Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Ai këtë e ka thënë pas kërcënimeve të Erdogan, veçanërisht ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Nuk mund të përzihet ai në punët tona. Ne e kemi sistemin tonë, parlamentin, ne vet e zgjedhin qeverinë të cilën. Shpresoj që ne ta forcojmë qeverinë. Ai po fut pykë përçarëse, po e lavdëron Hashimin dhe po e sulmon kryeministrin, Haradinaj”, ka thënë Maliqi, njofton Klan Kosova.
“Nuk duhet ta dëgjojmë atë. Ne duhet ta mbajmë anën atje ku jemi nisë. Nuk duhet prishur me Turqinë, por ai nuk bën të na e caktojë se kush duhet të jetë lideri jonë”.
Sipas Maliqit edhe vet Erdogan dhe Turqia ka interes që të ruajë raportet me Kosovës.
“Ai vet dhe Turqia ka interesa, pasi ka bërë investime në Kosovë”.
Derisa për situatën politike në Kosovë, Maliqi është shprehur në Zona B se më e mira është që të krijohet një qeveri teknike.
“Ndoshta duhet të krijohet një qeveri teknike për një periudhë dhe që të përgatitet për zgjedhje. Duhet në të jenë 2-3 veta që janë të pavarur. Ose për të tejkaluar situatën e tanishme le të mbyllen diku katër ditë dhe ta gjejnë një gjuhë të përbashkët, për së paku dy vjet derisa të kryhen disa punë të mëdha”.