Analisti për çështjet e Ballkanit në Qendrën Wilson, Ross Johnson theksoi se qeveria e Kosovës bëri veprimin e duhur me shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës për rolin e tyre në arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq.
Ai i tha Zërit të Amerikës se deportimet ishin të parregullta dhe të paligjshme.
Presidenti turk, thotë zoti Johnson, “ka shkuar tepër larg” me komentet e tij për qeverinë e Kosovës.
“Një zhvillim i çuditshëm. Natyrisht ata u deportuan në mënyrë të parregullt. Kryeministri dhe Presidenti nuk mund të bënin gjë tjetër përveç shkarkimit të ministrit të brendshëm dhe shefit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës. Ky ishte një deportim tepër i parregullt dhe i paligjshëm i shtetasve të huaj, pavarësisht nëse ata ishin të angazhuar apo jo në aktivitete të paligjshme kundër shtetit turk. Kjo nuk duhet bërë. Zoti Erdogan ka shkuar tepër larg duke kritikuar qeverinë e Kosovës për këtë. Megjithatë, kjo është një sjellje tipike e tij. Kështu që unë nuk jam aspak i befasuar nga kjo”.
Të shtunën presidenti turk në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll tha ishte “i mërzitur” nga vendimi i kryeministrit për shkarkimet.
“Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”, tha ai.
Zoti Johnson theksoi se incidenti nuk do t’i shkaktojë probleme Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
“Nuk mendoj se ky incident do ndryshojë gjërat. Nëse ministri i brendshëm dhe shefi i kundërzbulimit do të qëndronin në detyrë, kjo do të shkaktonte probleme në diskutimet me Bashkimin Evropian. Përndryshe, unë shpresoj që kjo do të jetë histori”, tha ai.
Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.
Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën ai mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.
Tërë operacioni la pas vetes shumë paqartësi, ndërsa udhëheqësit më të lartë të Kosovës thanë se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.