Blerja e reduktuar e qengjave për këtë vit dhe çmimi i ulët për kilogram mishi, ka bërë që blegtorët të përballen me vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre. Blegtorët në Pollog ankohen se pos çmimit të ulët, thertoret refuzojnë t’i blejnë qengjat, që eksportohen për në Kroaci dhe Itali. Për pasojë të kësaj, me të madhe blegtorët shesin dhentë sepse çdo vit punojnë me humbje.
Tash e marrin mishin e qengjit 140 denar t`ia çosh vetë në thertore. Këto thertoret që janë në Maqedoni, Gostivari, Kavadarci, Strumica, Novosella dhe Prilepi kanë bë njëfarë koalicioni dhe çmimin e formojnë vetë ata, dhe nuk lejojnë që çmimin ta formojmë ne blegtorët. Jo neve ta caktojmë por aq sa kushton një kilogram qengj që të mbulohemi, por ne nuk mund të mbulohemi, kemi shumë probleme dhe duhet me humbje të punojmë, dhe për këtë, ka ardhur puna që të kemi probleme të mëdha – tha Mexhit Amiti, kryetar i Shoqatës së Blegtorëve për Maqedoninë Veri-Perëndimore.
Blegtorët ankohen se, përveç problemit me shitjen e qengjave, kultivimi i tyre sivjet është rënduar edhe më shumë si pasojë e subvencioneve të vogla dhe që nuk lëshohen me rregull.
Ja kanë mbet gjitha, i shef vet, dhe nuk i marrin, e lutish nuk vjen t`i merr. Subvencionet na kanë dhënë por një vit nuk i kemi marrë. Ndihmojnë pak subvencionet se po t`mos ishin edhe ato dhen nuk do ruante kush. Unë për vete do i falja, s`mbulohen harxhime kanë shumë – deklaroi Ziadin Zenullahu, blegtor.
Përveç problemit me mishin, blegtorët kanë probleme edhe me shitjen e leshit të dhenve.
Leshin e dhenve gati dy vite e kemi pa e shitur. Nuk ka plasman ska interesim askush ta blej, 15 denar kilogrami nuk paguhet. Më shtrenjtë del punëtori për qethje të dhenve se sa vet leshi që bën para – u shpreh Nazmi Latifi, blegtor.
Për pasojë të këtyre probleme, viteve të fundit, Maqedonia nga rreth 2 milion dhen ka rënë në rreth 350 mijë.
Bashkim Sulejmani