Ky është axha Nazmi nga Tetova…Ai është ndër marangozët e rrallë që kanë mbetur në Tetovë dhe që ende me shumë zell e punon zanatin e tij. Edhe pse dikur puna kryesore që bënte ishin dyert dhe dritaret e drurit, dalja në treg e plastikës na mori bukën e gojës, shprehet ai. Axha Nazmi bën përpunimin e drurit, ndërsa veprat atirstike që i krijon më shpesh janë miniaturat, sikurse xhamitë, objektet e ndryshme, obeliskat, kafazet e vazot për lule.
Këtë zanat e punoj prej vegjëlie, prej klasës së parë kur mundesha më të punoj. I ndihmoja babait tim. Unë e punoj që herrët këtë punë, sepse një maqedonas nga Çarshia e Epërme ma la zanatin dhe për gjashtë muaj më bëri mjeshtër me diplomë – tregon marangozi Nazmi Abdiu.
Ndonëse punën e tij e bën me shumë përkushtim, xha Nazmiu shprehet i dëshpëruar për mosinteresimin e njerëzve për artin. Ai madje sikurse shumë të rinj shprehet i gatshëm të largohet nga vendi për një të ardhme më të mirë.
Disa gjëra i kam nxjerrë edhe nga interneti por prej kësaj pune tash nuk mund të jetohet. Nëse më ofrohet ndonjë punë jashtë unë shkoj sepse prej kësaj s`ka, s`ka interesim për artin shumë dobët – thotë ai.
Xha Nazmiu shfrytëzon ditën e enjte që është ditë tregu në Tetovë, për ti ekspozuar punimet e tij. Por edhe përkundër shitjes së dobët, ai zgjedh gjithnjë drurin më të mirë për punimet e veta, ahun dhe bredhin.
Unë më tepër me ah punoj dhe me bredh. Ja shifeni këtë që e kam bë, është e tëra e ahut, por meqë nuk gjej dot ahun kaq të trashë ka kështu shpohet dhe këtu dhe ngjitet. Dikush e ngjet këtë nuk i bën kapjen por unë e bej që të jetë më fortë – shpjegon ai.
Halli kryesor i Xha Nazmiut, ishte mos interesimi nga të rinjtë për zanatin. Edhe pse nga ky zanat nuk jetohet, megjithatë Xha Nazmiu thotë se, po ta punosh me dëshirë, do ketë gjithnjë myshterinj për punime arti nga druri./Alsat-M
Bashkim Sulejmani