Beogradi nuk pranon ta njohë Kosovën si të pavarur. Serbia dhe aleati i saj Rusia kanë bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara. Në 2013, Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja për të normalizuar lidhjet, por është bërë pak përparim.

Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sinjalizuan se ata mund të pajtohen për një shkëmbim të tokës, por u përballën me kundërshtim të fortë të idesë brenda dhe jashtë vendit. Në Kosovë, të tria partitë: LDK-ja, Vetëvendosja dhe PDK-ja thanë që shkëmbimi i tokës nuk ishte i pranueshëm. ShBA-ja dhe BE-ja i shohin tensionet e vazhdueshme, të pazgjidhura midis Beogradit dhe Prishtinës, si një kërcënim i madh për stabilitetin rajonal dhe po bëjnë presion për një normalizim të lidhjeve.