Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha në një intervistë për TV H1 të Beogradit, se gjatë vizitës së tij në kryeqytetin serb nuk do të konfrontohet me homologun serb Ivica Daçiq, për shkak të deklaratës të tij gjatë takimit me kryediplomatin grek Kocias, se ishte gabim që Serbia e njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.
“Unë mendoj se deklarata të tilla nuk ndihmojnë marrëdhëniet dypalëshe. Ne jemi ministra të dy vendeve, që përfaqësojnë dy popujt, popujt me lidhje të ngushtë.
Ne kemi një histori të përbashkët në Jugosllavi, do të jemi së bashku, shpresojmë se në një të ardhme jo shumë të largët në Bashkimin Evropian”, tha Dimitrov.
Duke iu përgjigjur pyetjes për Kosovën, Dimitrov tha se Maqedonia në mosmarrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të jetë një lojtar i madh. /SHENJA/