Familja Eshtrefi nga Shkupi kërkon lirimin e Naser Eshtrefit, i dënuar me 14 vite burg për vrasjen e Angell Petkovskit në vitin 2014 në Gjorçe Petrov të Shkupit. Gjyshi i Naserit, Ilmi Eshtrefi thotë se nipi i tij veprën e ka kryer në vetëmbrojtje, por që gjykata nuk e morri parasysh këtë fakt pavarësisht dëshmive. Ai thotë se gjykata vendosi mbi baza nacionale dhe politike.
Unë kërkoj që për nipin tim drejtësia të dale në shesh. Nipi im nuk ka qenë as fajtor, as nuk ka vjedhur biçikletë. Ata kanë dal fshehurazi dhe e kanë pritur ku edhe e kanë rrahur, por incizimet e rrahjes janë prerë. Ata kanë dalë me qëllim që ta vrasin, pra t’ia marrin jetën. I vjetri e ka marr të riun dhe kanë dalë ta vrasin dhe t’ia lë fajin të riut, por nuk e ka thënë Zoti ashtu si kanë dashur ata – tha Ilmi Eshtrefi, Gjyshi i Naser Eshtrefit.
Pas ankesës së mbrojtjes, lënda tani ndodhet në Gjykatën Supreme. Paraprakisht apeli hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes, duke e shpall si të vlefshëm vendimin e shkallës parë. Avokati i familjes Eshtrefi pret që Supremja të vendos për rikthimin e lëndës në rigjykim.
Pret dhe shpresoj që është koha e fundit që Gjykata Supreme sa më shpejtë të sjell vendim ligjore dhe me meritë në bazë të kërkesës sonë. Pret që ligjërisht të merret vendim dhe vendimi i shkallës së parë dhe shkallës së dytë të shfuqizohen si pasojë e padrejtësive dhe parregullsive ligjore në procedurë – deklaroi Angjell Gjorgjievski, Avokat i Naser Eshtrefit.
Vrasja e Angel Petkovskit ndodhi si pasojë e mosmarrëveshjes që kishte Naser Eshtrefi me të për një biçikletë. Ndonëse paraprakisht dyshohej se Eshtrefi kishte marrë biçikletën e Petkovskit, një gjë e tillë nuk u dëshmua. Për të pastruar hesapet, Angel Petkovski bashkë me të atin kishin lënë takim me Eshtrefin ku edhe kishte plasur sherri. Fotografitë dëshmojnë se Eshtrefi ishte rrahur brutalisht, ndërsa Petkovski kishte vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër. E kujt ishte thika me të cilën ishte kryer vrasja nuk u mësua asnjëherë, por duke marr për bazë kamerat e sigurisë, ekspertiza ka dëshmuar se Eshtrefi nuk kishte armë ose mjet të fortë me vete. Në procesin gjyqësor babai i viktimës nuk ishte pjesës e akuzës. Vrasja e Petkovskit kishte nxitur reagime dhe protesta të dhunshme ku si pasojë, protestuesit demoluan dhe i vënë flakën dhjetëra pronave shqiptare në Gjorçe Petrov.
Adrian Kerimi