Ballina Aktualitet Lajme E vërteta dhe të pathënat për SOPOTIN

E vërteta dhe të pathënat për SOPOTIN

Në bashkëpunim me strukturat maqedono-serbe të sigurisë, minën në Sopot dyshohet se e kanë vendosur dy banorë të një fshati në kufi me Serbinë. Burime policore për gazetën KOHA thonë se njëri jeton që atëherë në Francë, ndërsa personi tjetër, që konsiderohet i dyshuari kryesor, është larguar para disa viteve në një vend tjetër evropian. Në këtë drejtim po zhvillohen edhe hetimet e reja

Nga Vedat MEMEDALIU, kryeredaktor

Dy persona dyshohet të kenë vendosur mjetin shpërthyes në rrugën Sopot-Sushevë në 4 mars të vitit 2003, ku vdiqën dy ushtarë polak të KFOR-it, si dhe një përkthyes – shtetas i Maqedonisë. Të dyshuarit janë nga Maqedonia, gjegjësisht nga një fshat kufitar i Komunës së Likovës. Që të dy për momentin jetojnë jashtë Maqedonisë, njëri në Francë, ndërsa tjetri në një vend tjetër të Evropës. Identiteti i tyre është i njohur për redaksinë.

Në drejtim të tyre janë duke u zhvilluar edhe hetimet e reja pas shpalljes së pafajësisë për 10 banorët e Sopotit, të cilët 15 vite me radhë u mbajtën pa të drejtë në burgjet e vendit. Motivi për vendosjen e minës mund të gjendet në afërsinë e personave të dyshuar me strukturat maqedone dhe serbe të sigurimit të asaj kohe. Në mesin e të dyshuarve janë edhe punonjës të DSK-së, të cilët kishin përfunduar hetimet me akuzën, se fajtorë janë banorët e fshatit, ata të cilët pas shpërthimit të minës, të parët ishin ofruar për t’i ndihmuar ushtarët e plagosur.

HETIMET

Pas tërheqjes së Prokurorisë Speciale (PS) nga ndjekja e mëtutjeshme e 10 sopotasve të pafajshëm, u shtrua edhe pyetja se cilët atëherë janë fajtorët e vërtetë për këtë vepër. “Për hetimet e reja nuk mund të jap detaje më të hollësishme, vetëm të potencoj se hetimet e reja bëhen me ndihmën ndërkombëtare juridike, ku pritet të përfshihet një shtet fqinj i joni. Në këtë drejtim i shqyrtojmë mundësitë se si të merret deklarata nga persona të caktuar, që mund të kontribuojnë në zbulimin e autorëve të vërtetë. Rasti i Sopoti tashmë hetohet në bazë të një teori të re”, kishte thënë prokurorja Katica Janeva.

Informatat e gazetës KOHA flasin se në hetimet e reja janë përfshirë dy personat, për të cilët ka dyshime se veprën e kanë kryer me porosi të shefave të tyre në organet e sigurisë së Maqedonisë në bashkëpunim me ato serbe. Ditën kritike dy personat kanë shkuar në vendin e ngjarjes në rrugën mes fshatrave Sopot-Sushevë dhe kanë vendosur mjetin shpërthyes. Në atë moment, ka lindur edhe një zënkë mes tyre, pasi njëri ka kundërshtuar lokacionin ku është vendosur mina, duke i kujtuar “kryesorit” në këtë aksion se “këtu mund ta pësojnë edhe banorët e pafajshëm”. Grindja mes tyre ka eskaluar dhe si pasojë “shefi ” plagos me armë zjarri ndihmësin e tij, duke i shkaktuar plagë në njërën këmbë. Që të dy largohen nga vendi i ngjarjes dhe më pas, aty kalon automjeti i KFOR-it i cili hidhet në ajër.

Ajo që vlen të theksohet është se personi i plagosur, më vonë me një makinë nga njerëz misteriozë është evakuuar nga vendi ku ishte strehuar për një kohë, në një vend fqinj, për të përfunduar që atëherë në Francë, ku jeton i lirë me familjen.

HISTORIA E “SHEFIT”

Për dallim nga ndihmësi, i cili në rrethinën e Likovës ka qenë i njohur si person problematik, shefi i tij që është edhe i dyshuari kryesor, po ashtu nga fshati kufitar i Likovës, ka qenë i akuzuar edhe më herët për disa vepra terroriste që kishin ndodhur në atë kohë në disa shkolla të Kumanovës dhe pjesë të hekurudhës Beograd-Athinë, por jo edhe për minën në Sopot. Një kohë, ai u kishte ikur autoriteteve maqedonase dhe ishte strehuar në Kosovë, ku më vonë u arrestua dhe për disa vite u mbajt në burgun e KFOR-it në Bondstill. Më vonë, me kërkesë të autoriteteve të Maqedonisë, ai u ekstradua në vendin tonë, ku vuajti edhe dënimin për këto vepra. Tani që disa vite ai jeton i lirë në një nga shtetet e Evropës perëndimore. Gjithë këto informata kanë qenë të njohura për disa punëtorë të Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë, të cilët tani kanë vendosur ta ndërprejnë heshtjen dhe të bashkëpunojnë me hetuesinë në ndriçimin e plotë të rastit. Gazeta KOHA mëson se lista e personave të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK) që mund të jenë përfshirë në montimin e rastit të Sopotit, mund të jetë më e madhe nga ato emra që deri tani dolën në opinion.

Deri tani, sipas informatave që dolën në opinion, rezulton se në këtë rast kanë qenë të përfshirë gjashtë inspektorë të DSK-së. Marjan Nikollovski me prejardhje nga Sopoti dhe Mile Andonovski nga Kumanova, Robert Ivanovski, Boban Stojanovski, Mile Vellkovski dhe Ilija Smilevski – që të katër nga Shkupi. Këta janë inspektorët që para Trupit gjykues, dy javë më parë, kanë pranuar provat e PSP-së se në shtëpitë e të dënuarve të Sopotit – nuk kishin gjetur asnjë mjet shpërthyes apo ndonjë provë tjetër me të cilën mund të konfirmohej vepra “terrorizëm” dhe dënimet me burg. Po ashtu, PSP kishte konstatuar se gjashtë inspektorët e DSK-së, në kundërshtim me Ligjin, kishin arrestuar Ramadan Bajramin, dëshmitarin e vetëm në rastin e Sopotit. Madje, e kishin dërguar në një banesë në Strumicë, e kishin lidhur për kaloriferi, deri sa e kishin keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht deri kur i njëjti kishte firmosur se 10 banorët e Sopotit janë ata që kanë vënë minën në afërsi të fshatit.

DEKLARATA QË BËRI KTHËESËN

Ndryshe, rasti i Sopotit konsiderohet si rasti më monstruoz i montuar nga shërbimi sekret maqedonas me qëllim burgosjen e shqiptarëve, duke i shpallur ata si “armiq” të KFOR-it nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke i larguar forcat ushtarake ndërkombëtare nga vija kufitare Maqedoni-Serbi. Në vitin 2003, vetura e KFOR-it, bie në një minë në afërsi të fshatit Sopot drejt rrugës për në fshatin fqinj Sushevë, ndërsa në vendngjarje humbën jetën dy ushtarë polak dhe përkthyesi nga Maqedoni. Pas bastisjeve dhe keqtrajtimit të banorëve shqiptarë të Sopotit, Gjykata e Kumanovës mori vendim që për këtë rast të fajësohen 13 banorë vendas, vetëm me dëshminë e dhunshme të Ramadan Bajramit, i detyruar ta firmos letrën në të cilën pranohej fajësia. Sopotasit atëkohë u dënuan me 156 vite burg. Dënimin e vuajtën Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa gjashtë banorë të tjerë u detyruan ta braktisnin vendlindjen. Njëri nga ata, Samet Lutriu më vonë vdes vdiq duke pritur drejtësinë.

Se me të vërtetë sopotasit e dënuar ishin të pafajshëm, ishte deklarata e Ambasadorit të NATO-s atëkohë në Maqedoni, Nikolas Bigman. Para Komisionit parlamentar, Bigman kishte thënë se të dënuarit janë të pafajshëm. “Banorët e dënuar të Sopotit janë të pafajshëm. Dënimi i tyre me burg mbështetet vetëm në një deklaratë, e cila është tërhequr një ditë më pas. Nuk mund të kërkosh nga dikush të dëshmojë pafajësinë, nëse pala tjetër nuk ka dëshmi se je fajtor”, pati thënë Bigman. Ai pati vënë në dilemë edhe motivin e aktakuzës ndaj sopotasve. “Nuk ka asnjë arsye për të besuar se cili ishte motivi i fshatarëve për ta vënë mjetin shpërthyes. Shqiptarët edhe atëherë kanë pasur besim në NATO-n si garancë për stabilitet”, u pat shprehur Bigman, duke i sugjeruar organeve kompetente që të fokusohen në gjetjen e fajtorëve të vërtetë. “Është në interesin e Maqedonisë që të zbardhen rastet e dyshimta, sepse ajo pretendon të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s”, pati thënë Bigman.

Një nga organet e sigurisë së Maqedonisë (Shërbimi Sekret i ARM-së, i cili në mënyrë kronologjike ka përshkruar tërë ngjarjen) i ka evidentuar të gjitha rrethanat e shpërthimit të minës në Sopot, më 4 mars të vitit 2003, me ç’rast jetën e humbën dy ushtarë polak të KFOR-it dhe një përkthyes nga Maqedonia.

RAPORTI USHTARAK

Ekziston një raport i Shërbimit sekret të ARM-së, i përpiluar menjëherë pas shpërthimit të minës në Sopot, i cili po të ishte marrë parasysh menjëherë, kjo ngjarje do të kishte epilog krejt tjetër. Sot, fajtorët e vërtetë për këtë akt terrorist do të ishin në burg, ndërsa banorët e Sopotit nuk do ta përjetonin ferrin që gjatë këtyre 15 viteve e paguan me disa vite burg dhe një viktimë.

Sipas burimeve konfidenciale të gazetës KOHA, ky raport është fshehur qëllimisht nga presioni i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DSK-së), me të vetmin qëllim – të shpëtojnë kryerësit e veprës dhe ta pësojnë banorët e pafajshëm të fshatit Sopot. Mbi ekzistimin e këtij raporti sekret kanë pasur njohuri disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në të kaluarën, por edhe zyrtarë tjerë të shtetit.

KRONOLOGJIA E NGJARJES

Në afërsi të vendit të ngjarjes ku shpërtheu mina, ARM ka pasur atë kohë një karakoll ushtarak, prej nga janë vëzhguar edhe lëvizjet e njerëzve dhe aktivitetet e ndryshme në atë rajon. Gazeta KOHA mëson se ushtarët e ARM-së kanë raportuar që në fillim të kenë dëgjuar një të shtënë me armë zjarri, që sipas të dhënave tona, duhet të ketë qenë momenti kur dy personat që vendosën minën, janë zënë me njëri-tjetrin, zënkë kjo që ka eskaluar me plagosjen në këmbë të njërit prej tyre. Ushtarët kanë raportuar se pak më vonë në ditën kritike, kanë dëgjuar edhe një shpërthim, që duhet të ketë qenë momenti kur ushtarët polak me automjetin e tyre kanë shkelur mbi minën e montuar në rrugë. Pas kësaj, në drejtim të karakollit kanë shkuar dy persona, për të raportuar se kanë parë një automjet të KFOR-it duke u djegur. Pikërisht këta persona, sipas informatave të gazetës KOHA, janë vetë kryerësit e veprës, për të cilët kemi shkruar dje, të cilët kanë ikur dhe që disa vite me radhë jetojnë të sigurt jashtë vendit.

MIJALLKOV: EDHE BUÇKO KA THËNË SE PO NDJEKIM NJERËZ TË PAFAJSHËM

Moment i ri në këtë hetim të gazetës KOHA është se në këtë ngjarje mund të jetë përfshirë edhe një person i tretë, i cili ka shërbyer si logjistikë. Këtë e dinë edhe institucionet relevante në këtë shtet. Megjithatë, ky raport nuk ka arritur të shohë dritë asnjëherë, bile as në Komisionin parlamentar që u formua për t’u rishqyrtuar procedura hetimore dhe gjyqësore nga fillimi deri në fund. Ky dokument ishte fshehur nga deputetët, anëtarë të këtij Komisioni. Duket se këtë dokument e ka parë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Vllado Buçkovski, i cili përmendet në një bisedë telefonike në “bombat” e Zaevit, në mes të Gordana Jankullovskës dhe Sasho Mijallkov, kur ky i fundit në një moment thotë: “Edhe Buçko ka thënë se po ndjekim njerëz të pafajshëm”.

DEVIJIMI I HETIMEVE

Në vend që hetuesit t’i marrin në konsideratë të dhënat e raportit të përpiluar atëherë nga Shërbimi Ushtarak i Maqedonisë, punonjësit e lartë të DSK-së i kanë dhënë kahe tjetër hetimeve. Dy personat e përmendur në raportin në fjalë, asnjëherë nuk janë marrë në pyetje nga policia e Maqedonisë. Për këtë shkak, njëri prej tyre menjëherë është larguar drejt Francës, ndërsa tjetri edhe një kohë të gjatë ka qëndruar në Maqedoni, për të ikur pastaj në Kosovë, ku burgoset dhe për disa vite mbahet në burgun Bonstill të KFOR-it. I njëjti më vonë ekstradohet në Maqedoni ku vuan dënimin për disa vepra tjera terroriste. Pas lirimit nga burgu, ai shpërngulet në një shtet fqinj ku gjendet edhe sot. Ajo që vlen të theksohet është se implikimin e këtij personi në rastin e Sopotit e ka vërtetuar edhe bashkëshortja e saj, e cila në vitin 2009, këtë e ka dëshmuar para organeve kompetente në Maqedoni. Asnjë nga këto fakte nuk janë marrë parasysh nga tetë punonjësit e DSK-së, që sipas informatave tona, kanë qenë të përfshirë në hetimet e këtij rasti.

Ata kanë zgjedhur që hetimet të marrin kahe tjetër dhe kështu ka ndodhur, duke keqtrajtuar Ramadan Bajramin, të cilin e kanë arrestuar dhe ia kanë bastisur shtëpinë disa herë, para dhe pas shpërthimit të minës, madje edhe në kohën kur ky ka qenë në paraburgim, me të vetmin qëllim që ti bëjnë presion plotësues për të mos e ndryshuar deklaratën e dhënë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij.

PSE U SHPËRFILLËN INFORMATAT E NATO-s?

Përveç raportit të Shërbimit Ushtarak të Maqedonisë, është edhe një raport i NATO-s, i cili nuk është marrë parasysh nga punonjësit e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe nga Prokuroria që zhvilluan hetimet mbi vendosjen e minës në Sopot.

Shpërthimi i minës antitank që ndodhi më 4 mars të vitit 2003, diku rreth orës 17:30, la të vdekur ushtarët polak Pavel Leginski dhe Fjodor Nikulovski dhe civilin Krunisllav Kiprijanovski, ndërsa e plagosur rëndë mbeti përkthyesja nga Shkupi, Poliskena Filipovska. Automjeti xhip me të cilin po udhëtonin viktimat kishte shkelur me rrotën e majtë në minë dhe ishte shkatërruar i tëri.

Por, pavarësisht se ky akt terrorist kishte ndodhur në Maqedoni, edhe NATO kishte zhvilluar hetimet e veta. Pas mbledhjes së informative, ata përpilojnë një Raport të cilin ua dorëzojnë partnerëve maqedonas. Aty, mes tjerash thuhej se posedojnë dëshmi të siguruara nga burime të veta se minën e kanë organizuar dhe vendosur dy banorë të një fshati kufitar, të cilët edhe më parë kanë qenë të njohur për policinë maqedonase për veprat e tyre kriminale. Raporti i NATO-s kishte hedhur poshtë mundësinë që 11 të akuzuarit nga Sopoti, janë autorët e vënies së minës. Edhe këtë informatë, prokurorët dhe hetuesit e Shërbimit Sekret të Maqedonisë (DSK) nuk e përfillin sikurse kishin vepruar me Raportin identik të Shërbimit Sekret të Armatës së Maqedonisë, ku qëndronin thuajse të njëjtat pretendime.

5 BOMBA PËR 7 MUAJ

Në një periudhë prej 7 muajsh, në Kumanovë me rrethinë kishin ndodhur pesë akte terroriste. E para ishte para gjimnazit “Goce Dellçev” më 25 dhjetor të vitit 2002, kur bomba ishte kurdisur të shpërthejë gjatë pushimit të madh të nxënësve. Fati që zilja e shkollës ishte aktivizuar me pak vonesë dhe u shmangën viktimat në mesin e nxënësve. Megjithatë, me këtë rast jetën e humbi një kalimtar i rastit. Hetimet vërtetuan se mjeti shpërthyes ishte vendosur në një kontejner afër shkollës, ndërsa aktivizimi i tij ishte bërë nga një telefon celular Nokia 3310. Dy javë pas shpërthimit në Sopot, më 17 mars 2003, në afërsi të fshatit Vaksincë, në hekurudhën ndërkombëtare Beograd-Athinë, shpërtheu edhe një minë duke shkaktuar për një kohë ndërprerjen e komunikacionit në këtë relacion. Një sulm tjetër i ngjashëm me bombë kishte ndodhur mëngjesin e 5 qershorit 2003 në sheshin e qytetit në Kumanovë. Tre persona fituan lëndime të lehta, ndërsa u dëmtuan disa banesa.

Për gjithë këto raste pati disa të arrestuar, në mesin e tyre edhe gazetari Agim Behluli, i cili u dënua me 7 vjet burg, nën akuzën se kishte qenë përkrahje logjistike e “terroristëve”. Agimi vuajti dënimin 6 vjet, ndërsa të gjithë dëshmitë e palës mbrojtëse tregonin se ishte i pafajshëm dhe se nuk kishte lidhje me veprën me të cilën ngarkohej. Madje, pjesën më të madhe të të akuzuarve, Agimi i njohu për herë të parë në gjyq.

Por, një prej personave të akuzuar dhe të dënuar ishte edhe Xhemail Hyseni nga fshati LLojan, i njohur me nofkën Xhejmi Shej, sipas zëdhënësit legjendar të NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

Këtë person, atë kohë e kishte vizituar në burg edhe ekipi i gazetarëve të emisionit “KOD”, ku i njëjti kishte pretenduar se është i pafajshëm për veprën me të cilën ishte ngarkuar – “minën në hekurudhë”, duke u arsyetuar se është viktimë e shkrimeve të mediave. Gjatë kësaj interviste, Xhemail Hyseni kishte hedhur poshtë pretendimet e gazetarëve se është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Pas vuajtjes së dënimit, besohet se “Xhejmi Shej” është larguar nga Maqedonia në një prej vendeve fqinje.

HETIMET E REJA

Pas zhvillimeve të fundit me lirimin nga akuza e 11 personave të fshatit Sopot, njeriu i parë i Prokurorisë Speciale të Maqedonisë (PSM), Katica Janeva, tha para gazetarëve se hetimet e reja po shqyrtojnë teori tjera nga ato që deri tani i ka ndjekur DSK, duke i akuzuar 11 persona të pafajshëm. Ajo theksoi se në këtë kuadër janë duke zhvilluar aktivitete të caktuara të bashkëpunimit ndërkombëtar, në mesin e tyre edhe me një vend fqinj. Ajo nuk ka precizuar nëse është duke u kërkuar përgjegjësi të punëtorët e DSK-së, të cilët në mënyrë joprofesionale kanë zhvilluar hetimet, me ç’rast me përdorimin e dhunës ndaj Ramadan Bajramit, kanë përpiluar aktakuzën kundër 11 personave të fshatit Sopot, të cilët padrejtësisht u dënuan me mbi 150 vjet burg. Edhe Avokati i Popullit ka ngritur zërin duke shprehur habi pse punëtorët e DSK-së kanë zhvilluar këto hetime, të cilat pastaj janë marrë si të gatshme nga Prokuroria dhe gjykatat e vendit, pa insistuar në sigurimin e dëshmive plotësuese për të dëshmuar fajësinë e të akuzuarve për 15 vjet rresht.

Zhvillimet e reja rreth rastit të Sopotit janë duke u përcjellë më vëmendje edhe nga ambasada polake në vend. Ata kërkojnë të respektohet sakrifica e ushtarëve të tyre Pavel Leginski dhe Fjodor Nikulovski që humbën jetën gjatë shpërthimit të minës. Zyrtarët e Ambasadës së Polonisë i kanë rikujtuar Maqedonisë se zbulimi i të vërtetës, dënimi i fajtorëve dhe respektimi i kujtimit për viktimat e rastit tragjik të vitit 2003, është detyrë dhe obligim i sistemit të pavarur gjyqësor të Republikë së Maqedonisë. “Ne jemi duke e ndjekur rastin dhe presim zhvillimet e mëtutjeshme”, kanë thënë nga kjo ambasadë për mediat./koha.mk