Ballina Blog Faqe 577

Zaev në takim me Merkelin: Bundestagu në shtator do të sjell vendim për nisjen e negociatave me BE-në (Video)

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, së bashku me zv.kryeministrin për Çështje Evropiane Bujar Osmani dhe ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, sot kanë realizuar takim me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Siç njoftojnë nga Qeveria, Merkel në takim ka thënë se Bundestagu do të sjell vendim në shtator për miratimin e nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, në pajtim me procedurat e Gjermanisë për zgjerimin e Unionin, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në takim Merkel ka potencuar se Maqedonia e Veriut e ka përmbushur atë që është pritur dhe se Berlini sheh shumë gjëra pozitive.

Ndërsa Zaev në takim ka thënë se Maqedonia e Veriut ka besim të plotë në kancelaren Merkel dhe e mbështet politikën e saj për zgjerimin e BE-së, si dhe politikat e saj për Ballkanin Perëndimor.

Në takim është thënë se Gjermania është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, me të cilën do të punohet për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në njoftim shprehet e bindur se këtë vit shteti do të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas takimit Zaev dhe Merkel nuk kanë dhënë deklaratë për media, ndërsa opinioni është njoftuar përmes komunikatave./Telegrafi/

Fazë e verdhë alerte në mbarë vendin, temperatura deri në 38 gradë

Vendi sot do të përfshihet me temperatura të fazës së verdhë alerte. Temperatura do të rritet deri në 38 gradë Celsius, për këtë shkak bëhet apel deri te qytetarët të mbrohen nga ekspozimi direkt në diell, të shmangin qëndrim në ambient të hapur në periudhën prej orës 11 e deri në orën 17, të vishen rroba të lehta. Gjatë ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell rekomandohet vendosja e syzeve mbrojtëse dhe kapelave, njofton Koha.mk

Rekomandimi i Komisionit për ndjekjen e gjendjes dhe efekteve nga temperaturat e larta pranë Ministrisë së Shëndetësisë është gjatë ditëve të nxehta ekstreme të këtilla, qytetarët të qëndrojnë në ambiente të hapura, para së gjithash të kondicionuara, ndërsa gjatë qëndrimit të domosdoshëm në ambient të hapur në këtë periudhë, të gjendet mundësi për pushime më të shpeshta nën hije.

Personat me sëmundje kronike u rekomandohet që rregullisht të marrin terapinë e caktuar.

Rekomandohet konsumimi i ushqimit të lehtë dhe të lëngjeve, ndërsa veçanërisht të kihet kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, si dhe të shmangen produktet të papërpunuara termikisht, për shembull majonezë, akullore dhe kremra të ndryshëm. Nevojitet konsumim të sasisë më të madhe të lëngjeve, më mirë uji i thjeshtë është më i preferuar ndërsa duhet të shmangen pijet alkoolike. Gjatë hyrjes në automjet rekomandohet që fillimisht automjeti të ajroset për një periudhë të caktuar kohe.

Sinoptikët prej sot e deri të dielën paralajmërojnë mot me diell dhe shumë të nxehtë me temperatura maksimale mbi 35 gradë. Nga e diela në orët e pasdites sërish do të ketë paraqitje të shiut të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima, ndërsa temperatura maksimale do të jenë rënie graduale. (koha.mk)

Tunel nën Kala, projekti i qytetit të Shkupit (VIDEO)

Nga pjesa e pasme e godinës së Qeverisë, përmes tuneleve në Kala të arrihet deri tek Rruga e plastikës. Për këtë projekt sot është nënshkruar marrëveshje për përpunimin e projektit fillestar dhe projekti infrastrukturor për zgjidhje trafiku që me urë në qendër të qytetit, tunele nën Kalanë e Shkup dhe unazë do ta lidh bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit” me bulevardet “Nikolla Karev” dhe “Brigadën maqedonase- kosovare”. Pritet që projekti në fjalë të jetë gati deri në fund të vitit ndërsa tunelet të jenë gati deri në vitin 2022.

PUBLIKOHET LIBRI I NESIMIT PËR SHQIPTARËT E MAQEDONISË (VIDEO)

“Shqiptarët e Maqedonisë dhe Ardhmëria e shtetit”, është libri më i ri i ish ambasadorit Mahi Nesimi që sot u promovua në hapësirat e UEJL-së. Në veprën e fundit Nesimi ka trajtuar çështje, problematika dhe procese nëpër të cilat vendi dhe shqiptarët e Maqedonisë e të cilat sipas autorit duhet të zgjidhen në të ardhmen. Ajo që e bën të rrallë këtë monografi politike është paraqitja e gjendjes së shqiptarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm si dhe temat të cilat kurrë nuk janë prekur.

Mahi Nesimi, autor: Libri ka 14 kaptina, 13 kaptina janë tema në vehte çdonjëra dhe përpunohet, shfaqen mendimet e mia lidhur me mundësinë e kantonizimit të Maqedonisë, ndarjen e Maqedonisë, elaborohen ligjet për përdorimin e gjuhës përfshië edhe këtë të fundit. Pastaj jepet një pasqayrë e asaj se çka paraqet Shkupit 2014, pse maqedonastie e kontestojshin ndarjen territorial të vitit 2004, jepet një pasqyrë për historikun e përdorimit të gjuhës shqipe dhe flamurit shqiptar.

Vlerësime pozitive për këtë monografi politike ka dhënë edhe rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, ndërsa recenzenti Jeton Shasivari tha se me këtë libët ofrohet qasje e re për turbulencat në skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe gjithashtu kërkohet punë e jo fjalë nga bartësit e funskioneve. “Shqiptarët e Maqedonisë dhe Ardhmëria e shtetit” është libri i pestë me radhë i autorit Mahi Nesimi, i ndarë në 14 kapituj.

Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?time_continue=2&v=LUtYwEfLfRA

Instituti amerikan IRI trajnon Lëvizjen BESA

Sot në hapësirat e Lëvizjes BESA në Shkup, instituti Amerikan IRI, ka mbajtur trajnim me përfaqësuesit e departamentëve të Lëvizjes BESA. Temë e këtij trajnimi ishte “Opinioni publik dhe hulumtimet anketuese”, ku përfaqësuesit e departamentëve patën mundësinë të njoftohen më për së afërmi me temat që kanë të bëjnë me hulumtimin e mendimit publik. Në këtë trajnim, është analizuar edhe platforma e Lëvizjes BESA, se çfarë ofron ajo për qytetarët dhe për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Lëvizja BESA, edhe në të ardhmen do të vazhdoj bashkëpunimet me institute të huaja, me të vetmin qëllim, për përgatitjen e lidershipit të brendshëm partiak që në të ardhmen do të udhëheqin procese të rëndësishme për vendin.

Osmani: BDI po riorganizohet (Video)

BDI nuk është duke kopjuar LSDM-në lidhur me ndryshimet në nivel partiak. Sipas kësaj partie, krerët e degëve nuk janë shkarkuar por kanë pasur mandat të skaduar prej një viti. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se riorganizimi partiak është duke ndodhur në përputhje me statutin e partisë.

Jo për shkak se statuti ka përcaktuar që kongresi duhet mbahet në këtë datë dhe kjo nuk mund të shtyhet më tepër se realisht organet e partisë janë në fazën e ushtruesve të detyrës. Për shkak se mandati kryetarëve të degëve u ka skaduar në nëntor të vitit kaluar, Kryesia Qendrore vendosi që të caktojë koordinator për çdo degë që të nisë organizimin e zgjedhjeve që nga këshillat vendor deri tek Kuvendi i degëve dhe kryetarëve të degëve. Koordinatori në këtë periudhë do të jetë pika e kontaktit mes qendrës dhe degës, por nuk do të kenë drejtë të kandidojnë – u shpreh Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Përgjimi i “El Chekës”, Izet Zeqiri reagon ndaj Musa Xhaferrit dhe Ali Ahmetit

Akademiku dhe ish-deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri ka pranuar se ka dëgjuar që emri tij është përmendur në përgjimin e fundit të El Chekas. Ja reagimi i Zeqirit.

Të dashur miq!
Unë Izet Zeqiri jam mësuar me zullum gjatë gjithë jetës edhe sot e kësaj dite, sepse njeriut, punëtor, energjik, dinamik, të ndershëm, të suksesshëm dhe të pa korruptuar, vazhdimisht ia kurdisin zullumin në të gjitha anët. Zullumin personal e pranoj si sfidë, por çdo herë kur përmendet ZULLUMI NË FAMILJE, jo vetëm ajo gjakut, po për atë të madhe, tek unë ndryshon ritmi i rrahjeve të zemrës në kraharor. Edhe atë kohë kam qenë i vetëdijshëm dhe i pa luhatshëm por duke besuar se familja është sikur degët në një dru, ne të gjithë rritemi në drejtime të ndryshme megjithatë rrënjët qëndrojnë si një.

Vërtet unë hyra në politikë bashkë me patriotin e shqiptarëve Rufi Osmanin dhe e “MORA ME ZEMËR” PUNËN E DEPUTETIT, siç thotë Musa, por mua nuk më lodhën dhe më penguan këta që më përgojojnë dhe më thuan gjithçka, por më PENGOI populli im i dashur që më vlerësoi vetëm më 2000 vota në Tetovë, jo se unë nuk isha i denjë për punën që konkurroja, por shumica udhëhiqeshin nga logjika e zullumit dhe interesit.

Vërtetë unë profesori i Xhepçishtit “JAM TEK MENDE” sepse unë nuk jam i thyeshëm dhe lakmitar i pushtetit dhe të mirave të tij, UNË dhashë dorëheqje pas 18 muajve si deputet në kohën ku tre herë u shpalla zyrtarisht deputet me aktiv në parlament, sepse këtë ma kërkoi populli im i dashur me votën e lirë dhe ma kërkoi ndërgjegjja ime dhe familjes time që ju ma përgojoni.

Siberi, akulli ka ruajtur kokën e ujkut për 40.000 vite (FOTO)

Shkencëtarët po studiojnë mbetjet e një ujku “pleistocen”, që ka jetuar 40 mijë vite më parë, dhe që u gjet i ruajtur në mënyrë të përkryer në akull, në Siberi.

Ujku mendohet se ka qenë 2 deri në 3 vjeç kur ka ngordhur. Koka e tij e prerë u zbulua vjet në brigjet e lumit Tirektiak, në Jakutia.

“Kemi gjetur shpesh kafka të këtyre ujqve, por është hera e parë që zbulojmë një kokë me indet e buta dhe trurin të ruajtura më së miri”, thonë shkencëtarët.

Koka u prezantua në Tokio, ku profesori japonez Naoki Suzuki tha se muskujt e fytyrës dhe truri janë ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Po ashtu, shkencëtarët kanë gjetur edhe këlyshët.

Mishi artificial, Japonia bëhet gati të zëvendësojë kafshët

Me rritjen e popullsisë globale, kërkesa për mish po bëhet edhe më e madhe, ndërsa çmimet po rriten. Kjo ka orientuar studiuesit drejt gjetjes së një alternative të re: mishi artificial. Shkencëtarët japonezë po përdorin qelizat muskulare të kafshëve për kultivimin, centimetër pas centimetri, të një porcioni katror të atij që e kanë quajtur bifteku artificial.

Procesi i kultivimit, që zgjat rreth një javë, mund të ketë një impakt të madh në tregjet e sotme ushqimore. Sa i përket shijes, studiuesit thonë se do të implementojnë yndyrë, gjak e madje edhe kocka në mishin artificial për ta bërë atë sa më pranë të vërtetit.

Shoji Takeuchi, professor në Universitetin e Tokios, shprehet: “Në vitin 2050 popullsia botërore do të arrijë në 9 miliardë. Do të jetë e vështirë që mishi i kafshëve të plotësojë nevojat e njerëzve. Kështu, sipërmarrësit ushqimorë në Japoni duan të vendosin këmbët në këtë fushë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Prodhimi i mishit artificial bazohet tek qelizat e kafshëve, por pa i vrarë ato. Diçka e tillë mund të garantojë sigurinë ushqimore, njëkohësisht duke reduktuar barrën në mjedis. Megjithatë, shumë qytetarë japonezë mbeten dyshues nëse duhet të pranojnë këtë burim të panjohur ushqimi.

Gjarpri i rrallë lind me “syze dielli dhe mustaqe” (FOTO)

Një gjarpër i rrallë që po i mahnit të gjithë është zbuluar në Teksas. Në trupin e tij janë vënë re disa shenja interesante. Një pjesën e fytyrës ai duket sikur ka syze dielli dhe mustaqe. Disa njerëz mund të mendojnë se është përdorur ‘Photoshop’, por jo. Fotot e gjarprit të rrallë janë bërë virale dhe janë përhapur me shpejtësi në mediat online.

Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës e Serbisë për njohje reciproke

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje që përqendrohet në njohjen reciproke mes tyre. Në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.”

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm.

“Amazon” prezanton dronët shpërndarës të porosive

“Amazon” ka prezantuar dronët e telekomanduar, që muajt e ardhshëm do të fillojnë shpërndarjen e paketave në shtëpitë e porositësve.

Gjiganti i blerjeve “online” nuk ka dhënë një kohë të saktë se kur dronët do të nisin shpërndarjen, por thotë se dronët e tij të rinj përdorin vizionin kompjuterik, e mund të pikasin apo evitojnë njerëzit apo edhe telat e rrobave në kopshte, kur ata të ulen.
Jeff Wilke, që mbikëqyr rrjetin e tregtisë së “Amazon” tha se, dronët janë tërësisht elektrikë dhe mund të fluturojnë në distanca deri në 24 km, e ta bëjnë këtë brenda 30 minutave. Ata mund të mbajnë po ashtu pako që arrijnë deri në 2.3 kg.

“Amazon” ka vite që punon për shpërndarjen me dronë. Në dhjetor të vitit 2013, presidenti dhe themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos tha se dronët do të fluturonin drejt shtëpive të porositësve brenda 5 vitesh. Por, ky afat kaloi për shkak të problemeve me rregulloret.

Administrata Federale e Aviacionit, që rregullon përdorimin komercial të dronëve në SHBA, nuk ka bërë ende komente. Por në prill, një nëndegë e gjigantit të kërkimeve “Google” mori miratimin e administratës për të bërë shpërndarje me dronë në disa pjesë të Virginias.

Tetovë, plaku e “ha sapunin për djath”, mashtrohet nga “drushitësi”

Shtatëdhjetë e shtatë vjeçari T.U. nga Tetova, dje (10 qershor), ka denoncuar se një ditë më parë ka qenë i mashtruar na një person i panjohur, të cilin rastësisht e ka takuar dhe i njëjti i ka ofruar dru për ngrohje me çmim të volitshëm, kështu që ka
porositur 3 metër kub dhe të njëjtat i ka paguar 150 euro.

Personi i panjohur, sipas rrëfimit të denoncuesit, i ka thënë se do të takohen në rrugën “Ivo Ribar Lola” në Tetovë, ku gjoja se e ka deponë e tij për dru ngrohjeje, kështu që është larguar dhe nuk është kthyer më.

Merren masat dhe aktivitetet për zbardhjen e rastit si dhe zbulimin e mashtruesit.

Aksident në rrugën regjionale Tetovë – Jazhincë

Dje (10 qershor), rreth orës 16 e 20 minuta, në rrugën regjionale Jazhincë-Tetovë, ka ndodhur aksident trafiku në të cilën janë përfshirë dy vetura me targa të Tetovës: vetura e tipit “Audi”, e
drejtuar nga 59-vjeçari R.K. nga fshati Poroj dhe vetura e tipit “Reno klio”, të cilën e ka drejtuar 24- vjeçari R.K. nga Tetova.

Shoferi i veturës “Audi” ka pësuar lëndime trupore dhe me veturë tjetër është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku është shtrirë për mjekim.

Është kryer inspektim në vendin e ngjarjes, nga ekip i SPB Tetovë.

Aksident në Tetovë

Në udhëkryqin në mes të Bulevardit “Ilinden” dhe rrugës regjionale Tetovë-Vollkovi, dje (10 qershor) rreth orës 15, ka ndodhur aksident trafiku në të cilën janë përfshirë dy automjete: Xhip “Grande Shiroke” me targa të Kumanovës, të cilën e ka drejtuar 59- vjeçari N.B. nga fsahti Çerkez i Kumanovës dhe
makina “Golf” me targa të Tetovës, të cilën e ka drejtuar 51-vjeçari A.O. nga Tetova.

Shoferi i lënduar i makinës “Golf” është dërguar
në Spitalin Klinik të Tetovës, ku është mbajtur për
mjekim të mëtutjeshëm.

Është kryer inspektimi në vendin e ngjarjes dhe
punohet në përcaktimin e shkakut dhe rrethanave
tjera të këtij aksidenti.

Botohet në Fletoren Zyrtare, hyn në fuqi dekreti për të shfuqizuar zgjedhjet e 30 qershorit

Hyn në fuqi vendimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet vendore.

Dekreti me numër 11199, i datës 10.6.2019 që shfuqizon 30 qershorin si datën e zgjedhjeve është publikuar sot në Fletoren Zyrtare.

Pavarësisht vendimit të Metës dhe sqarimit që bëri sot publikisht, se kishte informacione që në protestën e opozitës do kishte trazira me pasoja për vendin, ndaj edhe e shfuqizoi datën e zgjedhjeve, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama janë shprehur të vendosur për të hyrë në zgjedhje më 30 qershor.

Fill pas konferencës së Metës, reagoi Rama që tha se zgjedhjet do mbahen në 30 qershor.

Mazhoranca e konsideron si antikushtetues dhe të pazbatueshëm vendimin e presidentit, por ai nguli këmbë sot se gjithçka kishte bërë e bazonte te Kushtetuta.

Detaje për incidentin në Ohër

Në opinion asnjë reagim rreth incidentit të djeshëm në Ohër kur në mes të seancës të Këshillit të komunës, këshilltari nga radhët e BDI-së, Nefi Useini, fiz*ikisht ka sul*muar kolegun e tij nga Lëvizja BESA, Xhemal Mena. Nga policia thonë se pas dokumentimit të plotë të rastit, SPB Ohër kundër Useinit do të ngrit kallë*zim përkatës.

Më datën 10.06.2019 XH.M (25), këshilltar në Këshillin e komunës së Ohrit, ka denoncuar se ditën e njëjtë rreth orës 14:00, derisa ka kryer detyrat e punës në komunën e Ohrit, pas paraqitjes së tij nga seanca, fizi*kisht është sul*muar nga N.U nga Ohri, këshilltar në Këshillin e komunës Ohër – njoftojnë nga SPB Ohër.

Incidenti ka ndodhur para syve të këshilltarëve, para të punësuarve të komunës dhe para kryetarit Konstantin Gjeorgjievski. Pas heshtjes së djeshme, nga komuna me reagim rreth incidentit dolën sot ndërsa reagoi edhe VMRO DPMNE.

Konsiderojmë se sjellja e këtillë është incident i izoluar dhe se nuk do të përsëritet në të ardhmen. U bëjmë thirrje këshilltarëve që të sillen në frymën e demokracisë dhe respektimin e mendimeve të ndryshme – thonë nga Komuna e Ohrit.

Nga spitali i Ohrit për Alsat deklaruan se Xhemal Mena tek ta është pranuar me lëndime fizike. Alsat edhe sot disa herë tentoi të kontaktojë me Nefi Useinin, por i njëjti nuk iu përgjigj thirrjeve. Për disa portale, ai ka përmendur se ka qenë i revoltuar nga sjellja e kolegut të tij nga BESA i cili nuk ka dashur ta mbështes punësimin e 20 personave në ndërmarrjen publike të ndërtimeve në Ohër.

Ky veprim i tij i pakuptimtë, por edhe tradhtia ndaj shqiptarëve në Ohër më ka revoltuar dhe për këtë ndodhi reagimi im lidhur me këtë votë kundër interesave të shqiptarëve në Ohër – tha Nefi Useini- këshilltar i BDI-së.

Për këtë ngjarje reaguan edhe nga Komiteti i Helsinkit.

Kultura politike në Maqedoni është në nivelin shumë të ulët. Mos- ndëshkueshmëria e këtyre veprimeve në esencë është shkaktari kryesor që në Maqedoni ka aq shumë vepra pen*ale nga urr*ejtja – deklaroi Urania Pirovska- Komiteti i Helsinkit.

Nga Lëvizja BESA njoftuan se për rastin në fjalë do t’i njoftojnë të gjitha ambasadat e huaja ndërsa i sul*muari Mena do të ngrit kallë*zim pen*al ndaj kolegut të tij nga BDI.

Lubjanë, 30 vjet më pas (Kumtesë në simpoziumin për 30-Vjetorin e shoqatës “Migjeni” në Lubjanë)

Nga Bislim Elshani

Shfrytëzoj rastin fillimisht të përgëzoj z. Martin Berisha bashkë me bashkëpunëtorë që për 30 vite me radhë mbajti gjallë frymën e shoqatës “Migjeni”, përkatësisht, që një vrapim 100-metërsh të saj e ktheu në një maratonë. Kumtesa ime ndërkaq ka të bëjë pikërisht me atë kohë të vrapit të shkurtër dy-tre-vjeçar, për vitet 89-92, që ishte dhe themeli intelektual, moral dhe politik i kësaj shoqate.

Më lejoni gjithashtu fillimisht të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për gjithë ata bashkëpunëtorë të asaj kohe, kontribuues financiarë, shpërndarës revistash që rrezikonin kokën e tyre nëpër Kosovë, aktivistë kulturorë e muzikorë, dhe sidomos për ata që tashmë nuk gjenden të gjallë midis nesh, zotërinjtë Gjon Simoni, Halil Berisha, Qazim Xani, Halit Keqa e të tjerë.
30 vjet më parë, gjersa po punoja në qytetin turistik të Rogashka-Slatinës në një ndërmarrje shërbimesh private të kopshtarisë e ndërtimtarisë, më ra në dorë numri i parë i revistës “Alternativa”, botuar në kryeqytetin slloven. Më la përshtypje e vërteta pa dorëza që shfaqej në faqet e saj mbi rrethanat politike në Kosovë. Nuk vonova, por iu bashkova këtij projekti që në numrin e tij të dytë, pas kontaktit me drejtuesin e saj të atëhershëm, z. Sali Kabashi. Nuk njiheshim bashkë, po mjaftoi një shkrim i imi i botuar asokohe në gazetën “Dnevnik” të Lubjanës për të krijuar përshtypjen e duhur tek kolegu i ardhshëm Kabashi.

Drejtuesi i shoqatës “Migjeni”, Naim Maloku, ashtu si dhe kolegu i tij, Fadil Demiri, më pritën gjithashtu pa rezerva. Punët që mora përsipër në redaksinë e “Alternativës” ishin të shumta, që nga lektorimi dhe redaktimi i teksteve, deri te përpilimi i informacioneve mbi ngjarjet politike të kohës në Kosovë. Si bashkëpunëtor në këto punë kisha Enver Nezirin nga Tetova, ndërsa mbështetës të pazëvendësueshëm z. Skënder Fazliu. Më pas nisa të merresha edhe me përkthimin e teksteve politike, letrare e shkencore të autorëve sllovenë, si Jasha Zllobec, Jure Detela, Iztok Tor, Petar Bozhiq e të tjerë. Duke qenë se Serbia ia kishte dalë ta mbante në terr informativ botën sa i përket ngjarjeve në Kosovë, detyra jonë fillimisht ishte të çanim këtë rrethim, ndërsa më vonë edhe të jepnim koordinata udhërrëfyese se nga do të shkonte shoqëria kosovare.

Ardhja në Lubjanë ishte një sfidë e veçantë për mua, pasi që u desh t’i futesha një jete të pasigurt në kuptimin financiar, në kohën kur më duhej të ndihmoja edhe familjen time, shoqen me dy fëmijë, në Kosovë. Mirëpo kohët ndryshuan shpejt. Duke qenë se jehona e punës që po bënim arriti në të gjitha këndet, së shpejti filluan të vinin donacione nga bizneset shqiptare të Lubjanës e të gjithë Sllovenisë. Kjo na mundësoi t’i përballonim me sukses vështirësitë financiare të fillimit. Lubjana u kthye shpejt në një oazë politike e kulturore shqiptare midis shkretëtirës politike serbe e jugosllave. Bashkëveprimtarët tanë në Perëndim çuditeshin se si po publikonim çdo opinion të mundshëm kundër shovinizmit serb, gjë që deri atëherë konsiderohej si një rrezik i papërballueshëm.

Duke qenë se për botimet nga Lubjana nuk kishte as kontroll dhe as ndalesë nga policia federative, botimet tona u përhapën me të shpejtë. Mirëpo shpërndarja e produkteve tona nëpër Kosovë përcillej me disa rreziqe, sepse shërbimi i fshehtë serb, sapo e mori vesh se përse bëhej fjalë, nisi ta përndiqte e ta bllokonte. Megjithatë sasi të panumërta të revistës sonë shpërndaheshin nëpër shkolla, fakultete e reparte fabrikash, duke kaluar dorë më dorë.

Çfarë arritëm në ato vite dhe çfarë mund të bënim më mirë?

Pritmëritë e të gjithëve ishin të paqarta dhe pa një strategji të përpunuar për lëvizjen e faktorit shqiptar në Kosovë. Kishte ndonjë nga ne që pretendonte edhe për ndikime e orientime edhe në ndryshimet politike në Tiranë. Mbretëronte një kakofoni politike, ku krahas kërkesës për statusin e republikës brenda federatës jugosllave, gjithnjë e më shumë po zinte vend teza e bashkimit kombëtar, sidomos pas kthesës demokratike që mori politika e shtetit shqiptar.

Në Lubjanë nisën të ushtronin ndikimin e tyre intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të Kosovës, si Rexhep Qosja, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Zekeria Cana, Ibrahim Rugova, Ali Podrimja e të tjerë, krahas partive të reja politike që sapo kishin dalë në skenë. Pluripartizmi po i jepte frutat e para, dhe, sipas rregullit, edhe republika federale serbe s’mund t’ua mohonte këtë të drejtë shqiptarëve. Mirëpo intencat e saj ishin që këto procese të pashmangshme të vonoheshin sa më shumë, dhe mundësisht, të bëheshin të pamundura. Kështu që përplasjet që filluan me heqjen e autonomisë një vit më parë zunë të intensifikoheshin edhe më. Arrestimet vazhdonin të bëheshin për arsyet më banale, qoftë dhe për një këngë apo për një parullë, në kohën kur këngët e parullat çetnike serbe jehonin në të gjitha sheshet dhe kafenetë serbe.

Në rrugët dhe kafenetë e Lubjanës nisën të shiheshin figura të ish-establishmentit politik të Kosovës që kishin dështuar në mbrojtjen e autonomisë së saj një vit më parë, si Remzi Kolgeci e ca të tjerë – karta të djegura e limona të shtrydhur nga politika serbe. Ishin njerëz që gjersa kishin qenë në pozita politike, kishin bllokuar çdo hapësirë lirie për bashkëkombësit e tyre. Në këtë kohë në revistat e Lubjanës ishin mjaft aktivë edhe publicistët prishtinas Blerim Shala e Shkëlzen Maliqi me shkrime që denonconin politikën e mbrapshtë serbe në Kosovë.

Bashkë me një ekip të mirëorganizuar e të koordinuar ato vite ndërmorëm aktivitete të shumta politike e kulturore, organizuam biseda informative me përfaqësues të politikës evropiane me ç’rast gëzonim ndihmën e pakursyer të intelektualëve e aktivistëve të tillë politikë e kulturorë sllovenë si Jasha Zlobec e Matjazh Hanzhek. Organizuam një akademi me shumë intelektualë të ftuar nga Kosova ku u lexuan kumtesa për të ardhmen e Kosovës në rrethanat e reja politike.

Së shpejti në këtë kohë në Lubjanë u shfaq, pas Adem Demaçit, edhe Ukshin Hoti. Shkak për ardhjen e këtij të fundit u bëra unë. Në një sirtar të tavolinës në zyrën e shoqatës “Migjeni” ku punoja zbulova një ditë një dorëshkrim prej shumë faqesh. Nga keqardhja “për ndonjë student të varfër që s’kishte pasur makinë shkrimi”, nisa të lexoja disa rreshta me qëllimin për të përzgjedhur ndonjë gjë me vlerë për publikim. Mirëpo u çudita kur shquajta në krye emrin e Ukshin Hotit, një figurë e njohur e skenës politike kosovare. E lexova me interesim të gjithë shkrimin e tij dhe e pashë se bëhej fjalë për një qasje profesionale politike, me përgjegjësi të thellë shkencore e humane. E bisedova çështjen me kryeredaktorin dhe u morëm vesh që ta përgatisja për botim, duke hequr ndonjë pjesë me më pak rëndësi. Mirëpo kjo do të më kushtonte pas vajtjes sime në Kosovë, kur vëllai i Ukshinit, Afrimi, më erdhi në shtëpi për të shprehur protestën e të vëllait për “censurimin” që i kisha bërë tekstit të tij.

Pasi shpjegova se s’bëhej fjalë për kurrfarë censurimi, po thjesht për një redaktim jotendencioz, ai më ftoi që ta takoja vetë Ukshinin në shtëpinë e tij. Ky ishte takimi im i parë me të, dhe me të kuptuar se nuk kisha pasur asnjë qëllim të fshehtë kundër tij, u frymëzua për të ardhur edhe vetë në Lubjanë, për t’i dhënë seriozitetin e nevojshëm politik lëvizjes sonë nacionale. Fillimisht të gjithë e pritën zemërhapur. Mirëpo shpejt u shfaqën kontradiktat, sidomos në raport me kryeredaktorin. U morëm vesh që të nxirrnim një gazetë të re me titull “Republika”, duke shfaqur kështu direkt e që në titull qëllimet tona politike. Mirëpo pajtimi politik nuk zgjati shumë.

U ndamë më dysh dhe z. Kabashi vazhdoi rrugën e tij ndërsa ne, dmth. unë, Ukshin Hoti, Rexhep Hoti dhe Fadil Bajrami nga Kërçova dolëm me një gazetë të re të cilën pas një konsultimi të gjatë që bëmë unë e Ukshin Hoti, e emërtuam “Demokracia autentike”. “Demokracia autentike” nisi të trajtonte seriozisht të ardhmen politike të Kosovës, duke shmangur, në njërën anë, qasjen tradicionale romantike e folklorizmat politikë të kohës që shfaqeshin në stilin “dikush thumbit e dikush patkoit”, dhe në anën tjetër, qasjet e njëanshme ideologjike kundrejt demokracisë. Ky pozicioni i tij i fundit nuk u kuptua si duhet atëbotë, dhe kam frikë as sot, pasi që akoma në disa qarqe po spekulohet, ndonëse jo në publikime serioze shkencore, rreth sindromës komuniste të Ukshin Hotit. Një luftëtar dhe zëdhënës i zjarrtë i demokracisë s’ka se si të ndërlidhet me asnjë ideologji ekskluzive, as të majtë, dhe as të djathtë, sepse, siç e pohon vetë Ukshin Hoti në analizat e tij duke cituar Adornon, e vërteta s’është as e përkohshme, as e gjithëkohshme, por thjesht e kohshme, ndërsa ideologjitë s’janë veçse projeksione utopike të vetëdijës shoqërore.

Ukshin Hoti në asnjë trajtim apo shënim nuk i referohet klasës punëtore të Kosovës, sepse ai realitetin kosovar e shihte më shumë si një realitet fshatar e më pak si punëtor e urban, por i cili si një komb i pjekur dhe i ndërgjegjësuar synon zhvillimin ekonomik si qëllim dhe sistemin demokratik si mjet. Për format e organizimit të kontestimit politik ai nuk thirrej në metodat e Kominternës të marrjes së pushtetit me dhunë, por në 198 metodat e Gene Sharpit, konkurrencës demokratike dhe barazisë së shanseve. Ai në publikimet e tij flet me zjarr dhe pasion për demokracinë dhe për të gjithë historinë dhe sharmin e saj, që nga ajo e Athinës, dhe deri te ajo e Alexis de Tocqueville-it. Ajo çfarë kërkonte Ukshin Hoti prej klasës politike kosovare ishte serioziteti dhe marrja e përgjegjësisë për proceset demokratike.

Duke qenë se ajo nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë, e akuzonte fshehurazi atë për të kuq. Kjo akuzë ishte absurde, sepse edhe kur ishte pjesë e nomenklaturës politike jugosllave, Ukshin Hoti mbante pozicione në politikën e jashtme të cilat vetvetiu duhej të abstrahonin ndarjen apo luftën e brendshme të klasave. Kjo gjë mund të konstatohet fare lehtë edhe nga libri i tij i parë, “Lufta e ftohtë dhe detanti” (Prishtinë 1976). Më ka ndodhur që një përgojim të tillë meskin ta dëgjoj edhe prej ndonjë intelektuali të shquar kosovar të cilin Ukshin Hoti e konsideronte mik. Për këtë shkak, në mbrojtjen e tij të famshme para gjyqit serb në Prizren me 1994 ai nuk heziton ta akuzojë publikisht “alternativën politike në Prishtinë” për bashkëpjesëmarrje në dënimin e tij.

Risia që solli gazeta jonë në ambientin politik kosovar ishin konceptet politike moderne të demokracisë, të panjohura e të palëvruara deri atëherë nga studiuesit dhe aktivistët tanë politikë. Ukshin Hoti të drejtat nacionale dhe të drejtat e individit i shikonte në unitet, prandaj dhe lëvizjen tonë kombëtare, sidomos nga viti ’81 e më tutje, e shikonte si një lëvizje drejt lirisë e pavarësisë nacionale dhe njëkohësisht, drejt demokracisë. Fatkeqësisht gazeta pas një viti ra në vështirësi të papërballueshme financiare dhe e ndërpreu botimin. Duke i ditur makinacionet politike të ish-kolegëve të tij titistë, Ukshin Hoti dyshonte në komplote financiare e politike me qëllim bllokimin e tij të plotë politik. Sepse sipas tij, sa më e papërgjegjshme që të ishte politika jonë, aq më kollaj do të manipuloheshim prej politikës serbe.

Ukshin Hoti tregohej i matur sa i përket rolit që duhej të kishte shteti shqiptar kundrejt Kosovës. Ai nënvizonte se duhej ta kursenim e mos ta involvonim atë në rreziqet tona të luftës për statusin politik të Kosovës, duke çmuar njëkohësisht angazhimin diplomatik ndërkombëtar të Shqipërisë zyrtare për ne. Para një udhëtimi tim drejt Tiranës me 1990 ai më porositi t’ua shpërndaja disa numra të gazetës sonë një numri intelektualësh dhe të shihja reagimet e tyre. Intelektualë si Dritëro Agolli, Sulejman Krasniqi e Moikom Zeqo ishin të informuar qysh më parë për ndryshimet që priteshin dhe pasi e pëlqyen gazetën tonë, na përcollën mesazhin se ndryshimet demokratike do të bëheshin, por me kujdesin “që të mos dalë zinxhiri nga rrota”, përkatësisht, të mos rrëshqisnin në anarki. Më pati bërë përshtypje një vërejtje e redaktorit të gazetës “Bashkimi”, z. Sakajeva, i cili kur pa një shkrim të Fatos Nanos në faqet e gazetës sonë, rrudhi buzët dha na sugjeroi që në të ardhmen t’i linim më shumë vend Sali Berishës, sepse sipas tij, roli i tij do të vinte duke u rritur. Kur sjell ndërmend se pikërisht ky i fundit do të bëhej fati dhe fatkeqësia e shqiptarëve për tri dekadat e ardhshme, më shkon mendja se teoritë e konspiracionit nuk duhen hedhur poshtë a priori si joshkencore.
Në këtë kohë shoqatën tonë e vizitonin edhe gazetarë e informatorë serbë, njëri prej tyre një agjent i KOS-it dhe zëdhënës i armatës jugosllave.

Duke qenë se shteti i tij ishte i pafuqishëm për të na bllokuar aktivitetin, ai na quante në komentet e tij “Slepi putnici u tuđem čamcu.” (Udhëtarë të verbër në një varkë të huaj). Ai më tutje komentonte se ne s’ishim asgjë tjetër, pos një karrem, një argument shtesë dhe pretekst politik plotësues për largimin e Sllovenisë nga federata jugosllave. E vërteta, ndërkaq, dukej më e thellë, dhe nga aspekti politik veprimin slloven unë e barazoj me një situatë dhunimi kolektiv, me ç’rast një i ndërgjegjshëm refuzon t’i nënshtrohet psikozës barbare të kolegëve. Në këtë aspekt qëndrimi slloven ishte më i qartë edhe në raport me kroatët, dhe akoma më tepër në raport me boshnjakët e maqedonasit.

Nuk e di nëse sllovenët përfituan ndonjë gjë prej nesh, mirëpo ne përfituam shumë nga mikpritja e tyre dhe nga raportet me ta. Synimi i Ukshinit në këto raporte ishte që të artikulonim me kompetencë të plotë politike objektivat tanë duke luftuar për vete dhe jo që të mbetemi viktima manipulimesh të të tjerëve. Gjithsesi një gjë mund të thuhet, se “Demokracia autentike”, për aq kohë sa u publikua, ishte dhe mbeti artikulimi më profesional, më autentik dhe më i përgjegjshëm i synimeve politike të shqiptarëve në ish-federatën jugosllave dhe në të ardhmen e bashkimit evropian që kishte si burim shqiptarët e Lubjanës dhe si pikënisje fillestare shoqatën “Migjeni”.

Duke u ndërlidhur së fundi me vërejtjen e kryeministres serbe Bërnabiq (Brnabić) lidhur me prejardhjen e afërt pyjore të veprimtarëve politikë shqiptarë nga vitet 90 e këtej, e ndjej për obligim të them, si bashkëpunëtor i një specializanti të Harvardit në fushën e politologjisë moderne, se tradita sociologjike serbe për “njerëzit me bishta në Ballkan” është një ndër traditat më primitive e më idiote të globit, po t’i zëmë besë teorisë së evolucionit miliona-vjeçar të racës njerëzore. Sipas kësaj teorie, s’ka popuj të rinj e të vjetër, sepse të gjithë janë të vjetër, si banorët e Manhatanit, ashtu dhe zulutë e Afrikës dhe aborigjinët e Australisë. Teoritë moderne antropologjike, nga Levi-Stross e këtej, dëshmojnë se nuk ka ndryshime të qenësishme në strukturat mendore të aborigjinëve e të banorëve të metropoleve perëndimore.

Mirëpo, në rast se do t’i besonim teorisë niçeane të përsëritjes dhe të qarkut vicioz të historisë njerëzore, atëherë ka gjasa që ndonjë bashkësi njerëzore ta kryejë ciklin e vet humanoid dhe të degjenerojë në kthimin tek primatët. Më duket se specie të tilla po na shfaqen herë pas here në ndonjë mjedis politik sllav, së paku sipas nivelit kulturor që tregojnë. Mbetet që në të ardhmen të vëzhgojmë me kujdes dhe të shohim se ku po i fshehin bishtat. Por t’i lëmë shakatë mënjanë, jo vetëm sepse nuk guxojmë të biem në shkallën e meskinitetit të Vuçiqit e Brnabiqit, por pohimi i kësaj të fundit, ndonëse në aspektin shkencor biologjik iracional, ai është plotësisht racional sa i përket modernitetit politik të inicuar nga makineria hitleriane para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Formula themelore që parapriu marshin kriminal të fashizmit kundër çifutëve ishte “çnjerëzimi” i viktimës, përkatësisht, zhveshja e viktimës nga cilësitë njerëzore, aspekte të trajtuara në librin më gjithëpërfshirës sa i përket holokaustit dhe racizmit, atij me titull “Moderniteti dhe holokausti” të filozofit polako-britanik Zygmunt Bauman. Pikërisht ky është kuptimi i deklaratës së znj. Bërnabiq, e cila assesi nuk guxon të kalojë me aq lehtësi dhe sa për të larë gojën nga zëdhënësi politik i BE-së. Përfundimisht, fashizmi serb duhet konsideruar si një virus i rrezikshëm, i gatshëm të shpërthejë sërish në Ballkanin Perëndimor, sapo vëmendja e qytetërimit perëndimor të topitet ose të përcaktojë të tjera prioritete.
Bazel, 5.06.2019

POLICIA JEP DETAJE PËR AKSIDENTIN E TRE MAKINAVE NË AFËRSI TË BUKOVIQIT

Policia ka dhënë detaje për aksidentin e djeshëm në afërsi të fshatit Llaskarcë dhe Bukoviq, ku u përplasën tre makina.

“Dje rreth orës 16:15 në autostradën “Nënë Tereza” në rrethinën e fshatit Bukoviq, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë tre makina, respektivisht makinë e tipit “Fiat Seichento” me targa të Shkupit, që po drejtohej nga A.D. (43) nga fshati Trubarevë, makinës “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës, që po drejtohej nga A.S. (26) nga Novo Sella e Tetovës, dhe makina “Peugeot Biper” me targa të Shkupit, që po drejtohej nga E.R.(36) nga Shkupi”.

MPB njofton se gjatë aksidentit janë lënduar tre shoferët dhe bashkudhëtarja. /SHENJA/

Nikolla Gruevski shijon “arratinë”, kapet duke festuar në një jaht

Ish-Kryeministri azilant, Nikolla Gruevski u kap nga gazetari i cili nuk arriti të nxjerr asnjë përgjigje, ditën e njëjtë Gruevski menjëherë është kapur nga kamerat në një jaht në Danub.

Gazetari Balezh Ceko në llogarinë e tij në Twitter ka publikuar fotografi nga Gruevski i cili ishte prezent në një aheng.

Sipas redaksisë së portalit 444.hu, Gruevski ka qenë i pranishëm në një ngjarje lidhur me biznesin i quajtur “Biznes Ahengu, Budapest”.

Ai paraprakisht ishte takuar me ndihmës sekretarin shtetëror të MPJ-së hungareze, Jshtvan Jo., në një banesë në pronësi të dy shtetasve kinez.

Nga MPJ-ja e Hungarisë i janë përgjigjur portalit për takimin duke theksuar se nuk është asgjë e jashtëzakonshme që një i punësuar i MPJ-së të mbajë kontakte me një ish-kryeministër me karrierë të gjatë politike.