Nënshkrimi i ligjit për gjuhët nga ana e kreut të Kuvendit Talat Xhaferi në vend të presidentit Ivanov nuk është ndër opsionet që shqyrtohen. “Mendoj se unë nuk kam të drejtë të vendos nënshkrim në emër të dikujt tjetër” ka shtuar Xhaferi në një takim me gazetarët.
Sa i takon dilemës nëse ligji mund të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe të hy në fuqi edhe pa një nënshkrim të dytë, Xhaferi tha se kjo do të shqyrtohet si mundësi. Megjithatë ai shtoi se ka disa zgjidhje të cilat po analizohen dhe do të zbatohet ajo më e afërta me procedurat e funksionimit të Kuvendit. I pyetur se a kanë komunikim dy kabinetet, i Kryeparlamentarit dhe ai i Presidentit mes vete për ligjin e përdorimit të gjuhëve, Xhaferi tha se gojarisht ka kërkuar takim me Ivanovin por nuk ka marrë përgjigje. Dispozitat nuk parashikojnë afat kohor për dekretimin e ligjit nga ana e Presidentit pas miratimit të dytë, sepse sipas kreut të Kuvendit, kjo është e obligueshme. “Presidenti, shtoi Xhaferi, është pjesë e pushteti ekzekutiv dhe nuk mund të kyçet në procedurën ligjvënëse.”
Kryeparlamentari e përjashtoi mundësinë e dorëzimit të iniciativës në Gjykatën Kushtetuese nga shumica parlamentare për refuzimin e presidentit Ivanov ndaj këtij ligji, ide të cilën ditë më parë e hodhi kryeministri Zoran Zaev. Sipas Xhaferit, procedura e vetme për shqyrtimin e përgjegjësisë së Ivanovit është nëpërmjet Kuvendit me impiçment. Impiçmenti iniciohet nga të paktën 30 deputetë por nuk mund të kalojë pa 2/3 e votave të deputetëve, të cilat shumica nuk i ka.
VMRO-DPMNE-ja, nga ana tjetër, vazhdon të mos marrë pjesë në punën e Kuvendit, edhe disa ditë pas lirimit nga paraburgimi, të deputetëve të saj të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit.
Këto ditë është duke u biseduar edhe në kuadër të grupit parlamentar edhe në kuadër të partisë dhe për marrëveshjen do t’u njoftojmë, si do të rrjedhin konsultimet dhe cili do të jetë vendimi – deklaroi Liljana Kuzmanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Xhaferi shpreson që VMRO-DPMNE-ja të kthehet së shpejti në Kuvend duke shtuar se nuk kanë argument tjetër me të cilin do të kushtëzonin pjesëmarrjen në punën e ligjvënësit.
Fatlume Dervishi