Protestuesit kërkuan edhe heqjen e taksës së kalimit në Rrugën e Kombit. Gjykata e Apelit në Shkodër do të vendosë të premten për fatin e tyre pas apelimit të masave të sigurisë.
Pjesmarrësit në tubimin para Gjykatës së Kukësit kishin marrë lejë nga policia vendore, ndërsa gjatë protestës u lëshuan thirrje kundër arrestimeve.
Xhevahir Gashi, babai i njërit prej të arrestuave, për mikrofonin e Ora News, kërkon lirimin e tij.
Xhevahir Gashi: Me gra me fëmijë, i madh dhe i vogël, në orët e vona të mesnatës i nxjerrin me forcë jashtë. Kujtova se është Serbia dhe hyri brenda, por ishte policia shqiptare. Kërkesa ime është zero taksa, e dyta të lirohet djemtë nga qelia se janë të pafajshëm.
Një pjesmarrës në protestë, shprehet i revoltuar për taksën.
Qytetar i Kukësit: Ne protestuam për lirimin e vellezërve tanë, janë 11 të arrestuar padrejtësisht. Ata kanë protestuar për të drejtat e tyre. Nuk mund të vendoset një taksë në një zonë që është më e varfra në Republikë.
Protesta u mbyll brenda afatit të përcaktuar, ndërsa Policia e Kukësit kishte menduar ta mbante vetë situatën nën kontroll, duke mos thirrur në ndihmë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjatë këtij tubimi nuk u shënua asnjë incident dhe pjesmarrësit u shpërndanë në qetësi./oranews/