Vrasja e kriminelit serb Zhelko Razhnatoviq Arkan u parapri nga të paktën dy përpjekje serioze për të vrarë komandantin famëkeq të Gardës Vullnetare Serbe.
Sipas ish-oficerit të tigrave famëkeq të Arkanit, Mihajlo Ulemek, xhaxhai Millorad Ulemek Legia, Arkan do të likuidohej për herë të parë në shtëpinë ku jetonte me gruan e tij të atëhershme, Cecën dhe djalin e tij Velko.
“Në një rast në rrugën “Lutica Bogdan”, rreth pesëdhjetë metra nga shtëpia dhe kafeneja në pronësi të Arkanit, u krijua një turme. Një BMW e zezë u drejtua kah objekti, por sigurimi i Arkan shpejtoi, por ata gabuan që nuk identifikuan se cilët ishin personat. Ishte përpjekja e parë për vrasjen e Arkanit, “tha Ulemek.
“Pas kësaj Arkan u detyrua të porosisë një automobil të blinduar, pasi ishte përgatitur një tjetër sulm për ta vrarë. Kërkoi t’i gjej një automobil të blinduar. Në këtë përfshihet Zhabaci, i cili solli dy Forda nga Amerika”, shpjegon Ulemek.
Ai është i bindur se sikur Arkani të mos ndërronte sigurimin e tij, sot do të ishte gjallë. Por, pasi u martua me këngëtaren Ceca, përcjellja e tij ndryshoi dhe në vend të ushtarëve erdhën njerëz të tjerë të sigurimit.
“Ai nga mesi i viteve të nëntëdhjeta hoqi nga sigurimi njerëzit që e ruanin deri atëherë dhe nëse ata njerëz do të ishin pranë tij deri në vitin 2000, Arkani sot do të ishte gjallë”, tha Ulemek.
Famëkeqi Arkan u vra nga polici Dobrosav Gavriq nga fshati Trbushnica te Loznica. Gavriq në vitin 2012 është arrestuar në Afrikën e Jugut, por ende nuk i është dorëzuar Serbisë. Gavriq është dënuar me 35 vjet burg nga një gjykatë serbe, por ishte liruar nga burgu në viti 2006 dhe kishte ikur jashtë vendit, transmeton KosovaPress.
Në shumë seanca gjyqësore të mbajtura deri më tash nuk dihen motivet dhe as urdhërdhënësit e vrasjes së Arkanit. Përveç kriminelit Arkan, Gavriq kishte vrarë edhe Milenko Mandiq dhe Dragan Gariq, të cilët ishin me Arkanin në hotel.
Gavriq ishte zgjedhur për vrasjen e Arkanit, pasi ishte shumë i vëmendshëm dhe i shkathët me armë, si dhe në gjendje të mirë fizike. Plani i parë i vrasësit ishte që Arkanit t’i ofrojë blerjen e një veture të markës Audi A8 dhe atë nën çmimin e tregut. Pas kësaj ishte dashur që ta mashtrojnë që të provojë veturën dhe ta vrasin më pas në të njëjtin automobil, transmeton KosovaPress.
Puna ishte pothuajse e kryer dhe Arkani erdhi deri te dera e hotelit ku duhej të fliste me “shitësit”, por ai dyshoi diçka dhe hoqi dorë nga vetura. Gavriq kaloi në planin B dhe më 15 janar 2000, pak pas orës 17.00 arriti të shkrepë tre plumba mbi Arkanin nga revolja “CZ 99”, dhe pastaj me katër plumba qëlloi kokën dhe gjoksin e Mandiq dhe Gariq me dy plumba në shpinë.
Mediat atë kohë raportuan se në Loznicë atë mbrëmje ishte parë xhipi i biznesmenit kontrovers dhe ish-playboyit Andria Drashkoviq, i cili atë kohë konsiderohej si mbret i kokainës. Drashkoviq në asnjë proces gjyqësore nuk është përmendur si organizator apo urdhërdhënës i vrasjes së Arkanit.
Më vonë në media doli informacioni jozyrtar se një ditë para vrasjes, te shefi i atëhershëm i sigurisë shtetërore Radomir Markoviq ishin Arkani dhe Andria Drashkoviq. Arkani ishte përpjekur që veten në publik ta shndërrojë në figurë të madhe patriotike dhe besimtar ortodoks.