Takimit të paralajmëruar për më 3 dhe 4 maj në Sofje mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë e Greqisë do t’i paraprijë një tjetër takim me ndërmjetësin e OKB-së Metju Nimic.
Jozyrtarisht mësohet se në fund të këtij muaji, palët do të takohen me qëllim të intensifikimit të bisedimeve. Diplomacia maqedonase ndërkaq beson se nuk është e pamundur që dallimet rreth emrit të tejkalohen në një takim të ardhshëm derisa të gjitha opsionet e mundshme mbeten akoma të hapura. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi se pala maqedonase është tërësisht e fokusuar në zgjidhjen e çështjes dhe se nuk ka alternativë, respektivisht ndonjë plan B.
Jemi të fokusuar në planin A. Jemi të fokusuar t’i bindim të gjithë, përfshirë këtu edhe Greqinë fqinje se ai plan që Maqedonia të bëhet demokraci evropiane, aleat edhe në BE edhe në NATO nuk është e mirë vetëm për Greqinë por për gjithë rajonin dhe më gjerë, edhe për Evropën. Mendoj se që t’i rrisim shanset për sukses duhet të mendojmë dhe të jemi të fokusuar në këtë plan A – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Eurodeputeti Eduard Kukan, informues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian dhe njëri nga iniciuesit e takimit Zhan Mone, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së emrit në dy muajt e ardhshëm është e mundur.
Zgjidhja e kontestit me emrin e Maqedonisë mund të arrihet para seancës së Këshillit të Evropës në qershor, kur liderët do ta shqyrtojnë rekomandimin për fillimin e negociatave me Shkupin për anëtarësim në BE – tha Eduard Kukan, eurodeputet.
Një ditë më parë Kocijas deklaroi se nuk ka mundësi që Maqedonia të bëhet anëtare e NATOs në Samitin e korrikut, pasi referendumi dhe ratifikimi i marrëveshjes eventuale në Kuvend do të kërkonte së paku edhe 4 muaj. Profesori Bekim Kadriu thotë se deklaratat pesimiste nga palët negociatore përdoren që të bëhet presion nga shtetet për njëri-tjetrin me qëllim që të bëhen lëshime nga shteti tjetër që të arrihet më lehtë marrëveshja. Sipas Kadriut, ka disa forma të marrëveshjes që mund të arrihen mes dy vende, pa u penguar anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.
Referendum nuk është kusht. Ai mund të organizohet pasi marrëveshja të arrihet dhe eventualisht pasi Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Nuk do ta kisha përjashtuar mundësinë e e anëtarësimit, edhe pa u finalizuar marrëveshja.
Në marrëveshje mund të ketë një dispozitë e cila do ta obligonte Greqinë që të lejojë që Maqedonia të anëtarësohet në NATO duke u bindur Greqia paraprakisht që marrëveshja do të arrihet dhe Maqedonia do të marrë obligim që eventualisht në një të ardhme të afër ta ndryshojë edhe Kushtetutën – deklaroi Bekim Kadriu, profesor.
Kryeministri, Zaev u shpreh optimist se emri do të zgjidhet deri në maj dhe se referendumi e ratifikimi i marrëveshjes janë çështje juridike për të cilat po ashtu mund të gjendet zgjidhje./am/