Dy gjuhësia në faturat e EVN-së ka shkaktuar ca telashe tek konsumatorët. Disa prej tyre po ankohen se po paguajnë dy herë për të njëjtin muaj për shkak se në derë u vijnë dy fatura, një në gjuhën shqipe dhe tjetra në gjuhën maqedone.
“Po, edhe ajo është ngatërresë për shkak se populli nuk i kupton. Shkojnë dhe paguajnë dy herë. Se këto në fakt i dërgojnë në gjuhën shqipe, po as përkthimet nuk janë askund. Ka shumë gabime, mund ta shifni këtu ku duhet të shkruajë “amvisëri” shkruan “domaqinstva”. Nuk e di kush e mban këtë përgjegjësi, apo kush i përkthen”, tha një qytetar.
Por për disa të tjerë faturat në gjuhën shqipe ende nuk kanë filluar të vijnë, edhe pse thonë se do të ishte lehtësim për ta.
“Tek unë nuk vijnë asnjëherë faturat në gjuhën shqipe, nga 2018 asnjëherë në gjuhën shqipe nuk ka ardhur, vetëm në gjuhën maqedone. Në shqip unë nuk i kam, ja këtu i kam të gjitha faturat, por asnjë në shqip nuk është. Po do të ma kishte lehtësuar normal, se ajo është gjuha ime, dhe e kuptoj më mirë”, tha një qytetar.
Në lidhje me këtë nga EVN Maqedoni thonë se nuk është e mundur që e njëjta faturë të paguhet dy herë edhe pse është në dy gjuhë. Nga EVN, theksojnë se pranimi i faturës edhe në gjuhën shqipe bëhet me zgjedhje dhe kërkesë të konsumatorit, dhe për shkak të transparencës ndaj konsumatorëve, nuk është e mundur dhe e realizueshme të krijohet një faturë e vetme në dy gjuhë.
“Konsumatorët që pranojnë faturë edhe në gjuhën shqipe, faktikisht pranojnë faturë origjinale në gjuhën maqedonase dhe kopje të faturës në gjuhën shqipe. Kjo do të thotë që konsumatorët mund të kryejnë pagesë vetëm nëpërmjet origjinalit – faturës në gjuhën maqedonase, e jo nëpërmjet kopjes, me çka shmanget pagesa e dyfishtë e faturës. Si informacion shtesë, konsumatorët të cilët pranojnë fatura në gjuhën maqedonase dhe shqipe, të njëjtat i pranojnë njëkohësisht, në të njëjtin zarf dhe për të njëjtin muaj të konsumit. Në qoftë se për shkak të arsyeve të tjera konsumatori bën pagesë të dyfishtë të faturës së njëjte, gjithmonë ekziston mundësia që paratë të regjistrohen për borxh të mëhershëm ose borxhin e muajit të ardhshëm, varësisht nga pagesa dhe kërkesa e konsumatorit”, nga EVN Maqedoni.
Ata shtojnë se fatura në gjuhën shqipe përkthehet nga përkthyes i licencuar dhe në mënyrë shtesë aprovohet nga Instituti i Gjuhës Shqipe në Tiranë. Në vetë faturën ekzistojnë tre pika në pjesën e të dhënave për konsumatorin, të cilat akoma janë në gjuhën maqedonase dhe ato fjalë janë: ulica, broj dhe domaqinstva. Nga EVN thonë se këto të dhëna tërhiqen automatikisht nga sistemi në faturë njëjtë si emri dhe mbiemri i konsumatorit, e me këtë nënkuptohet se të njëjtat nuk përkthehen. /tv21/