Arabia Saudite ka hapur kinemanë e parë komerciale pas 40 vjetësh duke shfaqur privatisht filmin e Hollywoodit, Black Panther.
Ceremonia e shfaqjes së filmit më 18 prill në kombin konservativ të Gjirit Arab ka ardhur para lansimit zyrtar edhe për publikun më 20 prill, transmeton REL.
Kjo ngjarje në kryeqytetin Riad, ka theksuar ndryshimet drastike që po ndodhin nën udhëheqjen e trashëgimtarit të fronit, Princit Muhammad bin Salman, i cili ka premtuar se do të hapë shtetin në aspektin kulturor dhe do të reformojë ekonominë.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë burra dhe gra, duke i thënë fund ndalimit 40 vjeçar të kinemave publike në shtetin saudit.
Qeveria ka parashikuar se hapja e kinemave do t’i kontribuojë shtetit me më shumë se 24 miliardë dollarë në ekonomi dhe do të krijojë më shumë se 30,000 vende të punës deri më 2030.
Zyrtarët kanë thënë se rreth 300 kinema do të ndërtohen në 12 vitet e ardhshme.