Ballina Blog Faqe 734

“Çmendet” shqiponja, ulet mbi turmë (Video)

Gjëja e fundit që prisnin këta fansa ishte që një shqiponjë t’u ulej në krah, e madje jo një herë, por dy. Dy tifozë të futbollit amerikan u surprizuan pafund të shtunën, kur shqiponja me kokë të bardhë, që gjendet në Amerikën e Veriut u “çmend” në një lojë futbolli në Teksas dhe vendosi t’i afrohej turmës.

Zogu gjigant, i cili sipas BBC quhet Clark, ishte planifikuar që do të fluturonte rreth e rrotull stadiumit gjatë këndimit të himnit kombëtar, përpara se një turmë prej 90 mijë tifozësh të shihnin ndeshjen mes Notre Dame dhe Clemson.

Por në vend që të ulej pranë kujdestarit, shqiponja vendosi që të shkonte tek një prej tifozëve. 42-vjeçari Albert Armas pranoi më vonë se ishte frikësuar kur kishte Clark që iu ul mbi shpatull.

Në imazhet e kapura në stadiumin AT&T në Arlington mund të shihen tifozët duke brohoritur dhe duke u përpjekur që të kapnin me telefonët e tyre këtë ngjarje të pazakontë.

Megjithatë Clark nuk u kënaq duke vizituar vetëm një tifoz, duke u ulur edhe në krahun e një tjetri, Tuyen Nguyen.

Duke folur për Sports Illustrated, ai tha: “Kur e pashë që u ul në krahun e Armas, mendova se do jetë shumë i lodhur. Kështu që nxora krahun për të parë çfarë mund të ndodhte. Dhe erdhi u ul tek unë. Ishte e mrekullueshme, nuk mund ta besoja”.

Askush nuk u lëndua nga sjellja e pa planifikuar e shqiponjës. Pas aventurës së shkurtër, Clark u kap nga kujdestarët e tij./tvklan.al

7 vite më parë shiti veshkën për të blerë iPhone, sot…

Një i ri nga Kina, i cili 7 vite më parë vendosi të shiste veshkën për të blerë një iPhone 4, rezulton të ketë bërë gabimin më të rëndë në jetë.

17-vjeçari Xiao Wang në vitin 2011 mendoi se do t’i mjaftonte një veshkë për të gjithë jetën dhe vendosi ta shiste njërën në tregun e zi. Kështu ai do të blinte një iPhone që sapo kishte dalë në treg.

Pas një operacioni në një spital të improvizuar, Wang shiti veshkën dhe mori në këmbim 3,202 dollarë, para më se të mjaftueshme për të blerë celularin.

Por sipas “Oriental Daily” ambienti në të cilin kreu operacionin nuk ishte i sterilizuar mjaftueshëm dhe plaga iu infektua. Prindërit raportohet se nuk ishin në dijeni të asgjëje derisa adoleshenti u sëmur rëndë nga infeksioni.

Megjithë ndërhyrjet e mjekëve, i riu tashmë në moshën 24-vjeçare duhet ta kalojë jetën me dializë pasi infeksioni i ka prekur edhe veshkën tjetër. /tvklan.al

Rovena Stefa publikon klipin e ri bazuar në histori të vertetë (Video)

Rovena Stefa, ka prezantuar për publikun projektin e saj më të ri muzikor, pak para se të mbyllet 2018-ta.

“Mikja ime” mban titullin kënga e saj më e re, e cila është e zhanrit baladë. Ndërkohë, për vargjet e tekstit është kujdesur tekstshkruesi i njohur, Avni Qahili. Kënga, siç ka shkruar vetë këngëtarja në përshkrimin e videos në YouTube është e bazuar në një ngjarje të vërtetë.

Matis – ballë telajos gjer në ditën e fundit

Edhe pse në moshë të thyer dhe shumë i sëmurë, dukej se plaku Matis (Henri Matisse) nuk donte të hiqte dorë nga piktura dhe peneli i tij. Atje në Nice, ku ishte vendosur prej vitesh dhe ku punonte së fundi në një dhomë hoteli, ai donte ta çonte deri në fund aventurën e tij pikturale, edhe pse i duhej të vinte një korse hekuri në trup për të ndënjur ulur ballë kavaletit.  Me të mund të qëndronte ulur veçse një orë dhe kjo ishte një sforco e jashtzakonshme. Por siç dihet, dashuria për artin i mund të gjitha dhimbjet, barrierat, sfidat. Edhe ai, ashtu si dikur piktori Claude Monet, që vitet e fundit në tablotë e mëdha me nenyfarë i hidhte ngjyrat më shumë me ndjesin e mpiksjes së tyre në paletë sesa me optikën natyrale të syve, ashtu dhe Matisse hidhte linjat, ngjyrat në atë mjegull që dhe atë kishte nisur ta rrethonte. Mplakja dhe pafuqishmëria, jo rrallë i kujtonte atë udhëtim të dikurshëm kur Renuar ishte ende gjallë, me gruan e vdekur dhek ur ai ende merrte frymë me pikturën.

Kishte gjithnjë dëshirë ta takonte plakun e mirë dhe gjeniun e pikturës në atelierin e tij. Dhe ai kujtonte fytyrën e thatë të plakut të mirë, që plot dhimbje ulej të pikturonte. «Dhimbja kalon, – i kishte thënë Renuar, – por e bukura që krijohet, mbetet!» Kjo shprehje i kishte mbetur në mëndje. «Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, – kujtonte Matisse – ndodhesha në jug të Francës. Renoir ishte shumë i lodhur dhe meqë e adhuroja shumë shkova ta takoja në shtëpinë e tij në Cagnes. Më priti me kënaqësi dhe me këtë rast i tregova disa punime që të dija mendimin e tij.

Ai i vështroi me një pamje jo të kënaqur dhe pastaj më tha: Në të vërtetë nuk më pëlqen ajo që krijoni. Parapëlqej të të them se nuk je një piktor i mirë, madje mund tu them se jeni një piktor i keq. Por një diçka më bën përshtypje: kur ju e vendosni ngjyrën e zezë në tablo ajo është në vendin e vet. Gjithë jetën kam menduar se s’mund ta përdorim atë pa thyer unitetin kromatik të sipërfaqes. Eshtë një ngjyrë që e kam përjashtuar nga paleta ime. Ndërsa ju, duke përdorur një lloj fjalori të shumngjyrshëm, arrini ta fusni të zezën dhe ajo ngjyrë qëndron. Pra pavarësisht asaj çka ndjej, ju me siguri jeni një piktor…»

Kjo thënie i kishte mbetur në mëndje piktorit të ri edhe pse në atë kohë, në fillimin e shekullit, në sajë dhe të publiçitetit të Gertrude Stein e cila nuk gabonte në shijet e saj mbi modernitetin, ai dhe Picasso, u bënë yjet e rinj të pikturës botërore. Shumë kohë do të kalonin. Njihet konkurenca e famshme mes tij dhe Picasso-s… pastaj miqësia e tyre. Dihet gjithashtu karriera e famshme e tij në tregun amerikan, xhelozia e piktorëve të tjerë rreth suksesit të tij kur koleksionistë të shumtë kërkonin tablotë e tij, apo historia dhe lidhja e gjatë me koleksionistin amerikan Barnes apo në veçanti me koleksionistin rus Chtchoukin, («Nymphe et Satyre», «Bonheur de vivre», etj), i cili krijoi një nga koleksionet e bukura të botës, koleksion të cilin revolucionarët e Leninit të ardhur në pushtet ia morën dhe ai përfundoi në një rrënim të plotë bashkë me fabrikat e tij të tekstilit. Matisi kujtonte gjithnjë atë ditë kur kolegu i tij Braque i kishte shuar në atelier për të parë tablotë e Renuar dhe Gogen që Matis kishte blerë. Por mes tablove të tij ai për asnjë çast nuk i hodhi sytë dhe nuk foli asnjë fjalë. Kjo atë e plagosi dhe ai gjithnjë vuante në heshtje, siç ishin dhe sulmet që i bënin partizanët e Pikasos..

Jeta e Matisit është një libër më vete, një roman dramatik, me shumë udhëtime, drama familjare, me dhimbjen e madhe për vajzën e tij të sëmurë Margarita, e cila donte të bëhej piktore e që në kohën e Rezistencës franceze gjatë Luftës së II Botërore e torturuan dhe e shpërfytyruan nazistët. E megjithatë, Matisse, i mbyllur në atelierin e tij vazhdonte pasionin e tij të pikturës, krijonte botën origjinale të krijimit të tij me linjat e tij të njohura, teknikën dhe sipërfaqet e ngjyrosura të tij, kohë kur gjatë periudhës së fovizmit, ai i kishtonte shumë rëndësi sipërfaqeve të mëdha me ngjyrë, dhe kjo nën influencën e Gogen dhe Van Gog.

Që i ri shkonte në Louvre dhe kopjonte mjeshtrit e mëdhenj për të gjetur perfeksionin e pikturës. «Jam përpjekur ta zhvilloj personalitetin tim veçanërisht përmes instinktit që kam. Më kujtohet kur para Pont des Arts, duke parë nga Pont Neuf, mjeshtri im Gustave Moreau, papritur më tha: «Atëherë çfarë kërkon në pikturën tënde? – Kërkoj të jap atë pikturë që mjeshtrit nuk e kanë dhënë, p.sh. kjo pamje para nesh, këtë bukuri që mjeshtrit nuk e kanë fiksuar. – Kush ju tha se atë nuk e kanë parë dhe të mos donin ta pikturonin?… Kështu filloi shkëputja ime nga mënyrat e vjetra të pikturimit që megjithatë nuk i kam harruar. Në vend që të vazhdoja të isha një flutur diletante që bridhte nga Rembrandt tek Corot, nga Veronese tek David, nga Heim tek Chardin, unë e ndjeva veten një puntor modest duke patur si mbështetje veç pavarësinë dhe sinqeritetin tim…»

Luan Rama

Rama vlerëson Bushatin: Ministri më i mirë në historinë e …

Kryeministri Edi Rama, në konferencën maratonë për shtyp në ditën e fundit të vitit, vlerësoi një nga ministrat që vetë e hoqi disa ditë më parë.

 “Ditmir Bushati është ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Jashtme dhe ministri më i mirë që kemi pasur në historinë e tranzicionit”, deklaroi Rama.

Në lidhje me ministrin e ri të Jashtëm, Rama tha se fakti që është nga Prishtina është plus dhe nuk e shqetësojnë aspak ajo që thonë të tjerët.

“Duhet ta shfrytëzojmë të gjithë zonën shqipfolëse për ministra, deputetë e ambasadorë”, shtoi Rama.

Mesazhi i Presidentit: Të lemë konfliktet rraskapitëse, duhet dialog

Në mesazhin e fundvitit, Presidenti Ilir Meta bën thirrje për dialog, duke lënë pas konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron. Kreu i Shtetit, ka zgjedhur rrjetet sociale, për uruar që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Mesazhi i Presidentit Meta

Të dashur motra e vëllezër shqiptarë!

Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta.

Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm!

Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!

Cristian Viscione, kërkon miq: I gatshëm të paguaj 7 euro ora

“Kërkoj miq të moshës sime që të më bëjnë shoqëri. Jam i gatshëm që të paguaj 7 euro ora”, është njoftimi i publikuar në Facebook nga Cristian Viscione, një djalë 20 vjec nga Reggio Emilia me probleme shëndetësore.

Sëmundja e tij, atrofi muskulare kurrizore, karakterizohet nga degjenerimi i neuroneve motorike të brinjëve të që shkakton atrofi muskulare progresive: Cristian detyrohet të qëndrojë në shtrat.

Dëshira më e madhe e Cristian, siç u tha nga Il Resto del Carlino, është që të ketë dikë që mund t’i bëjë atij shoqëri, sepse, pavarësisht nga atrofia muskulore, ai është aktiv dhe i shkëlqyeshëm. 20 vjeçari thotë se është i aftë që të shkruajë në një tastierë virtuale, e cila lëviz falë një leve.

Ajo që I bën shoqëri është Iren, ish-infermieria e tij me të cilën ka kaluar periudhën e trajnimit. Irene

Mbajtja e kompanisë me Cristian mendon për Irene, ish-infermieren e saj, e cila kaloi periudhën e trajnimit me të. Irene nuk e imitoi atë, dhe edhe pse tani po punon në një shtëpi pleqsh, ai shfrytëzon ditën e tij të lirë për të vizituar djalin e ri. Irene nuk e ka harruar edhe pse tani punon në një azil pleqsh, ajo ditën e pushimit e shfrytëzon duke shkuar për vizitë tek Cristian.

Cristian nuk dëshiron të heqë dorë nga njëzet vitet e tij, dhe për ta bërë këtë, ai ka nevojë për shoqërinë e bashkëmoshatarëve të tij. Kjo është arsyeja pse ai vendosi të publikojë një njoftim në Facebook dhe tashmë ka mbledhur marrë para: Për fat të mirë, shumë prej tyre janë përgjigjur se do të vijnë ta shohin falas.

Hoxhë Sadri Zeka: Do të ndërtoja shkollë e jo xhami! Befasohet prifti Viktor Sopi (Video)

Hoxha Sadri Zekaj dhe Viktor Sopi ishin mysafirë në “Kojshia Show” dhe vërtetë treguan harmoni fetare e vëllezërore ndërmjet vete.

Hoxha befasoi të gjithë duke thënë që nëse do më ipeshin disa para do të ndërtoja shkollë dhe jo Xhami.

Befasohet edhe prifti Viktor Sopi me këtë veprim të hoxhës!

https://youtu.be/5wvP81XVLKc

“O Zot na kthe nerën e shpisë, mos na le vet n’tmerrin e vetmisë” (VIDEO+TEKST)

Jericho – Kanga jonë

Nona po vet: “Ku i kom djemt’ o ku m’kanë mbetë?”
N’pragun e shpisë marre e madhe na ka prekë
Gurë o për gurë kullën tonë jonë tu e rrzu
Kthehmuni djem nonën qysh bon me harru

O Zot na kthe nerën e shpisë
Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë

Çohu mor vlla sot oshtë dita tjetër nuk ka
Nona po thirrë lot’ e vajit dojnë m’ju tha
Gurë o për gurë kullën tonë prap ta marojmë
Vakti ka ardhë marrën prej shpisë me përzonë

O Zot na kthe nerën e shpisë
Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë
Mos …

Sa shpejtë vitet kaluan
Kjo këngë kujtimin ma sjellë
Sa lehtë të gjithë ne harruam
Dhembjen që kishim njëherë

Këngët që bashkë i këndonim
Mbetën jehonë në kujtim
Të gjithë këndojnë të vetmuar
I vetëm është Vendi Im

Veq edhe njëherë të ecim
Dhe t’jemi bashkë si dikur
Zemra për zemrën e tjetrit
Të jetë për ne si flamur

Dora që zgjat kur rrëzohem
Është ajo që ne na mban
Mos e lejo të harrohet
Nuk kemi tjetër vatan. /KultPlus.com

Klinika Ortopedike, hapen katër salla të reja kirurgjike (Video)

Është bërë hapja e katër sallave të reja të operacioneve në Klinikën për sëmundje ortopedike. Drejtori i këtij reparti Ilir Hasani tha se ky është një sukses i madh për mbylljen e këtij viti. Ai shtoi se gjatë kohës se renovimit nuk është ndalur asnjëherë puna. Paratë për riparimin e sallave janë siguruar nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesërisht nga fondet Klinikës dhe donacione të ndryshme. Hasani theksoi se kjo është bërë që të ofrojnë kushte më të mira për trajtimin e pacientëve.

Jemi mbledhur këtu për hapjen e sallave të operacionit të Klinikës për sëmundjet ortopedike. Aktivitetin për rinovimin e sallave të operacionit kemi filluar pothuajse një vit përpara. Tri nga katër sallat e operacionit i kemi rinovuar komplet dhe duhet të potencoj se janë rinovuar muret, tavani, dyshemeja elektrostatike me standarde shumë të larta, është bërë klimatizimi i ajrit dhe është ndërruar komplet instalimi i rrymës. Pajisjet ekzistuese janë plotësuar me pajisje të nivelit dhe kualiteti shumë të lartë si dhe është bërë servisimi i të gjitha pajisjeve të cilave i posedojmë këtu” – theksoi Ilir Hasani,drejtor i Klinikës së Ortopedisë.

Rama bën urimin special me disa lajme të mira: Ja çfarë na pret për 2019 (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, përmes një video mesazhi në rrjetet sociale ka uruar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për Vitin e Ri 2019.

Rama e nisi urimin me disa lajme të mira si heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, zhvillimi i infrastukturës ajrore, hyrja në fuqi e çekut për bebet e lindura nga data 1 janar 2019 si dhe mbyllja e lojërave të fatit.

Kreu i qeverisë tha se viti 2019 do të jetë viti i nisjes së fluturimeve nga aeroporti i Kukësit dhe do të nisë ndërtimi i aeroportit të Vlorës. Po këtë vit, Rama tha se do të nisë ndërtimi i hekurudhës moderne Tiranë-Durrës.

“2019-a nis me një qeveri të re, ne jemi të vetmit që mund t’u japim dhe padyshim që do t’i japim zgjidhje problemeve të studentëve. Ju përcjell urimet e mija më të përzemërta. Qoftë një vit i mirë për shqiptarët”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Skizofrenia e diplomacisë shqiptare duke kërcyer Zorbën greke

Nga Arben Llalla

Me shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm servilat e injorantët e MPJ-së filluan të na tregojnë përralla duke na i shitur si “sekrete” diplomatike. Çunaku i i qejfit të valles greke Glevin Dervishi që herë jemi mësuar ta shohim si zëdhënës, këshilltar këtë fundviti na doli se qenka drejtor i MPJ. Ky “drejtor” na rrëfeu “patriotizmin” e Bushatit, se gjoja na paska bërë grekët të kërcejnë vallen e Osman Takës, çamit nga Filati.

Por, injoranca dhe skizofrenia e diplomacisë shqiptare s’ka fund. Nga fotot, filmimet dhe përgjimet e oficerëve të kontaktit doli se Bushati, Dervishi e të tjerë kërcyen Zorbën greke, ndërsa Kotzias dhe ekipin e tij merreshin me punët e tyre diplomatike duke thurrur intrigat antishqiptare. Se sa “patriot” është Bushati e dimë, sepse ai e mbushi diplomacinë me injorantë, servilë dhe njerëz të shërbimeve të huaja. Bushati e hoqi çamin zëvendësministrin e Jashtëm, Halil Hyseni për grekofonen Artemis Dralon. Shefi i kabinetit të Dimtir Bushatit ka qenë shtetasi shqiptar me kombësi dhe shtetësi greke, Pirro Vengu.

Diplomacia shqiptare nga Konsullata e Janinës, Selanikut dhe Ambasada në Athinë, Bushati i mbushi me diplomatë me kombësi greke. Çështja arriti sa konsull u bënë edhe shitësi i fruta-perimeve të pazarit të Volosit. Pa folur për diplomatët e shkollës së vjetër të UDB-së, të cilët vazhdojnë edhe në moshë të thyer të jenë ambasadorë apo konsuj.

Meqenëse Glevin Dervishi ende se ka të qartë pas kaq vitesh pune në MPJ se si funksionon ajo ministri, le të zbresë në katin e tretë dhe të pyes se çfarë informacionesh kanë oficerët e kontaktit për të, vallen greke që kërcen dhe ish-shefin e tij Ditmit Bushatin.

Sa për vallen e Osman Takës e gjithë Greqia e kërcen dhe e këndon me qejf pa asnjë problem, sepse ajo valle shqiptare ka vlerat e saj folklorike dhe grekët janë tuj plas që nuk po e “privatizojnë”, ashtu siç kanë bërë me vlerat e tjera kombëtare shqiptare duke filluar nga heronjtë e 1821, fustanella, iso-polifonia e kështu me radhë.

Këshilltari, zëdhënësi apo drejtori Dervishi duhet ta dijë se diplomacia shqiptare funksiononte shumë mirë, por janë politikanët dhe kategoria juaj servilosëse që e shkatërruan. Në MPJ nuk punojnë vetëm ata që shohim në media apo të tepsisë së Ramës, por edhe mijëra këshilltarë, informatorë, oficerë të dukshëm dhe të padukshëm, të cilët mbajnë peshën e rëndë të gafave apo shitblerjes kombëtare që bëjnë “diplomatët” si Bushati, Vengu apo edhe Dervishi. Prandaj, të lutem mos na nxirr më “sekrete” diplomatike të valles së Osman Takës, por dil e thuaj që kërkesat greke Ditmir Bushati i realizojë me sukses.

Rrëfimi i 13-vjeçarit: Vjedh për të mbajtur me bukë 5 motrat e vogla (Video)

Shumë fëmijë do ta kalojnë mbrëmjen e Vitit të Ri në tryeza të gëzueshme e të bollshme. Me mijëra të tjerë janë të rrethuar nga lodrat që kanë ëndërruar.

Por, kjo nuk është një histori për fëmijë të lumtur. Kjo është historia e trishtueshme e Denisit, djaloshit 13-vjeçar, të cilin skamja e detyron të vjedhë ushqime për mbijetesë.

Denisi kujdeset, përveç vakteve për 5 motrat e vëllezërit më të vegjël sesa ai, edhe për lodrat.

“Kur shkoj në shtëpi dhe babi thotë se s’ka për të ngrënë, unë mërzitem. Dal nga shtëpia dhe filloj kërkoj. Shoh dyqane, në të cilat kujdesem të mos më shohë kamera, e i fus ushqimet në xhup”, thotë Denisi.

Babai i tij punon si punëtor krahu dhe shpesh nuk gjen punë. Kur ishte 8 vjeç, Denisi vodhi për herë të parë një buke dhe vazhdon ta bëjë këtë gjë sa herë që tavolina është bosh.

“Zakonisht vjedh makarona, qofte dhe ushqimet kryesore që duhen për në shtëpi. Për motrat e vëllezërit kam vjedhur ushqime, lodra. Sigurisht që edhe policia më ka shoqëruar në komisariat”, thotë i riu.

Si Denisi ka mjaft raste fëmijësh të mitur, të cilët nuk merren nën përgjegjësi penale. Por, sapo ata mbushin 14 vjeç dërgohen si të pandehur në gjykatë. I tillë është edhe rasti i Vandamit dhe Marselit. Të dy ata janë nën akuzë për vjedhje.

Vandami dhe bashkëmoshatari i tij, që të dy 15-vjeçarë, i rrëmbyen çantën një gruaje, në të cilën ajo kishte 2.500 lekë. Bashkëpunëtorë me ta ishin edhe dy fëmijë nën moshë për përgjegjësi penale, ndaj ata nuk do të gjykohen.

“Ata kanë pranuar se kanë kryer vjedhjen prej 2.500 lekësh. I kanë ndarë nga 500 lekë për secilin, ndërsa 500 lekët që tepruan i konsumuan për të blerë ushqime”, është shprehur prokurori Gjergji Tako.

Edhe për pak muaj Denisi u shpëton hetimive, vetëm nga fakti që nuk ka mbushur ende 14 vjeç. Megjithatë, ai nuk ka frikë nga burgu, por nga uria. Për shkak të varfërisë Denisi braktisi shkollën, e tashmë atij i ka ngelur vetëm një dëshirë.

“S’dua të shoh familjen time të thotë se s’kemi sot ushqime për të ngrënë”, tha Denisi./TCH/

Sot hyjnë në fuqi një sërë ligjesh të reja në Maqedoni

Që nga 1 janari 2019, disa ligje hyjnë në fuqi. Nga nesër, aplikohet tatimi progresiv dhe braktiset tatimi i sheshtë. Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale u miratua nga Parlamenti i Maqedonisë një javë më parë. Zgjidhja ligjore përcakton ruajtjen e normës së tatimit prej 10 për qind për të ardhurat e realizuara deri në 90 mijë denarë në muaj.

Çdo gjë mbi këtë shumë do të tatohet me 18 për qind. Kjo reformë e tatimit sipas qeverisë është më e drejtë nga ajo e mëparshme, sipas së cilës ata qytetarë që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë tatim ndaj shtetit. Opozita dhe një pjesë e publikut të ekspertëve nuk pajtohen me këtë zgjidhje ligjore.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të fillojë nesër. Përveç kompanive të mëdha, tani familjet dhe kompanitë e vogla do të duhet të zgjedhin nga ku do të furnizohen me energji elektrike. Në procedurë është zgjedhja e një Furnizuesi Universal i cili duhet të furnizojë me energji elektrike ata qytetarë që vendosin të qëndrojnë në të vjetrën, domethënë ata që nuk do të dalin në tregun e lirë. Deri në zgjedhjen e Furnizuesit Universal, veprimtarinë do ta kryejë EVN Maqedoni.

Për amvisëritë dhe kompanitë që do të vendosin të jenë pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, deri tani për ta ka rreth 20 furnizues të energjisë elektrike që kanë marrë licencë dhe tani pritet të dalin dhe të japin oferta për familjet, diçka të ngjashme si operatorët e telekomunikacionit.

Risi prej nesër është ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Gjegjësisht, nga dy mijë euro të mëparshme, ligji i ri parashikon ndalimin e pagesës së parave për mallra dhe shërbime më të larta se njëmijë euro. Gjashtë muaj më vonë ose nga 1 qershori, qytetarët do të jenë në gjendje të paguajnë me kesh para vetëm për mallra dhe shërbime që nuk i kalojnë 500 euro. Kontrolli i këtij ligji për kompanitë por edhe për personat fizik do të kryhet nga DAP-i.

Pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave për të shtyrë ligjin për tregti në tregun e gjelbër, edhe ia do të fillojë të aplikohet nga 1 janari. Kjo do të thotë që pensionistët nuk do të lejohen të shesin në treg. Sipas ligjit të ri, vetëm personat e papunësuar do të mund të marrin tezga me qira, dhe që janë regjistruar në Regjistrin e Odës ekonomike, persona fizikë të regjistruar si shitës me pakicë në tregjet e gjelbra, dhe që mund punojnë persona që janë marrëdhënie të rregullt pune, por që merren edhe me veprimtari bujqësore.

Tregtarët gjithashtu do të duhet të nxjerrin licencë vjetore për çdo tezgë. Për një tezgë, licenca kushton 60 euro, për çdo tjetër shtesë 40 euro. Nga nesër, tregtarët duhet të ndajnë nga dy mijë denarë në muaj për sigurimin pensional./alsat/

Ndërron jetë pas sëmundjes së rëndë ish-luftëtari i UÇK-së, Avni Hyseni

Këto momente ka ndërruar jetë në QKUK, ish luftëtari i UÇK-së, Avni Hyseni.

Ai ka qenë i shtrirë në gjendje të rëndë tash e disa ditë, duke u përballur me një sëmundje të rëndë, njofton Klan Kosova.

Lajmin për kalimin e tij në amshim e ka bërë të ditur vëllai i tij, Adnani.

Atij ditë më parë Ambasada e Gjermanisë ia ka refuezuar vizën për të udhëtuar drejt shtetit gjerman për të kërkuar shërim.

Ky është postimi i tij:

“LAVDI luftetar, ushtaret e vertet nuk vdesin kurr. VLLA ti vetem ike ne amshim e kur Allahu vendos me e afru evladin e vet na veq AMIN ja bojm. Ma bon hallall qe smujta met nejt gati qysh ti e meritove. LAVDI ushtarit te UÇK-se dhe UÇPMB”.

Rama flet për emërimin e kosovarit Cakaj ministër në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e konsideron ministrin e ri të Jashtëm, Gent Cakaj, si një nga njerëzit më të ditur që ka njohur në jetën e tij, ndërsa theksoi se Shqipëria ka pasur luksin të ketë ministër Aldo Bumçin.

Rama, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarë, tha se Cakaj ka lexuar libra më shumë se sa keni thënë fjalë ju të gjithë në dispozicion, shkruan Kohanet, përcjell albinfo.ch.

“CV-në e tij ju do ta keni në dispozicion sapo të bëhet ministër. Të jeni të sigurt që zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë. Unë e neveris çdo kënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris! Ai është një ndër njerëzit më të ditur që kam takuar në jetën time. Të jeni të bindur që zgjedhja është bërë për meritë dhe për aftësi dhe nuk ka lidhje me asnjë teori konspiracioni. Ditmir Bushati është ministri më jetëgjatë në historinë e tranzicionit”, tha Rama.

Tutje, ai tha se Shqipëria ka pasur barrën të mbajë Aldo Bumçin si ministër të Jashtëm dhe politika shqiptare i ka njohur vetes të emërojë Aldo Bumçin si ministër të Jashtë dhe askush nuk ka marrë penën të shkruajë për këtë.

“Ata sot kontestojnë një nga njerëzit më të ditur që ka gjenerata e re e shqiptarëve. Gjithkush është në provë”, theksoi Rama.

Të fitosh…mjerimin! AFP: Ja përse Shqipëria po “delegjitimon” bastet

Nga nxitja e dhunës në familje dhe varfërisë, e deri te mbushja e xhepave të kriminelëve, dashuria e Shqipërisë për lojërat e fatit ka shkaktuar një sërë sëmundjesh sociale, në një nga vendet më të varfëra të Europës, shkruan AFP.
Por, duke nisur nga viti 2019, shteti ballkanik ka ndërmarrë një nismë mbarëkombëtare për t’i dhënë fund varësisë nga to, me shpresën se do të frenojë vuajtjet dhe dhimbjet që kanë pllakosur në dhjetëra familje.

Më 1 janar hyn në fuqi një ligj që do të mbyllë 4.300 pikat e basteve që kanë “mbirë” në thuajse çdo rrugicë lagjeje, në vendin prej vetëm 2.8 milionë banorësh. Një raport “tejet i lartë” ky prej gati një pikë bastesh për 670 banorë, shumë herë më shumë sesa raporti që shihet qoftë në shtetet e tjera ballkanike, e padyshim edhe në vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore, sipas gazetarit ekonomik, Klodian Tomorri.

Mbyllja e basteve do të prekë gjithashtu edhe bastvëniet “online”, sikurse do të kufizojë edhe vendndodhjet e kazinove, shumë prej të cilave ndodheshin deri më sot edhe afër shkollave, drejt hoteleve me 5 yje në resortet e licencuara turistike.

Për njerëzit e thjeshtë, lëvizja e qeverisë është më se e mirëpritur, edhe pse vjen me shumë vonesë. Arta, nënë 31-vjeçare e dy fëmijëve, është shprehur në një artikull të AFP-së se, korrikun e këtij viti bashkëshorti i saj humbi banesën, si pasojë e humbjes së një basti për ndeshjen Belgjikë-Francë.

“Ai vuri bast për Belgjikën, por në fakt, ajo që fitoi ishte mjerimi”, thotë Arta, e cila mbështetet tashmë vetëm në ndihmën sociale prej 100 eurosh në muaj për të rritur fëmijët e saj të vegjël.

Sipas një studimi të Universitetit të Tiranës, një në 4 bastvënës kanë tentuar të paktën një herë vetëvrasjen. Rreth 70 për qind të tjerë vuajnë prej stresit apo prej problemeve psikologjike.

“Kemi gjetur një lidhje të ngushtë mes dhunës në familje dhe bastvënies, gjë që ka bërë që shumë familje të përjetojnë kriza tej mase serioze”, thotë Iris Luarasi, drejtuese e një linje këshilluese për viktimat e dhunës.

Shumë njerëz mund të mos kenë shumë kohë që luajnë, por e bëjnë këtë të bindur se shumë shpejt do të mund të bëjnë një pasuri të tërë. Në fakt, ajo që ndodh realisht është futja në borxhe të pafundme, e ndonjëherë edhe në burg për shkak të grindjeve dhe dhunës ndaj familjarëve. Janë me dhjetëra familjet që janë divorcuar prej kësaj varësie shkatërrimtare.

Sipas juristes Vjollca Pustina, rreth 70 për qind e rasteve të divorcit të mbërritura në Gjykatën e Tiranës, vetëm brenda 2018-s, kanë qenë të lidhura me bixhozin. Qeveria thonë, ndërkohë, se qendra rehabilitimi do të hapen së shpejti, për t’iu ardhur në ndihmë bastexhinjve që do të detyrohen me ligj të shkëputen nga ky ves. Megjithatë, shqetësim mbetet fakti se këto qendra nuk do të jenë gati, në një të ardhme të afërt.
Industria e bixhozit është kritikuar gjithashtu për faktin se po “rrëmben” parà nga xhepat e familjeve të varfra, në një vend ku paga mesatare mujore është nën 300 euro. Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë 140-150 milionë euro në bastet sportive çdo vit, një shifër kjo që është thuajse sa 70 përqindëshi i shpenzimeve të një familjeje për kujdes shëndetësor. Megjithatë, nëse përllogarisim edhe bastet e paligjshme, atëherë shifrat reale thuhet të kapin rreth 700 milionë euro, sipas qeverisë.

Për kryeministrin Edi Rama, një tjetër objektiv është mbyllja e “rubinetit” që çonte parà për grupet e krimit të organizuar, që përfitonin nga kjo industri duke e shfrytëzuar atë për pastrim parash. Por, ai pranon se ligji i ri nuk do t’i japë fund luftës kundër bandave, që është në fakt një detyrë kyçe për qeverinë, e cila dëshiron nga ana tjetër të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.

“Lufta do të vazhdojë, pasi kriminelët ndryshojnë lëkurë dhe strategji, por jo veprimtarinë”, është shprehur Rama në një intervistë televizive.

Disa pika bastesh sportive janë mbyllur që në dhjetor, ndërsa të tjera u përpoqën të fitojnë edhe “qindarkat” e fundit deri në mbylljen e këtij viti, sipas Artan Shytit, president i Federatës së Kompanive shqiptare të Basteve. Beteja e radhës do të jetë kontrolli i pikave ilegale, veçanërisht ato “online”. Shyti pranon gjithashtu për “AFP”-në se disa firma bastesh sportive “kanë nisur të zhvendosen në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ku kanë pasur edhe filialet e tyre e ku mund të operojnë lehtësisht (online)”.

Shqipëria në fakt është përpjekur të reduktojë numrin e firmave të basteve edhe në vitin 2013, por politika dhe disa interesa speciale ndërhynë e penguan nismën. Tani, ligji i miratuar në tetor do të nxjerrë si të papunë rreth 8.000 njerëz. /TCH

Najçevska: Është koha që Maqedonia të udhëhiqet nga një grua

Në maj të vitit 2019 duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, që do të thotë se me shtetin do të udhëheq person i ri.

Marjan Najçevska në një deklaratë për Fokus thotë se është koha që Maqedonia të udhëhiqet nga një grua, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mendoj se është koha që në krye të Maqedonisë të vendoset një grua. Nuk kam menduar për emër konkret, megjithatë përfundimisht mendoj se duhet të jetë grua. Mendoj se duhet të largohemi nga modeli patrirkal, të cilit i japim shumë rëndësi. Ka shumë gra që mund ta udhëheqin shtetin dhe ta marrin këtë përgjegjësi”, tha Najçevska.

Ndryshe, presidenti Gjorge Ivanov para disa ditësh mbajti fjalimin e tij vjetor, ndërsa Najçevska shprehet e pakënaqur me punën e tij./Telegrafi/

Nxënësit në Maqedoni fillojnë pushimin dimëror, mësimi rifillon më 21 janar

Sot të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore në Maqedoni kanë filluar pushimin dimëror, i cili do të zgjasë tre javë.

Nxënësit në bankat shkollore do të kthehen më 21 janar, kur edhe fillon gjysmë vjetori i dytë për vitin shkollor 2018/2019.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar reforma në arsim, duke njoftuar se nga fillimi i vitit tjetër shkollor do të ulet numri i orëve mësimore.

Ministria e Arsimit gjithashtu ka njoftuar se do të futet një lloj i arsimit të dyfishtë në arsimin e mesëm profesional, në të cilin siç kanë thënë nuk duhet të trajtohet si një edukim që nuk të dërgon në fakultet./Telegrafi/

Një urim, një falenderim dhe në dëshirë për Vitin e Ri

Frank Shkreli

Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri 2019 shokëve, miqve, kolegëve dhe bashkëpuntorve të mi, të afërt dhe të largët, sidomos lexuesve të nderuar të shkrimeve të mia modeste, në përgjithësi – në gazetat dhe portalet anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, të cilat me botimin e tyre, më kanë mundësuar shprehjen e lirë të mendimeve të mia në faqet e tyre të përditshme, në një hapësirë mediatike ku edhe është numri më i madh i lexuesve. Uroj një Vit të Ri për të gjithë, një vit në të cilin të gjithë ne shpresojmë të realizojmë ëndërrat dhe qëllimet e parealizuara deri tashti, si individ dhe si shoqëri, kudo që jetojmë. E bëj këtë urim, veçanërisht, për vëllëzërit dhe motrat tona anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët edhe pas pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe 10-vjet pavarësi e Kosovës, duket sikur endërrat e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar dhe për integrimin e tij të plotë në proceset euro-atlantike, mbeten vetëm aq – endërra, endërra të pa realizuara, të pa arrijtura. Ju uroj lexuesve kudo dhe Kombit tonë në përgjithësi, që Viti i Ri 2019 të jetë një vit ndryshimesh për më mirë, një ndryshim të vërtetë të ri drejtimesh në strategjinë e politikës kombëtare, si dhe në përcaktimin e objektivave të reja për përmirësimin e jetës së përditshme, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, me një angazhim serioz nga klasa politike shqiptare, për realizimin e tyre.
Në prak të Vitit të Ri, fatkeqsisht, është vështirë të shihet se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Nëqoftse viti që kaloi plot sfida, është një tregues i ngjarjeve të ardhëshme, Viti i Ri mund të jetë edhe më problematik për Shqipërinë dhe për Kosovën, me këto politika të papërgjegjëshme dhe përçarëse që po ndiqen, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

U shprehi falënderimet dhe mirënjohjen time kuptimplotë të gjithë atyre zonjave dhe zotërive zemërbardhë e mendjendritur – kolegë e kolege, miq e dashamirë dhe lexues të rregullt – të cilët me komentet e tyre më japin kurajë dhe më nxisin të vazhdoj të shpreh mendimet e mia në faqet e shtypit – mendime të cilat shpesh mund të duken si ndryshe nga shumica e opinioneve që botohen në median shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Kjo ndoshta nuk duhet të konsiderohet si një meritë e imja, por e fatit tim që kam jetuar dhe punuar për pothuaj një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rrethanave të tjera të jetës. Unë nuk e harroj kurrë brezin e patriotëve shqiptarë – shumica e të cilëve nuk janë më — që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas ardhjes në fuqi të komunizmit, me të cilët kam pas fatin të njihesha dhe të cilët spikaten në mua rëndësinë e ruajtjes së traditave stërgjyshore dhe lartësimin e shpirtit origjinal të shqiptarit ndër shekuj.

Megjithse larg vendlindjes për një periudhë gjysëm shekullore – në një mjedis krejt tjetër kulturor dhe gjuhësor — jam përpjekur mbrenda mundësive të mia modeste, që ndër të tjera, të pasqyroj dhe të vlerësoj traditat, si dhe përfaqsues të atyre traditave stërgjyshore shpesh të anashkaluar e harruar dhe trashëgiminë tonë autotoktone, që po sulmohen dhe po përvetësohen çdo ditë nga armiqët e shqiptarëve, ndërkohë që nuk po mbrohen nga ata që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të kultivojnë identitetin, kulturën, trashëgiminë dhe autoktoninë mija vjeçare të shqiptarëve në trojet e veta.

Shpreh edhe njëherë, falënderimet e mia më të përzemërta lexuesve për vlerësimet e tyre të vazhdueshme. Me këto parime shpresoj që – për derisa të më japë Zoti jetë e shëndet — edhe në Vitin e Ri të vazhdoj të frymëzojë miqë dhe dashamirë, por mbi të gjithë lexuesit e rregullt të cilët bujarisht dhe me fisnikëri ndjekin rregullisht shkrimet e mia modeste.

Në fillim të këtij shekulli mendonim se më në fund, me shembjen e komunizmit dhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës – shekulli XXI do të ishte më në fund, “Shekulli i Shqiptarëve”. Gjithnjë presim më kot të shohim ndonjë shenjë të kësaj ëndërre. Prandaj dëshira ime e sinqert – ashtu si edhe në vitet e kaluara — edhe në prak të Vitit të Ri 2019, është sa vjetër aq edhe aktuale, e përmbledhur me një thënje të At Anton Harapit, duke dëshiruar që sidomos klasa aktuale politike të mbledh mendët dhe t’u tregojë shqiptarëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët t’a bëjnë dhe t’a mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” Çdo gjë tjetër, më pak se ky realizim i dëshirës time dhe të një pjese dërmuese të shqiptarëve vullnet-mirë kudo në botë, është e papranueshme!

Problemet dhe sfidat e shqiptarëve – të mbrendshme dhe të jashtme — nuk mund të zgjidhen me formula të të tjerëve, që mund t’u përshtaten interesave të tyre dhe miqëve të tyre, në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Urimet më të përzemërta të gjithëve për një vit të mbarë për fatet e KOMBIT, si dhe për ju dhe familjet tuaja.

Frank Shkreli