Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot deklaroi se Agjencia Turke e Inteligjencës me një operacion në Kosovë kapi 6 përfaqësues të lartë të organizatës terroriste FETO në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi (AK Parti) në Stamboll tha se, “Agjencia Turke e Inteligjencës, me një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli 6 nga këta përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan. Por, kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra personin në krye të inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”
Ai më tej bëri thirrje: “Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe t’i për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”.
Presidenti Erdoğan gjithashtu duke folur për kreun e organizatës terroriste, tha se “Edhe ai që ka ikur në Pensilvani është në telashe. Thotë ‘Çfarë do të ndodhë me mua?’. Çka ndodhi me ato në Kosovë do të ndodhë edhe me ty”.
Kujtojmë se të enjten Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) ka realizuar një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Ballkan, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës.
Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga burime të sigurisë, MIT ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO/PDY-së të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës. Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjelë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.
Pas këtij rasti kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia të Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.