Ballina Top Lajm Gjakovari pagoi mijëra euro për një vizë pune në Gjermani të cilën...

Gjakovari pagoi mijëra euro për një vizë pune në Gjermani të cilën s’e mori kurrë

Qytetarët vazhdojnë të bien në grackën e mashtruesve të vizave për vendet e Bashkimit Evropian.

Ky i ri, me inicialet M.L nga Gjakova, ka paguar 4 mijë euro për vizë pune në Gjermani për veten dhe vëllanë e tij, raporton KTV.

Por, asnjëherë nuk arriti të shkojë e të punojë ashtu siç i premtoi Agjencia për Ndërmjetësim Pune “NAVI” në Klinë.

Kushtet e vështira, në të cilat jeton ai dhe familja, thotë se e kanë shtyrë që të provojë të largohet nga Kosova.

M. L. ka rrëfyer për KTV-në mashtrimin që ia bëri kjo agjenci në janar të vitit të kaluar.

M. L., i diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, ka aplikuar disa herë për një vend pune në Kosovë, por nuk ia ka dalë të punësohet.

Ndërsa, pronarëve të Agjencisë për Ndërmjetësim Pune në Gjermani pagesën ua bëri përmes xhirollogarive bankare që tashmë kjo agjenci është mbyllur.

Këtë rast të mashtrimit me viza, ky 29-vjeçar thotë se e ka paraqitur në polici në Klinë, në shtator të vitit të kaluar.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka konfirmuar se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet. Kryeprokurori, Agim Kurmehaj, ka thënë se tashmë janë zgjeruar hetimet edhe për disa persona të tjerë si të dyshuar për mashtrim me viza.

KTV-ja ka provuar të flasë edhe me të dyshuarin për mashtrim me viza, Nazmi Berisha nga Klina, por ai nuk është lajmëruar në thirrjet e televizionit.

VIDEO